Ka një përcaktim të bukur të Brehtit në dramën – satirë të tij “Arturo Ui”, që e cilëson Sistemin e Junkerëve që krijoi mundësinë e ngritjes të Hitlerit si “Trusti i Lulelakrës”. Nuk di pse më erdhi ndërmend ky përcaktim ndërsa pashë një foto të “skulpturës” së Edi Ramës në një trotuar në Bazel të Zvicrës. Duket nga ngjyra si bakër (i oksiduar nga koha) por nuk jam në gjendje të përcaktoj se ç’lloj materiali është dhe nëse është një skulpturë provizore apo e përhershme. Nuk ja vlen as të vrasësh shumë mendjen për të, se deri më sot nuk kam parë asnjë vepër arti të piktorit Edi, që të më lerë mbresa si një vepër me vlera artistike. Dhe këtu e kam fjalën për të gjitha që kam parë duke nisur që nga një portret, që kam parë të ekspozuar rreth vitit 1982, në një Ekspozitë Kombëtare në Galerinë e Arteve në Tiranë.
Ka shumë njerëz, dashakeq dhe dashamirës të tij, që e përcaktojnë si një artist të dështuar. Bashkohem me ta, që mungesa e talentit e ka bërë thuajse të dështojë, sepse ide artistike ka pasur vazhdimisht, nga ato më të guximshmet që bëhen për të rënë në sy dhe deri në ato më të përmbajturat, që i kanë të gjithë artistët mesatarë. Ka qënë mungesa e talentit, që e ka bërë të mos materializojë dot vepra që mund të mbeten. Ndoshta ndaj “eksperimenton” me arkitekturën e Tiranës, për të lënë pas kujtimin e një artisti të vërtetë.
Të qënit kryeministër i një vendi, qoftë edhe i vogël. I ka dhënë mundësi të ketë kontakte të shumta me rrethe artistike në botë dhe të ekspozojë artin e tij, të cilin nuk mund ta quaj as kontrovers. Të tilla zakonisht janë punë të artistëve vërtet të talentuar, të cilët eksperimentojnë në forma të tjera të artit viziv, ose në kombinim me disiplina të tjera si muzika, recitimet, efektet dixhitale etj. Për fat të keq Edi Rama nuk është artist i talentuar. Arti i tij “kontrovers” ka për të ndenjur larg galerive të njohura në botë posa Rama të largohet nga drejtimi i Shqipërisë edhe pse emri i tij ka tash e 15 vjet që është në faqet më të njohura në Internet. Një art i promovuar nga politika është i destinuar të dështojë me kalimin e viteve.
Por veprat e artit, qoftë edhe “Lulelakra e Trustit” e posa ekspozuar në Zvicër nuk i prishin asnjë punë shqiptarëve. Edhe pse mund të fyejnë me dhjetra artistë shqiptarë të talentuar, që jetojnë në Shqipëri dhe në botë, të cilët nuk mund të ekspozojnë në galeri me emër. Por për këtë përgjegjësia bie mbi galeritë dhe jo mbi piktorin Rama.
Ai ka arritur të krijojë “Trustin “ e tij, që është Partia Socialiste plus Oligarkët, që e ndjekin pas dhe i kanë bërë të mundur të jetë prej 13 vitesh në krye të vendit. Ky “mishmash” është edhe më qesharak se Trusti i stigmatizuar nga Brehti tek “Arturo Ui”. Tashmë në të nuk ka as personalitete, të cilët mund të shërbejnë si personazhe për një “Arturo Ui Albania”. Janë krejtësisht pa personalitet edhe pa ngjyra. Po kujtoj vetëm Xhivolan e interpretuar mjeshtërisht nga Prokop Mima dhe që është Gëbelsi. Rama nuk ka lënë as edhe një “Gëbels” të tij me frikën se edhe një kopje e çalamanit nazist të propagandës, mund t’i rrezikojë pushtetin e tij në krye të Trustit. Pa “fytyrë“ janë edhe krerët e tjerë të PS-së, por edhe të cilësuarit si oligarkë. Edhe për të mbrojtur ngjarje nga më banalet “artisti Edi “ duhet të shfaqë fytyrën e tij nga mitingjet, tek podcastet, në studiot televizive e në të tjera vende ku publiku pret i shqetësuar për hallet e vendit.
Nuk di se si e ka titulluar skulpturën e tij të ekspozuar në Bazel piktori që është “kryeminstri më i mirë mes piktorëve dhe piktori më i mirë mes kryeministrave”. Me siguri diçka tepër të sofistifikuar, për të shpresuar se titulli do jetë më intrigues se vetë vepra. Deri tani ka treguar mjeshtëri për të krijuar fasada të rrema me të cilat ka mashtruar më shumë ata që duan të mashtrohen se sa njerëzit që duan të kuptojnë diçka.
Ndoshta skulptura në fjalë do jetë vepra e tij e fundit si kryeministër dhe më pas do ketë mundësi të jetë piktor-skulptor-arkitekt me normë të plotë. Nuk uroj që artin e tij ta zhvillojë brenda ndonjë qelie (tani nuk ka të ftohta se për VIP-at në Shqipëri krijohen edhe kushte hoteli luksoz), por kjo nuk varet nga dëshira ime ose as nga ajo e protestuesve. Eshtë Drejtësia që vendos.
Vetë jam një admirues i thjeshtë arti, që nuk i kanë lënë ndonjëherë përshtypje pikturat apo vizatimet e Ramës dhe që e kanë tmerruar ndërhyrjet e tij në arkitekturë.
Paç fat në karrierën artistike Edi Rama në vitet që do vijnë!

No comments:
Post a Comment