Wednesday, 10 June 2026

Kush e shet shpirtin lehtë?


Vite më parë, kam hedhur në këtë blog, një shkrim rreth vjershëtarëve dhe bejtexhinjve, që thurrin vjersha për politikanët. Nuk është një dukuri e re dhe as vetëm shqiptare. Eshtë bërë edhe në vendet e lira gjatë shekullit të kaluar, por është thuajse në zhdukje. Shoqëritë perëndimore e përçmojnë.

Tek ne ka ndodhur që në kohët e sulltanëve otomanë dhe ka vazhduar më tej në kohën e Zogut me vjersha për të, në kohën e Enver Hoxhës me më shumë zell dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, jo vetëm për Ramën dhe Berishën, por edhe për Erdoganin, për ndonjë biznesmen edhe për ndonjë funksionar vendor me emër. Ka plot poetë popullorë, që e kanë zanat thurrjen e bejteve për VIP-at dhe shpesh përdorin të njëjtat fjalë dhe figura, por ndryshojnë vetëm emrat.

Me sa kujtoj (më duhet kohë ta gjej shkrimin se nuk di me saktësi as titullin dhe as datën e përafërt) shkrimi fliste pak për dukurinë në përgjithësi dhe sillej më shumë rreth dy tre vjershëtorëve të Korçës, që i bënin “fresk” Niko Peleshit dhe sukseseve të Rilindasve socialistë në qytetin e kalldrëmeve. Për një vjershë (me sa kujtoj pata lexuar disa strofa të saj dhe jo të plotë) pata një ndjesi edhe më të keqe sepse ishte shkruar nga një i njohur, që nuk njihej për përfshirje në politikë dhe me sa dija shkruante përgjithësisht lirika bajate. Edhe pse nuk kisha lexuar shumë vjersha të tij (diku kam shkruar që lexoj shumë pak poezi dhe thuajse aspak poezi shqip) kisha një ide të natyrës së tij që ishte larg patriotizmit dhe politikës.

Por njerëzit gabojnë dhe kështu mund të gabojnë edhe vjershëtorët. Disa janë më këmbëngulës në “shërbimet” që i ofrojnë politikës dhe këtu nuk aludoj për Kadarenë apo Agollin, se në atë kohë ose do shkruaje ashtu ose duhet të hiqje dorë nga letërsia, por për ata që shkruajnë sot, ku nuk rrezikon të shkosh në burg nëse shkruan vetëm për dashurinë. Një prej tyre (i larguar nga jeta, por dhe në të gjallë kurrë nuk e kam përmendur me emër) e vuri me disa krijime rradhazi, penën në shërbim të PS-së, sa kujtoj që një mikja ime që kishte lexuar disa poezi të mira prej tij, u habit kur lexoi disa nga këto “rregjimshërbyeset”.

Por për tu rikthyer në titulli i shkrimit, që lidhet me “shitjen e shpirtit” në këtë rast e një ose disa vjershëtorëve, më duhet të shtoj se pikpyetja është e thellë. Ka të bëjë me dobësi të mëdha të karakterit të atij që e bën këtë lloj krijimtarije. Nuk di se si ta krahasoj me një profesion tjetër. Nuk më shkon në mendje me diçka që mund të bëj mjeku, mësuesi, arkitekti, polici, kuzhinieri duke shkelur mbi etikën e profesionit, thjesht për të kënaqur egon e personazhit VIP.

Kur vjersha për “gjurmët që linte në histori” funksionari i rëndësishëm vendor, ishte vendosur në Facebook, unë nuk isha më në atë platformë. Pra duhet të ketë qënë pas gushtit 2014, kur kam mbyllur llogarinë atje ose e kam bërë joaktive. Duhet të ketë qënë dikush nga Korça që ma ka dërguar të plotë ose pjesë të saj. Më solli rropullitë në fyt dhe u indinjova. Më vonë mësova se autori ishte justifikuar se e kishte bërë pas një nderi personal që i pat bërë funksionari vendor.

Por po ritheksoj se njerëzit gabojnë. Dhe jo domosdoshmërisht një gabim i kësaj natyre dëshmon deformime të mëdha në karakter.

Por ndodhi që unë e përmenda publikisht (edhe pse rrethi nuk ishte shumë i madh) dhe për këtë u akuzova rëndë dhe mu kërkua që të paraqisja si provë vjershën në fjalë në rast se nuk doja të damkosesha si gënjeshtar dhe thashathemaxhi paranoiak.

Problemi qëndron se unë nuk e kam vjershën. Dhe për këtë avokati im mund të thotë që jam përpara jo vetëm një demaskimi publik, por edhe para një padije të mundshme për shpifje dhe defamacion. (Që tani po më hyjnë të dridhurat se nga që nuk kam para shumë nuk bëj dot as marëveshje jashtëgjyqësore.)

E vetmja provë është, që unë dikur, pas fundit të vitit 2014, në këtë blog kam hedhur një shënim që fliste për këtë gjë. Kjo ndoshta nuk më lehtëson nga ana ligjore, por bën që të më hiqet damka gënjeshtar. Sepse blogu ka qënë gjithnjë i hapur për publikun; edhe pse për arsye etike nuk është përmendur emri i vjershëtorit, aludimi ka qënë i qartë dhe ka mundësi që emri i funksionarit të jetë përmendur.

Kjo të paktën më le vetëm në pozitën e një thashethemexhiu të gënjyer, se nuk është kaq e lehtë që në një vit të caktuar, të bësh një shkrim të rremë, për një vjershëtor që ka thurrur vargje për një VIP, me planin që këtë t’ja bësh publike në sytë e disa të njohurve pas 10 vjetësh, për të kënaqur egon e sëmurë.

Ndoshta ka pasur edhe një lëndim timin personal nga ajo bejte dhe mbase ka të bëjë me egon, të cilën edhe mund ta kem të sëmurë.

Në kohën kur ishte hedhur në rrjetet sociale “vjersha lavdithurrëse”, unë kisha shkruar disa artikuj rrjesht kundër të njëjtit VIP. Disa ishin botuar në gazetat shqiptare dhe disa të tjerë ishin hedhur nga lexues të mij në rrjetet sociale. Ndoshta në subkoshiencën time të mbushur me paranoia, kjo mund të jetë “’rregjistruar” si sfidë.

Ose në rastin më fatkeq për mua, egoja e sëmurë e dikujt që shkruan vargje “part-time” ka ndjerë se sa prapa është cilësisë së vargjeve të vjershëtorit dhe në një nga makthet e mija të pavullnetshme ka thurrur vjershën që vjershëtori në fjalë nuk e ka shkruar. Dhe diçka të parë në ëndërr unë nuk mund ta sjell si provë në asnjë gjyq, qoftë zyrtar e qoftë shoqëror.

Por është më mirë të ketë ndodhur kështu, se sa të jetë e vërtetë bejtja, autori dhe gjithshka që lidhet me një karakter tepër të dyshimtë të tij.

No comments:

Post a Comment