Pata një debat të pafrytshëm dje me një mik të mirë, i cili më vuri para faktit, se të ardhurat mesatare vjetore në Shqipëri janë rritur nga 400 në vit në 12 mijë (dollarë amerikanë apo euro nuk ka shumë rëndësi dhe në dobi të argumentit të tij, unë po i quaj euro.) Unë, si gjithnjë, u tregova dyshues për këto shifra, se nuk besoj në Institutin e Statistikave të Shqipërisë, por ai më siguroi se ishin të dhëna të marra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Google më dha 850$ - 1000$ në muaj (rrogë mesatare), që shkon të themi rreth 10 mijë euro me kursin e sotëm. Nuk është shumë larg shifrës që më tha miku im. Më pas kontrollova të dhënat e një organizate të OKB (UNECE), e cila nuk kishte të dhëna deri më 1997, por më 1998 jepte shifrën 90$/muaj , që shkon në 1 mijë në vit. Po atje e mesatarja e vitit 2013 (kur PS erdhi në fuqi) ishte 428$ në muaj, që tregon një rritje dyfish të rrogës mesatare në 12 vitet e fundit, po qe se i marrim të dhënat e Google dhe UNECE të mirëqëna.
Ndaj nuk ka asnjë rritje prej 30 herë, sikundër e paraqiti miku im, ndonëse nuk jam i sigurt se për cilin vit e kishte 400$ vjetor.
Unë po pranoj që një dyfishim i rrogës në 12 vjet është vërtet i konsiderueshëm edhe pse më mungojnë të dhënat (nuk kam as durim t’i kërkoj) për rritjen e kostos së jetesës. Por them se duhet të jenë rritje të ngjashme, sepse çmimet kanë shkuar në qiell (në gjithë botën) dhe shqiptarët largoheshin më 2013, po njëlloj si largohen sot.
Ndaj të mbrosh modelin ekonomik të Ramës (unë nuk e di nëse ka ai ndonjë model) mendoj se është spekulim. Gjithashtu grafiku i rritjes së pagës vjetore nuk mund të krahasohet me ato të fqinjëve, se asnjë vend nuk ka pasur më 1998 rrogë mesatare vjetore 1000 dollarë në vit.
Por për kureshtje kërkova po të njëjtit vite për Bosnjën dhe shifrat përkatëse ishin si më poshtë:
1998 – 3100 ; 2013 – 10,500 ; 2024 – 14, 200$
Le të pranojmë se ndërsa rritja e rrogës mesatare në Bosnjë në 12 vjet është më pak se 40%, tek ne ajo është 100%. Përgëzime Ramës për këtë edhe pse nuk di sa janë qeratë, çmimet e benzinës dhe të ushqimeve në Bosnjë. Sepse ende një boshnjak paguhet më shumë se një shqiptar.
Por le t’i lemë ballkanasit e tjerë (edhe pse njerëzit në Shqipëri nuk i lenë dot, se shkojnë të blenë ushqime dhe benzinë në Greqi dhe Maqedoni) dhe le të hamendësojmë nëse modeli qeverisës i Ramës është ku e ku më i mirë se i paraardhësve të tij Nano, Meta dhe Berisha. Por rroga medatare vjetore në 14 vitet e tyre u rrit me 450% ndaj të thuash se PS-ja e sotme e ndryshoi në mënyrë të dukshme për mirë kët është marrëzi.
E megjithatë, për të qënë të drejtë me Ramën le të pranojmë se grafiku i rritjes së pagës vjetore nuk mund të rruajë të njëjtën “pjerrësi ngjitjeje”. Sepse nëse ishte ruajtur 4 fishimi, do kishim sot rroga mesatare vjetore prej 22 mijë dollarësh. Në çdo lloj ekonomie, kjo pjerrësi, shumë vite pas ndryshimeve rrënjësore ekonomike, ka tendencën të shkojë gjithnjë e më shumë drejt një rritje normale vetëm për efekt inflacioni.
Edhe pse nuk dua të dal në një përfundim të nxituar, pas disa shifrave që kontrollova dhe me atë çka e njoh ekonominë shqiptare, unë them se nën PS-në e Ramës, shtetasi mesatar shqiptar është bër më i varfër. Ndonëse në dallim nga qeveritë e të dy krahëve para “piktorit Edvin”, trafiku i drogës dhe paratë që hynin në Shqipëri prej tij nuk ishin sa janë sot.
Por kjo është thika me dy presa, kur lejon që një pjesë e madhe e ekonomisë shqiptare të jetë e varur nga paratë, që hyjnë nga droga dhe trafiqet e tjera të paligjshme. Edhe pse në dukje ato e venë në lëvizje ekonominë, në të vërtetë ato e paralizojnë. Shkojnë kryesisht në ndërtime, në pasuri të patundshme dhe në turizëm apo lojra fati, sepse atje mund të pastrohen më lehtë. Nuk di asnjë trafikant të madh në botë, që ka hapur uzina për ndërtimin e makinave apo të kompjuterave.
Ky fluks parash vërtet që ndihmon buxhetin e shtetit, sepse rrit të ardhurat nga lejet e ndërtimit apo taksat ndaj turizmit, por reflektohet pak në ekonominë reale. Buxheti i rritur ndihmon Ramën të rritë administratën, në mënyrë që të ketë vota të garantuara dhe të shtojë mundësinë e ndërtimit të rrugëve dhe tuneleve që kushtojnë dyfishi i atyre që ndërtohen në Europë. Kryesisht ndihmon rritjen e konsumit të mallrave të importuara. Asgjë më tepër.
Ka një paradoks në logjikën e mikut tim. Ai pranon që korrupsioni është rritur, por gjithashtu këmbëngul, që jetesa në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm.
Me një aritmetikë të thjeshtë, këto dy gjëra nuk kanë se si të jenë njëkohësisht të vërteta.
Dhe shumica e atyre që jetojnë në Shqipëri e ndjejnë në lëkurën e tyre këtë.
No comments:
Post a Comment