Saturday, 6 June 2026

Nga fjalimet tek vizioni për Shqipërinë e re


Flamingot nuk po e përdorin si duhet kohën që kanë në dispozicion dhe që nuk është e pafund.

Dua të përmend një ngjarje të kohës së Parlamentit Shqiptar, kur Zogu ishte kryeministër dhe Noli, Gurakuqi dhe të tjerë ishin deputetë të opozitës.

Një sekretar i Ahmet Zogollit, të cilin ai e dërgonte për të ndjekur punimet e Parlamentit, kur shkonte për të raportuar në zyrën e Kryeministrit, plot mbresa nga fjalimet e folësve në sallën e përfaqësuesve të popullit, i lexonte Zogut nga blloku i shënimeve se ç’kishte thënë Noli. Zogu, një politikan m përvojë e ndërpriste duke i thënë: “Mor leri këto fjalët e Nolit, se ai është poet, po më thuaj shpejt se ç’tha Luigj Gurakuqi.” Me të drejtë Bajraktari i Burgajetiti i trembej vizionit të qartë politk dhe shtetëror të shkodranit të mënçur dhe të mirëshkolluar.

E përmenda këtë për të thënë se krahas fjalimeve spontane të njerëzve të thjeshtë, që shpesh emocionojnë turmën e dëgjuesve, Flamingot duhet të nxjerrin menjëherë ata njerëz të mënçur, që mund të jenë udhëheqësit e Shqipërisë së re.

Dhe më kryesorja, ata të rinj apo mesoburra e mesogra, që do i dalin për zot vendit duhet të shpalosin se cili është vizioni i tyre për Shqipërinë e Re. Këtë po presin të dëgjojnë përfaëqsuesit e ambasadave të vendeve më të rëndësishme. Ende kjo nuk del nga parrullat dhe nga fjalët ndonjëherë kontradiktore të folësve, të cilët jo vetëm që mund të kenë shikime të ndryshme për të ardhmen e Shqipërisë, por ndonjëherë edhe ngatërrojnë se cili është qëllimi i sotëm i revolucionit Flamingo.

Për mendimin tim theksi duhet të vihet fort tek Keqqeverisja, Korrupsioni dhe Arroganca e Pushtetit.

Udhëheqësit e ardhshëm të politikë shqiptare duhet të shmangin disa retorika, të cilat janë të pranishme në protestë dhe mund të trembin europianët dhe amerikanët.

  • Retorikën tepër nacionaliste, e cila shoqërohet edhe me Harta të Shqipërisë etnike. Eshtë e rrezikshme, e papranueshme për Europën, krijon idenë se lëvizja ka një karakter të theksuar nacionalist.

  • Retorikën antihebre dhe antiIzrael. Eshtë raciste në vetvete, por dhe shumë budallaqe, sepse Shqipërisë nuk i vjen asnjë rrezik nga Izraeli apo nga çifutizimi, si po shprehen hapur disa folës dhe shumë idiotë të njohur si Alfred Cako dhe avokati Goxhaj.

  • Retorikën antikapitaliste, që në ndonjë rast, veç njerëzve të thjeshtë, e përdor edhe Arlind Qori.

  • Retorikën kundër investimeve të huaja, fshehur pas idesë se çdo gjë duhet të jetë për shqiptarët dhe vetëm për shqiptarët. Nuk hyet në Europën e Bashkuar me këtë lloj vizioni.

  • Retorikën kundër Ivankas dhe burrit të saj. Nuk është faji i çiftit që thurri ëndërrën për të fituar lehtësisht në bregdetin e Adriatikut, apo për të pasur Sazanin si ishull privat. Atyre ju është sugjeruar kjo nga tanët (Rama) dhe ju është bërë “shesh dhe det me lule”. Askush nuk i refuzon fitimet e lehta.

Mund të ketë edhe fjalime të tjera, që shprehin ksenofobi ose dhe racizëm, por unë nuk kam durim të ndjek fjalimet e panumurta që mbahen para Kryeministrisë.

Shqipëria nuk ka asnjë problem që i shkaktohet nga të huajt. Nuk ka pasur dhe as nuk ka skenare, që hartohen në disa Zyra që na i duan të mirën apo të keqen. Të mirën dhe të keqen i kemi bërë vetë, që kur e formuam shtetin shqiptar dhe nuk na i ka bërë as amerikani, as turku, as anglezi, as rusi, as kinezi, as greku, as sërbi, as italiani dhe as gjermani.

I kemi bërë vetë gjërat e mira, ashtu sikundër kemi bërë të këqijat që kanë qënë më të shumta.

Ndaj Flamingot nuk duhet të bien pre e fjalëve marroke për armiqtë e jashtëm. I kanë përdorur boll Enveri, Saliu dhe po i përdor edhe Rama.

“Zogjtë elegantë rozë“, që janë mjaft ndërkombëtarë duhet të shpalosin vizionin e tyre të qartë për një Shqipëri të Re pro europiane dhe pro amerikane, në luftë kundër korrupsionit, në mbështetjen pa kushte të tregut të lirë dhe në hapjen ndaj të gjithë kombeve dhe shteteve, që kanë vizion dhe praktika shtetërore të ngjashme me tonat.

Vetëm atëhere do kenë mbështetje të plotë nga Europa dhe që është një mbështetje e domosdoshme për çdo Lëvizje politike të një vendi të vogël.

No comments:

Post a Comment