Monday, 1 June 2026

Një histeri frike kolektive nga hebrejtë


Unë nuk dija se në Shqipëri qarkullonte një teori se gjoja qeveritë shqiptare dhe veçanërisht kjo e Ramës, po sundojnë keq, që të rinjtë të ikin vazhdimisht nga Shqipëria, dhe kjo “tokë e bekuar” të mbetet bosh për tu populluar nga hebrejtë që duan të ikin nga Lindja e Mesme. E dëgjova në prill të këtij viti dhe e konsiderova si marrëzi nga ato konspirativet, që qarkollojnë në çdo vend mes gjysëm të kënduarve dhe të pakënduarve. Në atë kohë posa kisha hedhur në blog një shkrim të titulluar “A ka pasur Sinagogë në Shqipëri”, për t’ju kundërvënë një propagande të tepruar se ne kemi qënë veçanërisht dashamirës ndaj hebrejve dhe i kemi ndihmuar për t’i shpëtuar ndjekjes nga nazistët. Doja të theksoja se për disa arsye ne nuk kemi pasur komunitete çifute, përveç disa ngulimeve të vogla në qytetet- porte të Vlorës dhe Durrësit.

Bindja ime ka qënë dhe është se ne nuk kemi qënë as antisemitë dhe as prosemitë, sepse kemi pasur shumë pak përvojë në marëdhëniet me ta. Ekzistonin stereotipet e njohura “çifutët janë kopracë“ dhe ndonjë tjetër që “shitën Krishtin”, por asgjë më tepër. Zyrtarisht në kohën e shtetit shqiptar vazhdonte qëndrimi tolerant, i ngjashëm me qëndrimin që kishte pasur Perandoria Osmane ndaj tyre. Qëndrimi i shtetit komunist të pasluftës ishte “antinazist” përsa i përket Holokaustit dhe “antiIzrael” për shkak të politkës proamerikane të shtetit hebre. Madje nuk kishim as marëdhënie diplomatike me ta dhe nuk luanim as në veprimtaritë sportive me ekipet kombëtare apo dhe të klubeve të Izraelit.

Hapja e vendit tonë dhe qëndrimi dashamirës i shtetit të Izraelit për shkak të ndihmës që kishin dhënë familjet shqiptare për hebrejtë e përndjekur në Ballkan, i bëri marëdhëniet e ngrohta deri sa në ditët e sotme kanë arritur në një servilizëm të papranueshëm të Ramës ndaj Netanjahut dhe të heshtjes së qeverisë shqiptare ndaj genocidit në Gaza.

Por ne shqiptarët nuk jemi as antisemitë dhe as prohebrej, sikundër edhe në shumë çështje nuk jemi “ as mish as peshk”.

Kjo mendësi e papërcaktuar dhe konfuze bën që të biem pre e çdo lloj gënjeshtre propagandistike. Sa ndjehemi si “heronj antinazistë“ aq kthehemi edhe në “të trembur për rrezikun izrailit”.

Nuk di se kush e ka nisur këtë marrëzi, që po kthehet gjithnjë e më shumë në një lloj histerie, ku shqiptarët nuk ngrihen për të dënuar genocidin ndaj palestinezëve, por i tremben “planit të hershëm për kolonizimin e Shqipërisë nga çifutët”.

Në Internet po qarkullon edhe një shkresë e një konsulli shqiptar në Vienë në vitin 1935, që bën fjalë për një plan të qeverisë gjermane(të Hitlerit) që të lejoheshin 1000 hebrej të Gjermanisë të shknin në Shqipëri dhe për këtë t’ju lejohej edhe marrja e një pjese të pasurisë së tyre. Konsulli (që duhet të ketë qënë një zok gomari) i raportonte Ministrisë së Jashtme dhe sugjeronte që ky plan nuk duhet të lejohej të vihej në jetë se çifutët kudo kanë sjellë degjenerim dhe dobësim të vendit ku jetojnë. Dhe kjo paraqitet si fakt, se plani i kolonizimit të Shqipërisë nga hebrejtë është shumë i hershëm dhe po realizohet sot nga Edi Rama.

Unë nuk di se përse ai plan i Qeverisë Gjermane i asaj kohe nuk u realizua. Nuk ka asnjë dëshmi se ka ndonjë shkresë tjetër apo qëndrim të autoriteteve të tjera shqiptare për këtë punë, por mendoj se vetë hebrejtë nuk kanë qënë të interesuar. Personalisht e gjykoj si për Fatin e Keq të Shqipërisë. Kishim ç’të mësonim shumë nga kolonët gjermanë, që ishin të fesë hebre. E patën këtë fat Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjithë ata gjermanë të mënçur dhe të arsimuar mirë, u detyruan të kalonin Atlantikun për shkak të marrëzisë keqdashëse të Adolf Hitlerit.

Shkresa në fjalë nuk dëshmon për asnjë plan Zionist. Eshtë mes përpjekjeve për të zgjidhur një problem të sajuar të Gjermanisë dhe për t’ju grabitur pasuritë shumë gjermanëve me origjinë dhe fe çifute. Histeria antisemite e periudhës mes dy luftërave botërore dhe e gjallëruar së tepërmi nga nazi-fashistët ishte e pranishme në shumë vende europiane. Në vitin 1939, Rumania po bënte përpjekje të dëbonte qindra mijëra hebrej, që ishin të shumtë në Moldavi dhe në pjesë të tjera të Rumanisë. Edhe rumunët po përpiqeshin t’ju sekuestronin pasuritë.

Ne, që nuk ka se si të jemi as më të mirë dhe as më të këqij se të tjerët, nuk kishim se kë të dëbonim. Por edhe kur bëhej fjalë për të pranuar “kolonë të pasur”, kishim nga këta idiotë nëpunës, që paralajmëronin rrezikun imagjinar të hebrejve, sikundër e paralajmërojnë sot të tjerë idiotë.

Ka shumë arsye që antisemitizmi është i përhapur në Europë dhe në shumë vende të tjera. Për fat të mirë dhe për arsyen që përmenda më sipër ne nuk kemi qënë të tillë, por rrezikojmë të kthehemi në masë. Posa një propagandë e sajuar i paraqet të rrezikshëm për të ardhmen tonë. Shqmbulli i Gjermanisë dhe i “Natës së Kristaleve” është një shembull i qartë se si një popull i arsimuar u ngrit me urrejtje ndaj një pjese të pasur dhe të arsimuar që fliste të njëjtën gjuhë dhe kishte të njëjtën shtetësi.

Shqiptarë, mos ju besoni idiotësive se do jemi të parët që do i vuajmë në shpinë!

No comments:

Post a Comment