Friday, 12 June 2026

Pse nuk duhet kërkuar bashkimi i 5 vilajeteve shqiptare? (fund)


(vijim)

Le ta marrim të mirëqënë këtë tezë të vjetër dhe të formuluar qartë nga Kadareja. Kjo injoron jo vetëm situatën historike të kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe më vonë, kohë kur Lëvizja kombëtare ishte e fortë, por në periudha të caktuara kishte edhe mbështetjen e Portës së Lartë. Atëher ka qënë koha kur mund të formohej një shtet shqiptar i madh në aleancë ose edhe brenda Perandorisë dhe më tej, kur ajo të shkërmoqej, ne të kishim mundësi të mbronim ato kufij të gjërë.

Por Kongresi i Berlinit dhe Fuqitë e Mëdha nuk e lejuan dhe ishin të prerë që nuk mund të lejohej. Më tej, në Traktatin e Shën Stefanit, gjërat u bënë edhe më të këqija për çështjen shqiptare dhe fati i jonë ishin Luftrat Ballkanike dhe qëndrimi ynë i qartë kundër otomanëve që solli edhe pranimin e Shqipërisë si shtet me kufijtë e caktuar në vitin 1913.

Shqipëria me kufijtë e vitit 1913, që është edhe e sotmja, vërtet ishte rrjedhojë e përpjekjeve luftarake dhe diplomatike të shqiptarëve, por edhe rrjedhojë e disa rrethanave gjeopolitike të favorshme.

Këtë gjë ne shqiptarët nuk duhet ta harrojmë se është e domosdoshme për Mbijetesën tonë si Komb. “Përrallat” e tjera, që “padrejtësisht u la jashtë Kosova”, apo ato se “traktati fshehtë i Londrës që u denoncua nga Lenini ishte bërë për të zvogëluar Shqipërinë“, që fryhej nga komunistët, nuk na kanë bërë asnjë të mirë, se vetëm kanë mbjellë në kokët tona fara të disa të “të vërtetave”, që janë më të komplikuara. Dhe “të vërtetat” e pakthjelluara mirë, vetëm se ngjallin artificialisht ndjenjën e drejtësisë që është tek njerëzit që revoltohen me Padrejtësitë që ju janë bërë.

Ne ende nuk kemi institute me njerëz të specializuar, që të përcaktojnë se cila duhet të jetë një strategji shqiptare afatgjatë. Në raste kur ka të tillë, ata duhet të dinë mirë se si është e gjithë historia e formimit të shteteve ballkanike, se cilat janë mbështetjet dhe interesat e Fuqive të Mëdha dhe cilët janë variantet e mundshme të së ardhmes europiane. Këto përcaktojnë synimet afatgjata të shtetit shqiptar, të cilat janë reale dhe jo të frymëzuara nga ide folklorike. Sigurisht në to parashikohen skenare të një dobie maksimale dhe të një minimale, në varësi të zhvillimeve në Europë.

Në rast se Bashkimi Europian do funksionojë më mirë se sot dhe Shqipëria dhe Kosova do bëhen anëtare brenda vitit 2035, atëhere edhe problemi i trojeve të banuara nga shqiptarët do jetë më i lehtë dhe më pak konfliktual. Llogjikisht në BE do kenë hyrë edhe Maqedonia, Sërbia dhe Mali i Zi.

Nëse Bashkimi Europian do jetë në gjendjen e sotme, ose mund të ketë edhe largime të tjera si ai i Anglisë, atëhere situata në Ballkan bëhet më delikate dhe çështja shqiptare shumë më e vështirë të arrijë një zgjidhje optimale për interesat e shqiptarëve. Përsëri tundja me forcë e flamujve të Shqipërisë Etnike do jetë e rrezikshme. Veprimet e shkallëzuara bashkë me veprime të ngjashme të Bullgarisë, Sërbisë dhe Greqisë mund të sjellin zhdukjen e Maqedonisë së Veriut dhe nuk dihet nëse amerikanët dhe gjermanët do e lejojnë këtë. Rusët mund të jenë më neutralë, se favorizohen dy shtete të tjera sllave, aleate tradicionale, si dhe Greqia, nëse ata ende kanë planet e tyre për të krijuar një Aleancë të Madhe Ortodokse për të mbizotëruar si forcë ekonomiko-ushtarake në Europë. Nuk dihet se si mund të reagojë Franca, e cila që tani ka dhënë disa shënja jo të mira në mbështetje të Greqisë dhe të Quipros, që nuk duken se janë në kuadrin e NATO-s apo të Bashkimit Europian.

Ndaj mendimi jonë politik dhe ushtarak duhet të jetë i përgatitur edhe për një situatë të mundshme të “shthurrjes” së NATO-s, e cila edhe pse tani mund të duket si e pamundur nuk duhet përjashtuar nga skenaret botërore të ardhme. Nëse pas 8-10 vjetësh, përfaqësues “të egër” të MAGA-s kthehen në Shtëpinë e Bardhë, ka të ngjarë të ndodhë. Në një botë, ku të gjithë kanë filluar të mendojnë edhe më shumë për veten, nuk është e pamundur prishja e disa aleancave dhe krijimi i disa të tjerave.

Nëse diçka e tillë ndodh, situata e Shqipërisë bëhet edhe më e vështirë dhe “shqiptaromëdhenjtë“ vetëm do na fusin në bela të mëdha me tezat e tyre të Shqipërisë Etnike dhe të “vënies në vend të së drejtës shqiptare në trojet e tyre”. Pastaj duhet t’i kemi sytë nga Turqia, se nuk shoh ndonjë aleat veçanërisht të fortë ushtarakisht që mund të jetë në përkrahje të “luftës” sonë. Ndoshta pastaj duhet t’ju bëjmë thirrje “dumbabistëve” dhe të rikrijojmë mitin e Haxhi Qamilit.

Unë uroj që të ketë një rikthim në periudhën e viteve ‘90 të shekullit të kaluar në botë, që mbizotërohej nga fryma e Paqes dhe Bashkëpunimit. Por vetëm me urim nuk mund të jetohet dhe shpresohet. Ne duhet të jemi përgatitur “mendërisht” për çdo skenar të mundshëm të lëvizjeve “tektonike” në këtë botë të trazuar. Dhe mbi të gjitha të dëshmojmë se jemi një faktor Paqeje dhe Sigurije dhe se nuk duam ndryshim të kufijve. Edhe nëse ato do jenë të arsyeshme, i duam në kuadrin e qënies pjesë të një Bashkimi Europian të madh, ku nuk do ketë më kufij rigjidë mes popujve dhe vendeve,

Ndaj le ta lemë mënjanë “Shqipërinë Etnike”!


No comments:

Post a Comment