Wednesday, 24 June 2026

“Contro di tutti”


Këtë togfjalësh në italisht përdor një miku im, kur më ngacmon për karakterin “luftarak” të shumë shkrimeve të mija në blog. Kjo i shtohet pyetjes ngacmuese të një miku tjetër, që herë herë më pyet: “Kë do demaskosh sot?” Këto i mbivendosen ndjenjë së pasigurisë, që kam kur filloj një shkrim kritik ndaj dikujt me emër. Nuk kam ndonjë kënaqësi të shkruaj keq për dikë, kur e di se do e lexojnë shumë vetë dhe ndoshta edhe vetë ai, emrin e të cilit e kam si objektiv kryesor apo anësor në shkrim. Ndjehem më mirë kur shkruaj për një të njohur, i cili më ka lënë mbresa të mira gjatë jetës dhe që e konsideroj si njeri me vlera.

Po ç’farë më shtyn të kritikoj ashpër dikë, emrin e të cilit ose të cilës e them hapur?

Janë impulset, të cilat nuk i frenoj dot? Eshtë indinjata e momentit kur dëgjoj për diçka tepër të shpifur, ndaj të cilës nuk mund të qëndroj indiferent? Janë mllefe të mbetura nga vitet, që si motive mund të kenë pasur zilinë, xhelozinë, apo diçka që personazhi e ka bërë dhe ka qënë në disfavorin tim?

Do mundohem të jem sa më kritik ndaj vetes dhe të mos e paraqis as si një “ëngjëll” i papajtueshëm me mëkatet dhe as si një “moralist” që do t’ju shesë dëngla morali të tjerëve.

Ndonjëherë mendohem dhe i them vetes se mos “kam alergji” nga të suksesshmit. Dhe kjo mund të jetë si një përzjerje e zilisë, e mosarritjeve personale, e dështimit në profesion, e të qënit të huaj në një vend ku nuk të njeh njeri etj. Dhe shkoj ndërmend personazhet të cilët kanë qënë më shpesh në sulmin e kritikave të mija gjatë 15 viteve të ekzistencës së këtij blogu.

Përgjithësisht ata mund të ndahen në katër kategori:

  • Politikanë dhe nëpunës të lartë shqiptarë të pas viteve ‘90

  • Njerëz me pushtet partiak dhe të organeve të rendit të kohës së Diktaturës

  • Miks profesionistësh të fushave të ndryshme.

  • VIP-a të arenës ndërkombëtare

Nëse është më e qartë kritika e ashpër ndaj dy kategorive të para, kjo është e kuptueshme se bëhet nga shumë njerëz që shkruajnë shqip, qoftë si njerëz të letrave dhe qoftë si njerëz që postojnë në platformat e shumta dixhitale.

Tek kategoria e tretë, ku hyjnë kritikat ndaj njerëzve të letërsisë dhe arteve, të fushës së arkitekturës, të mediave apo edhe të filozofisë ka vend për tu ndalur dhe edhe pse nuk mund t’i ze të tërë në gojë (janë aq të shumtë do më ngacmojë njëri nga miqtë e mij), do ndalem në ato emra që mund të jenë edhe më të njohur dhe më përfaqësues të një grupi apo profesioni të caktuar. Do ndalem jo për të sqaruar se përse i kam “sulmuar”, por për të kuptuar edhe vetë nëse ka pasur motive të bazuara mirë, apo krahas tyre ka pasur edhe mllefe të fshehta për arsye të mija psikologjike apo ngjarje të lidhura me të kaluarën e familjes sime.

Po e nis me fushën e arkitekturës, që është lëmi në të cilin kam shpenzuar më shumë orë të jetës sime dhe që mund të cilësohet si profesioni im i vetëm. Duke u rrekur të kujtoj se cilin arkitekt kam sulmuar gjatë 15 viteve më vjen në mendje vetëm një emër, që është arkitekti australian Pitër Uilson. Shkrimet rreth veprave të tij në Korçë janë të shumta dhe shpesh me cilësime therrëse. Ndonjëherë emri i tij është lakuar edhe në shkrime , të cilat nuk kanë lidhje me arkitekturën, sa sërish një mik më ka tërhequr vërejtje duke më thënë: “E keqja nuk është tek Uilson. Atij i janë dhënë mundësi, të cilat askush nuk mund t’i refuzojë!”

Por unë, pa patur asnjë lloj kompleksi ndaj arkitektit australian si koleg, e ve atë në rrënjët e problemeve të mëdha arkitekturore, që i ka shkaktuar qytetit tim. Gjatë jetës kam njohur shumë arkitektë, që prej më të mirëve shqiptarë dhe deri në arkitektë të mirë kanadezë, italianë, grekë, amerikanë dhe polakë. Ka njëlloj kamaraterie që të lidh me njerëzit e profesionit tënd dhe veçanërisht në një profesion me të cilin më të shumtëtë janë të dashuruar. Eshtë diçka që të afron tek qiejt sepse jo vetëm që krijon, por e sheh edhe të realizuar diçka që është pronë e të gjithëve. Nuk qëndron e mbyllur në një galeri, muze apo edhe dhomë ndenieje. Dhe ju shërben shumë njerëzve.

Arkitekti australian, nga mënyra se si ka hyrë në Shqipëri dhe si “ka luajtur më pas vallen” përfaqëson për mua të keqen dhe sharlatinizmin e profesionit të arkitektit. Nuk është i vetmi të kuptohemi, por nivelin e tij profesional dhe sidomos anët karakteriale kam arritur t’ja dalloj sepse kam ndjekur me shumë vëmendje gjithë veprimtarinë e tij që lidhet me Shqipërinë dhe veçanërisht me Korçën. E kam shkruar diku, që “sahati i tij profesional” ka mbetur në vitet ‘60, atëhere kur ka qënë student. Ndaj nuk kam për të asnjë mllef personal, por vetëm indinjatë për ato që ka projektuar dhe realizuar në Korçë dhe në Tiranë dhe në mënyrën se si i është “ngjitur” Ramës për të përfituar ca “para të lehta” në vitet e fundit të karrierës së tij. Edhe kur e konfrontova rastësisht nuk shprehu asnjë hezitim për ato që kishte projektuar keq në Korçë, por më tha se “sulmet kundër tyre kishin qënë politike”?!


(vijon)


No comments:

Post a Comment