* * *
Gjithshka e pështolli errësira
E thellë, e zezë, më e frikshme se nata
Ku sytë nuk mund të shohin asgjë që do,
As të lëkundshmen dritë të qirit, as xixën,
As flokët e verdhë që dikur zhdukeshin në të Parisit Metro.
Ishte tmerrësisht e errët dhe qullët
Që nuk të linte të kapeshe si i verbri tek muret
Që të bënte të humbisje dhe forcën e rëndesës
Që të vriste keqardhjen për çdo gjë të humbët,
Që të bënte të dridheshe nga kotësia e pendesës.
Të fshinte çdo fije ndjenje të bukur
Fëmijërisë përjetuar a dashuris të parë,
Ditën kur ajo marrëzisht më pat puthur,
Dhe kur rrugën kisha marrë drejt largësive
Pemën tonë pushtonte dhe dridhej duke qarë.
Të errësonte atë të akullt shkëlqim
Mëngjesit kur ati im kishte ikur,
Mes “Pseve” torturuese tonat dhe të tij
Kur i braktisur dhe fajtor isha ndjerë
Dhe me timen dorë çdo dritë të së ardhmes pata fikur.
Të mjegullonte ndërmjet neuroneve të mija
Atë dritë të butë mëngjesi që varej në të veriut dritare
Dhe një ndriçim të bukur buzëve ju jepte
Buzëve të së mirës nënë time
Që atë ag ishin mbyllur për fare.
E kuptova që kishte ndodhur ajo që vitesh prisja
Në ngadhënjyesen errësirë isha futur,
Nuk kisha mundur marrëzisht të mbijetoja
Të përkundja absurditetin e një universaleje dëshirë
Që të gënjen se Përjetësia është e mundur.
* * *
No comments:
Post a Comment