Dje m’u duk se kryeministri i Shqipërisë ka një shfazim të plotë. Të kujton marrëzitë e Trump, kur bënte një humor të shpifur para 10 mijë përkrahësve të MAGA-s, duke imituar një gazetar që ishte në karrige me rrota. Por Rrump nuk e kishte nga halli, por sepse është Trump.
Rama me imitimin e zgjatur të ndikuesve (influencers), të cilat bëjnë foto gjatë protestës, dëshmoi se halli po e nxjerr plotësisht nga shinat, ku duhet të jetë një njeri gjashtëdhjeteca vjeçar, e për më tepër një përfaqësues shteti.
Por sjellja e tij tejet e ç’ekuilibruar nuk nisi dje në mitingun e Elbasanit. Ka prej të martës, kur ndjeu se protesta ishte shumë e vështirë për tu shuar me “zgjuarsinë“ e tij të pakufishme dhe për më tepër, po zgjerohej dhe po komentohej në gjithë mediat botërore. Kjo shton rrezikun për të mos u injoruar nga Brukseli dhe Zyrat e tjera europiane, sepse heshtjen e Departamentit të Shtetit e dinte që e ka të garantuar.
Unë kapa një pjesë të fjalës së tij në Elbasan dhe kuptova që është në panik dhe ka nevojë të kërkojë mbështetje nga “Kazerma” e tij, sepse ndjen që problemi është shumë i madh për tu “manaxhuar” vetëm. Trajtimi me epitete fyese i protestuesve si një turmë, që nuk mund t’i tregonte atij moralin, sepse ishin një tufë me njerëz që nuk kishin bërë asgjë për Shqipërinë, ndërsa ai e gjeti në llum dhe e ngriti në piedestal, dëshmonte se nuk ka as logjikën më të vogël se si mund të trajtohet një masë njerëzish që e venë atë moralisht dhe penalisht në një nivel me Berishën. Mbeti në të njëjtën gjuhë që ka përdorur për 20 vjet kundër Berishës dhe PD-së. Në të njëjtën gjuhë me të cilën dikur Enver Hoxha stigmatizonte “regjimin anadollak të Zogut”.
Në ndryshim të madh me “mitingjet 35” të Durrësit, Korçës, Vlorës, Rama doli si një “klloun” tragjiko-komik duke kërkuar me batuta dhe krahasime shumëngjyrëshe të ngjallte entusiazmin e turmës me servilë. Por dukej se i duhej ky entusiazëm jo vetëm për t’i futur ata në një betejë, që nuk mund ta fitojnë dot, por për t’i dhënë zemër vetes. Ndoshta ende i shërbejnë të qeshurat e Klosite të disa ministrave pranë tij, që i garantojnë atë “shefo je gjigand!” Po ashtu edhe brohoritjet e disa lanxhove të rinj, që nga sjellja duket se ishin kontigjent i Suel Celës.
Me narcisizmin e tij ai po i bën akoma më shumë dëm vetes. Duke krahasuar sjelljen e tij me atë të Berishës, ndërsa përfaqësuesit e PS-së ishin në grevë urie “për të hapur kutitë“, ndryshimi është si nata me ditën. Dhe Berisha arriti ta shpinte deri në fund mandatin, kurse duket se Rama e ka shumë të vështirë dhe këtë e ndjen tani me të gjithë qënien e tij.
Revolucioni i Flamingove nuk është me një profil ideologjik. Dhe pjesëmarrësit në të nuk kanë asnjë përgjegjësi për gjendjen e Shqipërisë se nuk kanë qeverisur ndonjëherë. Ndaj asnjë krahasim me periudhën para 2013 nuk vlen për të njollosur Protestën dhe pjesëmarrësit e saj më të zjarrtë. Njollosja dhe stigmatizimi i kundërshtarëve ishte një nga cilësitë që kishte sho Enver dhe e kishte përdorur me sukses kur Udhëheqja e tij kishte pasur probleme të mëdha, si në rastin e Konferencës së Tiranës më 1956. Atë fletë të Historisë së Partisë e kanë mësuar përmendësh Rama dhe Berisha. Por këtë rradhë para tij nuk ka emra të përfolur për keqqeverisje. Ndaj dhe i duhet të përdorë emrin e Muç Nanos, që e kishte dërguar vetë ambasador në Zvicër edhe pse pa ndonjë kualifikim, si e pranonte dje vetë. Sepse “normal”, ai është “vetë Ali dhe vetë kadi” dhe mund të emërojë ministra, ambasadorë dhe presidentë pa asnjë kualifikim.
Por pikërisht se me arrogancë dëshmon se është “vetë Ali dhe vetë kadi” edhe për këtë janë ngritur njerëzit në Tiranë dhe në botë. Se nuk mund të durojnë më arrogancën e një uzurpatori të pushtetit, që jo vetëm i vjedh , por edhe ja u tund në sy përbuzjen e pakufishme të tij.
Imitimi i shpëlarë i influencereve, në skenën përballë “klakerëve” të ngazëlluar tregon se Ramën tani e tremb gjithshka. Edhe pozat që marrin “bibat” në protestë, ndonëse këto skena “rropulli përzjerëse” i ka bërë vetë me videon me me Ter Kokën kur ftonin Nasip Naçon, me gjunjëzimin para Melonit apo me selfit me VIP-a të huaj dhe vendas. Mjaft të përsëritë disa prej tyre dhe mund të gajasë gjithë PS-në e Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Librazhdit dhe të Dumresë.
Mandati i këtij “kllouni” nuk do mbyllet më 2029, sikundër e deklaron për t’i dhënë zemër vetes. Edhe nëse nuk rrëzohet nga kjo protestë, “Rama vërtet ka maru”. Ajo ç’ka pres është një deklarim i hapur i Brukselit pro Revolucionit Flamingo, për të qënë i sigurt se dhe nga ato zyra tashmë po i bëjnë të qartë:
“I dashur Edi, që deri më tash na ke knoq me barcaleta, duhet të dalësh në pension! Ke maru!”
No comments:
Post a Comment