(vijim)
Por në nxitjen dhe propagandimin e veprave të realizmit socialist dhe në ngulitjen e idesë tek masat se ne kishim një art të klasit të parë ndikonte edhe mosballafaqimi me kulturën botërore, veçanërisht pas vitit 1960, ku ndërpremë marëdhëniet me kampin socialist. Deri në atë kohë, shqiptarët mund të shihnin shfaqje të shumë gjinive artistike nga vendet e Europës Lindore. Dhe duhet përmendur, që sovjetikët kishin baletin më të mirë në botë, ansamble të muzikës popullore të jashtëzakonshëm dhe një kinematografi me nivel. Gjithshtu çekët , hungarezët, rumunët dhe të tjerët kishin nivele artistike më të mira se tonat, se ishin vende më të mëdhenj dhe kishin patur marëdhënie më të hershme me vendet e zhvilluara.
Pas vitit 1960 në Shqipëri vinte për shfaqje ndonjë trupë kineze ose ndonjë amatore europiane me lidhje me partitë marksiste leniniste. Dihet se cili ishte niveli i artit dhe kinematografisë kineze. Pas vitit 1973 thuajse u ndalën të gjithë filmat e huaj, ose dhe ndonjë francez apo italian me prirje të politikës së majtë, sakatohej nga censura. Njerëzit i kishin kontaktet me artin e huaj vetëm nëpërmjet televizionit, por me vendosjen e zhurmuesve edhe ajo u bë e vështirë. Për më tepër, masat që nuk dinin gjuhë të huaja, e kishin të vështirë të ndiqnin filmat artistikë apo shfaqjet televizive artistike në kanalet e huaja. Mbeti të shihnin gjithë ditën RTSH-në, që transmetonte të njëjtët filma dhe shfaqje teatrale, sa që shumë mësuan përmendësh. Dhe varfëria e ideve, varfëria e nivelit artistik, detyrimisht do bënte që të përcillej në shpirtrat dhe në mendjet e njerëzve.
Ndërsa brezi që kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme para vitit 1944 kishte një formim të mirë, sajë përkthimeve të shumë veprave letrare të letërsisë botërore, ose shihte në kinematë shqiptare filmat më të mirë të Hollivudit dhe studiove europiane; ndërsa brezi që kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën në vitet ‘50 mundi të lexonte përkthime shumë të mira të shkrimtarëve rusë, francezë, italianë dhe amerikanë; ndërsa brezi i fundit të viteve ‘60 dhe fillimit të viteve ‘70 mund të lexonte mjaft letërsi të huaj dhe të shihte disa filma artistike të huaj me nivel, brezat që patën fëmijërinë dhe rininë pas vitit 1973 nuk patën asnjë mundësi të lexonin dhe shihnin art të vërtetë. Duke ditur këtë mungesë, Hoxha nxiti kinostudionin “Shqipëria e Re” të prodhonte deri 14-15 filma në vit, vepra të cilat kishin edhe një kosto jo të pakët për një vend ku ekonomia po rrënohej gjithnjë dhe më shumë.
Dhe duke dashur të përmend ato që quheshin si filma nga më të mirët, ishin të gjithë jo vetëm propagandë dhe falsifikim i historisë, por dhe vegla ideore që bënin bjerrjen morale të shqiptarëve. Po shkruaj për disa prej tyre. Filmi “Përballimi”, i cili flet për një periudhë kur qytetet po mbeteshin pa bukë për shkak të politikave të këqija të shtetit komunist, i thurr lavde komunistëve që shkonin dhe ju rrëmbenin grurin fshatarëve më të kamur dhe gënjenin fshatarët më të varfër, të cilët i kishin besuar gjithnjë. Filmi “Mësonjtorja”, i bazuar mbi jetën dhe veprën e Sevasti Qiriazit, jo vetëm që deformon historinë e vërtetë të saj dhe të shkollës së vashave, por në mënyrë krejt mashtruese krijon idenë e mizorisë së turqve dhe përpjekjeve për të shtypur shkollën. Arrihet deri në krijimin e disa riteve të dervishëve që pas kalimit në ekstazë sulen për të vrarë krerët e shqiptarizmës, kur dihet që dervishët shiitë ishin pjesa më tolerante e gjithë universit otoman. Mund të vazhdohet gjatë me filma të tjerë si “Koncert në vitin 1936” apo “Nusja dhe shtetrrethimi” etj.
E njëjta gjë vlente thuajse për të gjitha shfaqjet teatrale dhe të estradës. Për vetë specifikën, më pak të deformuar ishin baleti dhe muzika orkestrale. Në këto gjini u ruajt linja e mësuar në shkollat europiane pa u ndikuar nga ato të prapambeturat kineze.
Në pikturë dhe skulpturë u orientuan krijuesit të bënin sa më shumë kompozime dhe vepra të tjera monumentale që kishin në qëndër Njeriun e Ri dhe të gjithë piktorët dhe skulptorët edhe nëse kishin apo jo prirje për kompozime apo për vepra monumentale, nxituan të përqëndrohen në to. U krijuan pafund vepra skematike, të cilat jo vetëm mbushnin ekspozitat, por edhe ju shiteshin ndërmarjeve dhe institucioneve dhe shqiptarët ishin të detyruar të ishin gjithnjë përballë punëve të artit me vlera minimale. Peisazhi dhe natyra e qetë thuajse u fshinë nga krijimtaria e artistëve.
Në foto është “Mic Sokoli’, një punë e konsideruar si ndër më të mirat e Sali Shijakut, që ishte vërtet piktor shumë i mirë. Nuk është pllakat, por kompozim në vaj, që nuk ka as psikologjinë e dikujt që jep jetën në mënyrë heroike, por duket si një valltar, që po ndjek një koreografi butaforike, për të krijuar efekt tek spektatorët. Këto ishin veprat që merrnin çmime dhe ndër më të vlerësuarat e asaj kohe. Si të tilla ato nguliteshin në mendjet në formim e sipër të fëmijëve dhe krijuan mitet e “otomanëve barbarë“, “të pasurve gjakpirës”, “priftërinjve mashtrues”, “individualistëve interesaxhinj”, “të huajve të degjeneruar”, “Europës kurvë“, “sërbëve dhe grekëve armiq të betuar” dhe plot e plot të tjera, të cilat ende reflektohen sot tek njerëz të të gjitha moshave, edhe pse fryma e Lirisë dhe e Hapjes duhet t’i kishte davaritur këto mite.
Po e mbyll duke shtuar edhe një frazë. Mes përpjekjeve për të mbrojtur ndërtesën e Teatrit Popullor, përmendej edhe tradita e shkëlqyer e këtij teatri, që në formimin e tij, që është paslufta. Duke dashur të ndaj çështjen e ndërtesës me atë të Teatrit, më duhet të theksoj, se Teatri Popullor, vetëm si Mjet i sofistikuar i Propagandës Diktatoriale duhej denoncuar me forcë, duke përmendur jo vetëm shfaqjet më në shërbim të Diktaturës, por edhe një pjesë të aktorëve, që jo vetëm kishin qënë anëtarë partie, por kishin mbetur thuajse enveristë edhe pas rënies të shtatores.
Për trashëgiminë tonë në Art dhe letërsi të viteve të Diktaturës, ka ardhur koha të themi të vërtetat dhe të ndalim lavdet!
No comments:
Post a Comment