Friday, 26 June 2026

Po më m.. nga të tërë janë arkitektët!


Më qeshej me tekstin e një kënge të Celentanos të titulluar, nëse nuk gaboj, “La situazione non e buona” (Situata nuk është e mirë). Ishte një tekst revolte për gjendjen jo të mirë në Itali dhe në botë, kryesisht për shkatërrimin që i bëjmë mjedisit. Edhe pse më dukej disi naiv, më vinte të gajasesha kur më prekte edhe mua dhe kolegët e mij me fjalët “Ma la piu grande sciagura sono gli architetti”, të cilën unë e përkthej disi në mënyrë vulgare si titulli i këtij shkrimi.

Adriano ka qënë i preokupuar me ndryshimet në mjedis qysh në rininë e tij. E ka shpalosur në mesin e viteve ‘60 me këngën e tij të njohur “Il ragazzo di via Gluck”, e cila ka dhe elementë autobiografikë të fëmijërisë së tij. Atë kohë këndonte kundër “betonizimit” të Milanos, ndërsa tek “La situazione” për të gjithë globin, ku hyn edhe Tirana edhe Vlora edhe Durrësi jonë.

Sigurisht që nuk kam bërë veten dhe kolegët e mij fajtorë për gjendjen e përgjithshme në botë të shkatërrimeve mjedisore. Arkitektët as janë në gjendje të ndërmarrin nisma “shkatërruese” dhe as përcaktojnë politikat ndërtimore në një vend. Përgjithësisht, ata më “fajtorët” prej tyre janë vegla të qeverisë apo të korporatave, dy pushtete këto që kanë në dorë vendimmarrjen. Tek ne është edhe një pushtet i tretë, që është “krimi i organizuar”. Po aq sa dy të parëve, “mafiozëve shqiptarë“ nuk ju bëhet vonë se mund të ndodhin katastrofa mjedisore. Ashtu sikundër nuk ju bëhet vonë se droga vret mijëra e mijëra njerëz.

Por pushteti qeveritar, korporatat dhe krimi i organizuar janë në gjendje të “blejnë“ arkitektët, të cilët edhe pse nuk janë shkaktarë të “sëmundjes” kanë për detyrë të mbrojnë Mjedisin. Ndonëse nuk ka një betim si ai i Hipokratit tek Fakultetet e Mjekësisë, ka një “betim” të paformuluar, që arkitektët, që kanë në dorë të projektojnë transformime të hapësirës, të parën gjë që shohin duhet të jetë se a cënohet Mjedisi, që është drejtpërdrejt i lidhur me cilësinë e jetës të qënieve të gjalla dhe në rradhë të parë të “homo sapiens”.

Veç kur sheh projektet e realizuara, sheh se sa pak i mbajnë mbajtur “Betimit”. Dhe ata më të shkolluarit dhe me më përvojë, si studiot arkitekturore europiane, arrijnë deri sa të shkruajnë esse dhe letra që ngrenë në qiell një “Piktor autokrat” si Edi Rama, që ka bërë shumë për shkatërrimin e qyteteve shqiptare dhe bregdetit të saj.

Arrihet deri aty sa një studio arkitektësh holandezë (nuk po përmend as emrin se më vjen ndoht) i shkruajnë që si “patron i arkitekturës” Edi Rama duhet të mos bëjë as zgjedhje në Shqipëri por të kurorëzohet si Lider i Përjetshëm.

Ndaj nuk më vjen më të qesh me tekstin e këngës së Adrianos, por të thërres edhe unë:

Po më m.. nga të tërë jemi ne, arkitektët!”

No comments:

Post a Comment