Para shumë vitesh (ndoshta koha para Covid më duket shumë e largët) pata shkruar një shënim të titulluar “Arta Marku ndalja dorën Neronit për të mirën e tij”. Krahasimi i Edi Ramës me Neronin ishte i qartë. Sigurisht me Neronin që njohim prej historisë që ka mbërritur deri tek ne, por që shumë studiues thonë se është e ekzagjeruar nga Kisha Katolike për shkak të përndjekjes shumë të egër, që Perandori Romak ju bëri të krishterëve.
Vitet e fundit më është dukur se kryeministri shqiptar ka cilësi që i afrohen më shumë atyre të Kaligulas se sa të Neronit edhepse ka shumë pika të ngjashme mes dy perandorëve.
Kaligula përshkruhet si sadist, tepër i fokusuar në vetja, seksualisht pervert, ekstravagant, arrogant dhe që i pëlqente vartësit dhe populli ta nderonin si të ishte Perëndi. Këto cilësi të bëjnë të mendosh se janë thuajse identike me ato të kryeministrit tonë.
Perandori romak njihet për një ngjarje tepër të veçantë në Historinë e Njerëzimit. Nxorri një vendim për të emëruar kalin e tij konsull. Nuk e bënte se ishte i marrë, por se donte të diskretitonte senatorët dhe njëkohësisht të tregonte se ishte Fuqiplotë. Edi Rama nuk kalëron (madje thuhet që nuk nget as makinën), por për të njëjtat arsye ka “emëruar” deputete Zegjinenë. Për t’i poshtëruar të gjithë vartësit e tij si dhe intelektualët shqiptarë.
Ndonëse Kaligula bëri mjaft punë të mira për Romën, nga akuaduktet, ndërtimin e teatrove dhe arenave, si dhe disa fushata të suksesshme ushtarake, përsëri në mbarë qytetin e përjetshëm, ai ishte bërë i padurueshëm. Ndaj edhe fundin e pati të keq. Një grup njerëzish, disa patricë, por më shumë të gardës pretoriane e vranë. Thuhej se edhe ai grumbull njerëzish nuk ishin të gjithë pjestarë të një grupi dhe të koordinuar në komplot.
Diçka tepër e ngjashme po ndodh në Tiranë. Rama e ka mbushur kupën thuajse me të gjithë. Me njerëz të të gjitha klasave dhe fushave, madje edhe me vetë socialistët. Edhe në mitingun e fundit, ku dëshëronte të tregonte forcën e numurave, punonjësit e administratës të detyruar të dilnin për të dëgjuar fjalën e tij, nxituan të iknin para se Rama-Kaligula të mbaronte fjalën e tij. Janë të shumtë ata , të cilët nuk e “honepsin” dot më. Janë edhe më të shumtë ata që kanë kuptuar se nuk duhet të jenë kundër turmave të protestuesve.
Por a janë “socialistët” që do e vrasin Ramën, sikundër bënë anëtarët e gardës mbrojtëse me Kaligulën?
Socialistët kanë disa vjet, që në mënyrë të heshtur, po i japin shtypit dhe të tjerëve dokumenta që dëshmojnë për korrupsionin galopant dhe “orekset” e kryeministrit të sëmurë që do të pijë vera të shtrenjta, apo të flerë hoteleve të Europës me “socialiste” të reja në moshë. Ish zëvendësi i tij Ahmetaj, pikërisht nga njerëzit pranë Ramës i merrte informacionet që i bënte publike. Vartësit nuk mund të heshtin “kur zullumi teprohet”. Sigurisht që gjejnë mënyrën e vjetër të “denoncimit anonim”, për t’i shpëtuar ndëshkimit dhe njëkohësisht për të mbajtur vendin e privilegjuar.
Pra vetë socialistët “e kanë vrarë“ karakterin perfid të kryeministrit tonë. Kanë bërë të mundshme edhe këtë pakënaqësi popullore, që e kërkon të “hyjë në burg”.
Për mendimin tim, Kaligula i jonë po përpëlitet në vitin e fundit të ekzistencës së tij si “Perandor”. Edhe nëse kjo Lëvizje e madhe popullore nuk do e rrëzojë brenda muajit qershor, besoj se do ketë një rigjallërim në vjeshtë dhe do e bëjë të pamundur, që europianët ta mbështesin akoma “perandorin e vockël” të përkëdhelur prej tyre.
Vetë nuk dua ta shoh pas hekurave, sepse pastaj nis të ndjej keqardhje, sikundër ndjej tani për Ilir Metën dhe Erion Veliajn.
Por le të qërrohet nga ekranet ai bashkë me Zegjinetë e tij!
No comments:
Post a Comment