Gjithshka tashmë është e qartë si drita e diellit.
Revolucioni Flamingo është pjellë e Gardës Revolucionare të Iranit. E tha disa herë sot Kryeministri Rama dhe unë e besoj jo sepse e tha kryeministri i vendit tim (ndonjëherë ai edhe ka gënjyer pak), por sepse është tepër e logjikshme.
Pata vështirësi të pranoja akuzat e mëparshme, se protestuesit ishin të manipuluar nga grekët, sërbët dhe rusët dhe në disa shkrime kërkova që për këtë duhej të prononcohej e Madhja e SHISH, që unë ta besoja, ose qeveria të dilte me një notë zyrtare. Por kjo nuk ndodhi dhe edhe pse prof Karamuço dhe ndonjë analist a gazetar tjetër jepte fakte për komplotin e organizuar nga shërbimet e huaja, mua nuk mu mbush mendja.
Por për Iranin e besoj për disa arsye.
E para se Irani është në luftë me Amerikën dhe me Izraelin. Dhe ne jemi aleatët më të ngushtë të Amerikës dhe Izraelit. Kështu që është kuptimplotë, që Irani të mundohet të rrëzojë qeverinë shqiptare nëpërmjet protestave, si për të testuar një projekt pilot, të cilin më vonë do e aplikojë për të rrëzuar Bibi Netanjahun dhe pasi t’ja arrijë atje, ta aplikojë në një shkallë më të gjërë në Shtetet e Bashkuara dhe të rrëzojë Trump. Kjo do trembë çdo pasues të Bibit, si dhe zv.Presidentin Vens, që do marrë kryesimin e ekzekutivit amerikan dhe jo vetëm që nuk do ketë më luftë, por Iranit do i hiqen edhe sanksionet ekonomike.
E dyta është se ne kemi vite që kemi strehuar opozitën e Gardës Revolucionare dhe që është MEK-u revolucionar. Irani jo vetëm që ka shumë vjet që ndërhyn me sulme kibernitike në Shqipëri, por nuk ka hoqi dorë pasi ja mbyllëm Ambasadën, por edhe pas paralajmërimit që i bëri në emër të Ramës, miku im Namik Kopliku, i cili është një lloj komisari i MEK-ut. Madje hakerat iranianë që punojnë për Gardën e Ajatollahëve, grabitën të gjitha të dhënat e rrogave të të punësuarve shqiptarë dhe i ekspozuan në publik. Mes shumë të këqijave, kjo solli edhe rënien e ndjeshme të shitjes të romaneve të Ben Blushit, sepse doli që paguhej në Topi më shumë se Drejtori i BBC-së, Më pas u fol se të dhënat i kishte nxjerrë Ermal Beqiri, që ishte kontraktuesi kryesor i AKSH-it për të shantazhuar qeverinë, por kjo nuk u vërtetua, madje sot flitet që stërgjyshi i tij ka bërë shërbimin ushtarak në Iran, në kohën e otomanëve.
E treta, e cila nuk është më pak e rëndësishmja sepse ka të bëjë me të shkuarën e largët dhe të ardhmen e afërt të Lindjes së Mesme dhe të Ballkanit. Ndonëse është një çështje kulinare, ajo është themelore për kulturën dhe mundësinë e dominimit të dy popujve “armiq” në këto zona të trazuara. Bëhet fjalë për Tavën e Kosit të Elbasanit, e cila sikundër dihet është një gjellë tipike shqiptare, që ka bërë të lëpijë thonjtë e prerë edhe Toni Bler me të shoqen. Irani pretendon se është një gjellë persiane dhe është krenaria e kombit pas sixhadeve të famshme. Cështja e Tavës së Kosit është mbajtur po aq sekret nga të gjithë palët, po aq sa edhe pasurimi i uraniumit. Nuk dihet nëse do ketë marëveshje mes dy vendeve apo këtë do e zgjidhë vetëm lufta.
Ndaj është Irani shokë Irani!
Unë distancohem menjëherë nga Revolucioni Flamingo! Edhe ata shqiptarë të gënjyer nga propaganda dhe nga hakerat iranianë, duhet të heqin dorë nga Flamingot dhe Shqiponjat dhe t’ja lenë në dorë Kryeministrit Rama të merret edhe me Ivankën, edhe me Zvërnecin edhe me Gardën Revolucionare të Iranit!
Se edhe sipërfaqe toke mund të falim, por eskluzivitetin e Tavës së Kosit të Elbasanit nuk e lëshojmë as për mijëra vjet!
Po e mbyll i emocionuar nga fjala e kryeministrit tim me vargjet e Himnit Kombëtar , pak të përshtatura për situatën:
Se zoti vetë e tha me gojë
Se tavat shuhen përmbi dhe
Por Tavë e Kosit do të rrojë
Për k’të për k’të luftojmë ne!
No comments:
Post a Comment