Monday, 8 June 2026

Një shok, një rrugë, një këngë, një jetë


Një shok i imi i fëmijërisë ka bërë dikur një vjershë. Nuk pata kohë ta pyesja për vitin. E kishte kthyer në këngë nëpërmjet një të njohuri, i cili “kompozon” duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Madje me IA ishte krijuar edhe vokali. Ishte hera e parë që dëgjoja një këngë të krijuar në këtë mënyrë. Nëse shoku nuk do ma kishte thënë, do isha i bindur, që ishte një krijim njerëzish dhe i kënduar ng një këngëtar i vërtetë.

Gjithsesi nuk është këtu qëllimi i këtyre rrjeshtave. Se si krijohet sot dhe a mund të konkurojë IA me kompozitorët apo dhe me poetët, është një çështje që ju takon atyre që i njohin mirë këto fusha.

Unë dua të shkruaj rreth kujtimeve që më sollën ato vargje, të thurrura për një rrugë të shkurtër, që për mua nuk ka qënë rrugë e fëmijërisë, por me të më lidhin shumë kujtime.

Nuk ja di as emrin asaj rruge dhe ndoshta është vazhdimi i “Rruga e Veteranëve”, por besoj se nuk është më e gjatë se 100-120 metra. Ndodhet në zemrën e qytetit dhe është njëra prej “daljeve” nga sheshi para kinema “Majestik” (dikur Morava). Ndoshta edhe kujtimet e para lidhen pikërisht me kinemanë, ku shkonim të djelave për të parë film “me 5 leka” dhe kur nuk duhet të kem qënë më shumë se 4-5 vjeç. I shoqëruar nga ime motër. Prej asaj rruge fillonin “tezgat” me fruta dhe ëmbëlsira, të shitësve ambulantë, të cilët lejoheshin ende të kishin veprimtari private. Merrnim gjithnjë diçka, por mua nuk di pse më kanë mbetur në mendje mollët e kuqe të sheqerosura dhe me një “stapkë“. Ka të ngjarë që nuk kam provuar ndonjëherë të tillë ndaj kam këtë dëshirë të “paplotësuar” që i mban ende para syve të mendjes sime.

Më pas, kujtimet janë të lidhura me shokun tim të shkollës, ai që ka thurrur vargjet e ndjera për atë copë rruge, që zgjatet vetëm dy blloqe ndërtesash. Shkonja shpesh në apartamentin e tij, madje dhe në shtëpinë e tezes së tij, që ishte në krye të asaj rruge. Rrugës më bënte përshtypje një shtëpi e madhe e veshur e gjitha me një bimë zvarranike, ku jetonte një shoqe e klasës sonë. Shtëpia ishte diçka e ndryshme nga të gjithë banesat e mëdha dhe të vogla të Korçës sepse ishte e mbuluar që në pranverë me gjelbërim dhe në vjeshtë dhe dimër mund të dalloje më mirë fasadën e saj të rrethuar nga degëza pa gjethe, që të fusnin në një botë disi joreale, midis përrallës dhe një bote të huaj nga e jona, ku mund të kishte ende fisnikë dhe princa. Ndoshta kjo ishte dhe arsyeja që Bertoluçi e pat zgjedhur për të xhiruar disa skena të filmit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Me sa kujtoj ajo do ishte më duket ambasada italiane, por xhirrimet në Shqipëri, më vonë u anulluan.

Ajo rezidencë dhe shtëpia e teta Poliksenit, ishin si dy pikat e forta “ndërtimore” që përcaktonin atë rrugë. Shtëpia e tetës së njohur, ishte shtëpi muze, se në të kishte jetuar Enver Hoxha dhe njëkohësisht ishte dhe shtëpi e vjetër dhe karakteristike korçare. Nuk është më. Ndërsa banesa e madhe, disi misterioze, e shoqes sonë qëndron me po aq “dinjitet” edhe sot.

Por asaj rruge shkoja shpesh edhe kur shoku im ishte larguar. Në të ishte hyrja e Teatrit të Kukullave, ku luajta për më shumë se 5 vjet me disa shokë të tjerë të mijtë. Ishim adoleshentë disi “cinikë“, sikundër ishin kudo në botë brezi i viteve ‘70, ndaj dhe nuk kam ndonjë shtysë poetike për atë kohë dhe për rrugën. Kam në mendje ende sytë e gëzuar të fëmijëve që donin të hynin në shfaqje, sepse ne shpesh rrinim tek hyrja për të prerë biletat. Por jo më shumë se kaq. Madje nuk kujtoj as shoqen që rrinte ngjitur me ndërtesën e Teatrit, të hynte dhe të dilte nga banesa e saj aq e veçantë. Nuk ishte më në klasë me ne, se studionte për piano në shkollën e Muzikës.

Vite më vonë, kam shkuar shpesh asaj rruge, sepse ndonëse nuk kishte vazhdimësi të drejtpërdrejtë, të shpinte në rrugë të tjera, ku jetonin miq dhe të njohur të mij. Dy prej tyre kishin ndërtuar në rrugët që lidheshin me këtë rrugë “të famshme” dhe njëri madje ishte martuar me një shoqen tonë të klasës. Edhe ajo pianiste.

E megjithatë nuk kujtoj kur është asfaltuar plotësisht. Ka qënë kjo ngjarje, që ka nxitur figurën bazë të poezisë së shokut tim. Unë kujtoj që deri në fundin e ndërtesës së Teatrit të Kukullave ishte e asfaltuar. Ndoshta edhe deri në hyrjen e shtpisë ku do xhironte Bertoluçi.

Kalova disa herë edhe gjatë vizitës sime të fundit në Korçë, por jo deri në fundin e saj. Duhet të jem kthyer në mes të rrugës për të marrë pas saj djathtas dhe kam kaluar para shtëpisë ku rrinte një tjetër shoqe e klasës. Ajo nuk rri më atje.

Shumë kujtime në atë copëz rruge, të cilës nuk ja di as emrin. Kur shoku im e vuri në një grup të përbashkët të ish-nxënësve në WhatsApp dhe tha që është një këngë për atë rrugë menjëherë mendova -”Mos!” sepse kujtova se do ishte kënga bajate “Posa dal i pirë moj nga Republika”, e cila s’di pse në mendjen time zhvillohet në atë rrugë. Sofika e bukur që ngjitet drejt saj dhe autori sarahosh, që e ndjek dhe bie përtokë.

Por ishte një tjetër këngë, tashmë e bukur dhe gjithë nostalgji, e krijuar mbi vargjet plot ndjenjë të shokut tim.

Të cilin e njoh prej një jete.

No comments:

Post a Comment