Monday, 31 August 2026

Botës nuk i vjen e keqja nga Don Kishotët


Ata, të cilët nuk e kanë lexuar kryeveprën e Servantesit, por kanë një ide të vagët, të një plaku tuaf, që lufton me mullinjtë e erës, e përçmojnë “kalorësin me fytyrë të vrerosur”, si dhe ata, të cilët dashje pa dashje ngjasojnë me të. Shumë vite më parë, i thashë një shokut tim: “Mos lufto me mullinjtë e erës së Korrupsionit” dhe ai parapëlqeu të përdorte një ilustrim të bukur të Daumier, të Don Kishotit dhe Sanço Pançës.

Kemi qënë me fat që kemi lexuar përkthimin shumë të mirë të Fan Nolit dhe nuk di nëse ka pasur më vonë përkthime më të mira. Gjithsesi është një kryevepër që duhet të jetë në bibliotekat personale.

Por nuk dua të zgjatem në veçoritë e kësaj vlere të padiskutueshme të Njerëzimit, por të prek pak atë donkishotizmin, që është brenda cilitdo, si dhe “rolin”, që mund të kenë “Don Kishotët” e sotëm në shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe në atë shqiptare në veçanti.

Le ta thjeshtëzojmë pak figurën tepër komplekse të “kalorësit” që rron në kohën e kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët. Një njeri “i pj.... nga mendtë, që nuk arrin të kuptojë realitetin”. Po përmend dy shembuj shumë të largët nga njëri tjetri, për të nënvizuar idenë se nga “Don Kishoti” i gjithkujt brenda nesh, botës nuk i vjen ndonjë e keqe.

Një shok i mirë i imi, që nuk është më mes nesh, shumë i kënduar, por edhe fizikisht i fortë, ishte kthyer në Tiranë pasi kishte qënë 5 vjet në Gjermani prej vitit 1991. Në një “incident” me dy makina, ishte përplasur me dy oficerë policie të veshur civilë dhe pasi nuk ishte arritur të sqarohej ishte i gatshëm të rrihej me ta. E morrën në makinë dhe e shëmbën në dru në një nga birucat e policisë. Njëri nga oficerët ishte një kriminel, që përfundoi më vonë i vrarë me bombë të telekomanduar. Shoku më tregonte 10 vjet më vonë duke qeshur:” Mua më kishte mbetur sahati në Tiranën e viteve ‘80, kur një mosmarëveshje me fjalë zgjidhej me një duel grushtash të ndershëm” dhe gajasej kur ma tregonte.

Rasti i dytë është i të shumënjohurit A.J.Muste, pastorit pacifist amerikan, që në kohën e luftës së Vietnamit, rrinte natën para Shtëpisë së Bardhë me një qiri të ndezur pa pyetur se ishte ftohtë apo binte shi. Një gazetar e pyeti: “Mendon se duke ndenjur kështu në shënjë proteste mund të ndryshosh këtë shtet?” Muste u përgjigj: “Jo. Por e bëj për vete, që ky shtet mos më ndryshojë mua!”

Shumë nga mendjeshkurtërit “realistë“ do talleshin edhe me shokun tim edhe me Musten duke i quajtur torollakë. Por janë pikërisht këta “torollakë“ që jo vetëm nuk i sjellin ndonjë të keqe botës, por mbajnë të gjallë shpresën për një botë më të mirë.

Jo “dinakët” që kalojnë ditën “rrumpallë“ në një kafene duke u ankuar dhe duke u tallur me “Don Kishotët”, që mundohen të bëjnë diçka të kohës së Kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët.


Sunday, 30 August 2026

Foti dhe policët


Foti Kokeri është një Filantrope e Shquar shqiptaro-amerikane, të cilën e kam përmendur në dy tre shkrime të mijat. Kam mësuar 4-5 muaj më parë për të, sepse ka ndihmuar mjaft Korçën në disa fusha. Shëndetsi dhe Art. (Nuk di për në Sport edhe pse ka qënë basketbolliste e shquar). Prej disa vitesh ndihmon. Madje nuk as ndonjë lidhje shpirtërore me qytetn tonë, se është tiranase me origjinë nga Leskoviku. Dhe ne nipçe ju kemi thënë pogradecarëve, por jo leskoviqarëve.

Ju mund të pyesni se ç’kam unë me Fotin, që e kam lakuar (jo dhe aq për mirë) në dy tre shkrime.

Ndoshta nga që nuk dua që Filantropët (të shquar ose jo) të ndihmojnë Arsimin, Shëndetsinë dhe Artin shqiptar, që po e vjedhin qeveritarët. Më duket se ju shërbejnë padashje atyre. Veçanërisht tani, kur Flamingot po kërkojnë të futin në burg Ramën dhe Berishën, Foti jep ndihma nga fondacionet që kontrollon dhe Rama (Berisha jo) mburret se “shiko ç’kemi bërë“.

Po le të themi që Filantropia është e verbër dhe nuk sheh zhvillimet politike. Vetëm kërkon të ndihmojë njerëzit në nevojë. Dhe si e thotë Di Lana dhe Raqka, “Korça ka një traditë të shkëlqyer në Filantropi, ndaj janë të mirëpritur të gjithë ata, që ndihin dhe zenë ndonjë vrimë nga këto , që kemi shpuar ne.”

Qëlloi që Foti ishte ulur një rradhë para meje natën e baletit të MIK festival. E qetë, e qeshur, e tultë, e thjeshtë dhe pa pretenduar të ishte në rradhën e parë. Por shihja që plot vajza dhe gra i afroheshin, e shihnin me përdëllim, bisedonin diçka dhe largoheshin për t’u rikthyer. Mendoja “Unë kam jetuar 38 vjet në këtë qytet dhe nuk më qaset njeri, po Fotinisë shiko si i afrohen! Nga buzëqeshja?” Avokati im , që ishte i pranishëm, mund të më thotë:” Po ç’të të qasen ty, nuk ke lënë njeri pa sharë!” dhe ka të drejtë, sikundër kanë gjithnjë avokatët.

Tani, shqiptaro-amerikanen e shoh që ndihmon edhe policët e Tampas në Florida. Përse kanë nevojë policët e Tampas? Kobure? Teaser elektrikë? Unë nuk e marr dot me mend, por diçka të madhe ajo jep për ta, se nuk të jep njeri çmim dhe në një Gala madhështore. Ose Fotinia jep fonde për Galan në këmbim të çmimit. (Ishte një top futbolli amerikan i prodhuar posaçërisht për Fotininë.)

Duket që ka diçka të lidhur thellë mes policëve dhe Fotinisë, se gjatë vizitës të fundit në Shqipëri, solli dhe një çek të policëve shqiptaro-amerikanë. Gjest vërtet për të vlerësuar, por që më çorbavit edhe më shumë në kokë se si funksionojnë këto Fondacionet Bamirëse.

Se e shoh Fotininë , që si avatar në FB përdor një foto me një skifter në dorë, por Skifteri (disa i thonë Sklifteri) është një shpend grabitqar, që nuk shkon kaq shumë me ndihmën për të vobektit. Disi shkon me policët se ata duhet të kenë një vështrim skifteri për të kapur kriminelët.

Po mirë mo, ç’të hyn ty në qese se ç’bën Fotinia me origjinë nga Leskoviku me Fondacionin e Policëve të Tampas edhe pse jeton në Sarasota?

Po mbase nga zilia që kam për të pasurit.

Se dhe atë Elon Musk nuk e kam hiç qejf.

Saturday, 29 August 2026

Aktorja e humorit Spanja Pipa


Nuk dua në këto rrjeshta të prek “Spanjan këngëtare” se mund të jetë shkruar shumë për të dhe unë nuk e kam dëgjuar në skenën e teatrit “A.Z.Cajupi” a në ndonjë skenë tjetër. Për fat të keq. Por nuk i kam humbur interpretimet e saj në YouTube, të cilat kanë qënë kryesisht të pas viteve ‘90.

Spanja mjaft të përmendet me emër në Korçë dhe dihet se për kë flitet. Nuk është vetëm emri i rrallë. Vlerat e shumëanshme si artiste e kanë bërë aq të njohur Spanjan në Korçë, në Shqipëri dhe në trojet shqiptare jashtë atdheut.

Spanja ka një humor të lindur, humor të beftë korçar, ndoshta edhe të zhvilluar më tej gjatë karrierës së saj së gjatë në Estradën e Korçës, por edhe në trupa të tjera.

Duhet të ketë patur një shkëputje mbi një dhjetvjeçar nga Estrada e Korçës, e cila u “shkri” me një urdhër të Komitetit të Partisë, nëse nuk gaboj, më 1965. Të gjithë aktorët, këngëtarët dhe instrumentisët u dërguan “për edukim në gjirin e klasës puntore”. Spanja shkoi të punonte në Ndërmarjen Artistike, për fatin e kësaj Ndërmarjejej se në shfajet artistike të trupës amatore të Artistikes shkohej vetëm për të parë Spanjan.

E thirrën përsëri në Estradë në vitet ‘70, ndoshta në një kohë me aktorin dhe kolegun e saj të hershëm Aleko Prodani, për të ngritur nivelin artistik tepër të rënë të trupës profesioniste. Spanja doli në pension atje. Nuk dua të bëj përcaktime të llojit klasifikues, por mendoj se Spanja është aktorja më e mirë e humorit që ka nxjerrë Korça dhe një nga më të mirat në Shqipëri.

Gjithsesi, zëri i saj ka kumbuar dhe kumbon skenave, videove, por edhe rrugëve të Korçës. Një timbër aq i veçantë, të cilin ajo e përdorte me mjeshtëri edhe kur bënte humor. Kur këmbeheshim në rrugë më pyeste “Ke dëgjuar të ketë vdekur njeri? Se e di sa na qahet!”. “Po jo moj Spanja!” i përgjigjesha duke qeshur dhe ajo vazhdonte me nxitim drejt teatrit ose diku gjetkë.

Shoqet dhe shokët e saj duhet të dinë shumë nga batutat dhe historitë e saj plot humor, se disa i kam dëgjuar edhe unë dhe më kanë lënë mbresë për finesën dhe reagimin e beftë.

Nuk rrjeshtova në këto paragrafë rolet e saj më të spikatura. Këtë mund ta ketë bërë dikush që ka shkruar një monografi për Spanjan aktore dhe këngëtare kaq të veçantë.

Unë di vetëm se isha mes atyre korçarëve në publik, që entusiazmoheshim dhe qeshnim sa dilte Spanja Pipa në skenë.


Ti frigesh n+1

Unë nuk të kërkova shumë

Veç në të më merrje mes krahësh,

Të kotesha në gjinjtë e tu

Dhe duke dëgjuar ninullën e Heshtjes tënde

Të bija në të thellë gjumë.

Por ti i frigeshe gjumit

Më tepër se do të shihja gjinjtë zbuluar.

Doje të më ndalje ëndërrat që mund të shihja

Atyre që depërtojnë edhe në tënde mendje,

Që me javë të tëra mëpas të lenë zgjuar.

Nuk e sjell gjumi ëndrrën,

Madje as vdekjes nuk i ngjan

Indeve të dashuruara poshtë kafkës,

E bukura ëndërr tirret,

Dhe asgjë brenda më se mban.

Flake tej frikën,

Atë që hiret të mbështjell,

Humbasim çdo sekondë që ikën,

Dëshirën që shpirtit na vlon

E ardhmja më dot s’na i sjell!


Friday, 28 August 2026

“Pushtimi” i Radio-Korçës


Më erdhi për të qeshur, kur lexova sot diçka në “KorçaReport” ndoshta e shkruar nga Gëzim Hashimi. Kishte të bënte me marrjen e Radiostacionit nga civilë kryengritës. Ndodhia në dukje qesharake ishte e vjeshtës 1998, kur unë isha larguar nga Shqipëria dhe mund të ketë qënë dramatike për ata që e kishin përjetuar. Mua më dukej qesharake, se kujtoja vitet ‘60, kur shkoja në Radio me babanë dhe ishte vendi, që nuk dukej se mund të hynte njeri. Dhe as i binte ndërmend njeriu. Nuk kishte as roje.

Babai kishte një tufë me çelësa në xhepin e xhaketës. (Nuk dilte pa xhaketë as në piskun e vapës.) Mua më pëlqente të luaja me to dhe e dija që ishin të Radios. Celësin e vetëm të shtëpisë e njihja se të tillë mbaja edhe vetë. Kur shkonim jashtë orarit zyrtar, ai hapte derën e jashtme dhe zakonisht në dritaren e katit të dytë shfaqej koka e Tasit (Kanxheri) ose e Vasilit (Dishnica). Nuk jam i sigurt se kur nisi Fili (Riza ) si teknike, pasi kishte qënë folësja e dytë. Por edhe Erifilin e kujtoj që dilte në dritare e buzëqeshur dhe sigurohej që ishte punonjës i Radios ai që kishte hapur derën.

Polici në ndërtesa e vjetër e Radios duhet të jetë vendosur pas vitit 1974 ose ‘75. Kishte nisur terrori dhe njëkohësisht ishin dënuar dy-tre vetë si anëtarë t një organizate kundërevolucionare, që mes planeve të tyre kishin edhe pushtimin e Radios. Mua më dukej si gjë e sajuar, se isha në gjendje të kuptoja se ç’mund të bënin 3-4 vetë, që kishin krijuar një organizatë (më duket dhe ajo si komunistë të vërtetë), por në Radio kishte ndryshuar tashmë diçka. Herë herë, polici në dera të pyeste dhe kur shkoja të takoja babanë nuk mund të hyja “zdruq zdruq” si më parë.

Ato që nuk u “realizuan” atëhere (një gjë krejt e stisur se dy porta më lart se Radioja jetonte Kryetari i Degës), i paskan tentuar “demokratikisit” më 1998. Tamam “fantazi idiote” si të para në filmat me puçet ushtarake në Amerikën Latine.

Dhe ç’do bënin nga Radioja? Do shpallnin që qeveria kishte rënë dhe drejtimin e kishte marrë Berisha me Qeverinë e Shpëtimit?

Në vendin tonë (si në çdo vend ballkanik) bëjnë vaki shumë absurditete. Edhe kjo e pushtimit të Radio- Korçës, lidhja e duarve dhe gojës të Gëzim Hashimit për të mos kundërshtuar duhet të ketë qënë një fantazi e ndërkryer e disa drejtuesve të PD-së lokale.

Drejtori i Radios ra! Rroftë Drejtori i ri! (Jam kureshtar të di se kë kishin parashikuar si drejtor. Petraq Kitën?)

Meti me papijon


Nuk është krejt i krijuar si karakter, se dikujt ju drejtova me këtë togfjalësh në FB. Por nuk ka rëndësi në është Meti apo Miti. Madje edhe nëse ka rreth qafës papijon, kravatë të zakonshme apo një shall si mbanin Batisti, Rugova apo artistë të tjerë.

“Meti me papijon” është një lloj përcaktimi nga ana ime e dikujt, që ka lexuar pak ose aspak gjatë jetës dhe që shkruan komente në tema, të cilat i njeh ose jo me dëshirën për të kundërshtuar ose për t’ja “menderosur” autorit. Mund të ishte shumë mirë edhe “Miti me shall” ose “Krisi me kravatë“. (Ky emri Kris është shumë në modë edhe tek mesoburrat në Shqipëri, q mund të kenë një emër tjetër krejt larg Krisit.)

Kjo është veçoria e mediave sociale , të cilën nuk duhet ta kritikojmë se ka sjellë një lloj “dystimi” mes atyre që shkruajnë dhe atyre që lexojn, mes atyre që përpiqen të thonë diçka dhe atyre që i dinë dhe nuk kanë nevojë të përpiqen, të atyre që dikur “katranosnin” ndonjë hartim dhe të atyre , që i kopjonin hartimet.

Unë mendoj se është mirë kështu si është sot edhe pse ka njerëz, të cilët e humbasin durimin. Facebook është një lloj “agora” ku të gjithë mund të japin mendime. Kujt nuk i pëlqen nuk ka nevojë të hyjë në këtë shesh plot gjurulldi. Detyrimisht do ketë edhe si Meti me papijon, edhe fanatikë të një feje apo ideologjie, edhe nga ata që duan “të krruajnë dhëmbët”, edhe nga ata që parapëlqejnë të baltosin këdo, edhe nga ata që inatin pas një sherri në shtëpi e nxjerrin në shesh, edhe të tjerë që rrinë pas “kaçubeve” dhe hedhin ndonjë mizë.

12 vite më parë kjo “gjurulldi” më lodhi dhe ika për të mos hyrë më.

Por u riktheva tani dhe nukjam penduar.

Njoha edhe Metin me papijon.

Thursday, 27 August 2026

Kantaautorët korçarë


Nuk mund të them me saktësi se kur hyri termi kantaautor në Mesdhe. Sigurisht që lidhet me Italinë, por nisi të përdorej edhe në disa vende të tjera të Ballkanit. Tek ne ishte e natyrshme të niste në Tiranë, e cila ishte tepër e lidhur me kulturën italiane. San Remo dhe Hit Parade dëgjoheshin edhe ne Korçë dhe në qytetet e tjera, por Tirana ishte gati një “aneks kulturor” i Italisë deri në vitin 1973. Gjenovezët Luixhi Tenko, Xhino Paoli dhe Fabricio De Andrei ishin të parët, por krahas tyre edhe Luçio Dala nga Bolonja dhe ndonjë romanjol, që tani nuk më vjen në mendje. Kulmi u arrit në vitet ‘70 me Batistin dhe Balionin e më pas erdhën shumë të tjerë.

Por për të ardhur në atdhe, duhet të përmend përpjekjet e Françesk Radit, që ishte i pari që këndonte këngët e kompozuara prej tij. Nuk kujtoj të kishte të tillë në Korçë, sepse këngët që nuk ngjiteshin në skenë mbeteshin disi pa autor dhe këndoheshin nga shumë korçarë.

Unë jam larguar më 1997 nga Korça dhe më duket se deri në atë vit kanë qënë hapat e para të daljes së kantaautorëve. Nuk di nëse të ndjerët Ilia Vinjau dhe Nonda Kajno e quanin veten të tillë. Tani mësova se Mihallaq Andrea është kantaautor dhe ka krijuar 600 këngë. Në Facebook më ze syri edhe Kantaautorin Maksi Kulla, që nuk di a është korçar sepse nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Më thanë që kantaautor është edhe Vaskë Kakami (të më ndjejë nëse Kakami është nofkë dhe jo mbiemri i tij). Edhe Vaskën, të cilin e njoh, nuk e kam dëgjuar të këndojë.

E megjithatë injoranca nuk është justifikim. Unë do përfshija edhe mikun tim Papa Spiro, sepse e shoh dhe e dëgjoj që kompozon vazhdimisht dhe zërin e ka pasur dhe e ka të mirë, Nuk di se për modesti apo për arsye fetare Spiro Katundi nuk e quan veten kantaautor.

Përse po i shkruaj këto rradhë?

Unë kam pasur një konceptim të gabuar, që kantaautorë të quaj vetëm të mëdhenjtë, si Bob Dilën, Lenon, Mek Kartin, Aznavurin, Koçanten, Batistin e shumë të tjerë të rangut të tyre. Por ndoshta qëndron edhe për kantaautorët ajo që ka thënë Kadareja për letërsinë. “Letërsia ju detyrohet shumë shkrimtarëve mesatarë. Janë ata që formojnë bazën dhe ngjallin interesin e lexuesit, i cili më vonë nis dhe shijon të mëdhenjtë.”

Ndaj dhe mua më duhet t’ju kërkoj ndjesë kantaautorëve korçarë, të cilët kompozojnë duke derdhur shpirtin e tyre në këngë. Kuptohet sipas mundësive dhe talentit.

A do mbeten në shekuj këngët e tyre?

Besoj se nuk ka asnjë rëndësi.

Wednesday, 26 August 2026

Abaz Hajroja – muzikanti me vesh absolut


Luante në një fisarmonikë më të madhe se të zakonshmet. Ose e tillë më dukej mua se isha i vogël. Kisha rënë në sy se nuk këndoja keq në një konkurs të zëraave të rinj në Shtëpinë e Pionierit dhe kur bëhej festivali i fëmijëve të qytetit më patën caktuar të mësonja një këngë të Abazit. Mjediset e katit të dytë të ndërtesës poshtë Trikotazhit ishin gjithnjë plot fëmijë dhe instruktorë, por ne ishim në një dhomë të vogël dhe filluam provat e para. Më pas u bashkua edhe Afërdita Laçi, e cila duhet të ishte ende në fillore se unë isha në klasën e 5-të. Abazi luante bukur, por kënga ishte e vështirë për mua. Disa nota ishin shumë lart dhe e shihja, që nuk do konkuroja dot me Laçkën. Atë kohë këngët interpretoheshin nga dy këngëtarë, sejcili më vete. Por e ndjeja se nuki sh apër atë këngë. Pas provave të një dite tjetër nuk shkova më, madje dhe nuk u afrova në Shtëpinë e Pionierit se më dukej vetja si “ i arratisur”.

Ishte rasti i vetëm kur dëgjoja Abazin të luante në fisarmonikë dhe të këndonte. E dija se cili ishte dhe namin që kishte në rrethet muzikore. Atë vit(1971) ai punonte në Ndërmarjen Lëkurë Këpuca, sepse pas shkrirjes së Estradës së Korçës më 1965, nuk punoi më aty.

Ishte i biri i Demkës, violinistit virtuoz korçar. Kishte trashëguar nga i jati një vesh absolut dhe ato kohë theshin se ishte i vetmi, që mund të hidhte menjeëherë në partiturë një këngë, sa e dëgjonte në radio. Ndoshta këtë aftësi e kanë dhe shumë të tjerë, por unë e kam dëgjuar për Abazin dhe nuk kam njohuri të mjafta muzikore për të thënë në është e thjeshtë apo e vështirë.

Në vitet e Estradës pat kompozuar një sërë këngësh të lehta melankolike, disa me tekste të Aleko Skalit. I këndonin mirë ato kohë Dhimitra Mele, Spanja Pipa, Nustret Frashëri dhe të tjerë. Disa prej tyre u bënë shumë të njohura në qytet, Ishin melodi të trishta por të trajtuara me mjeshtëri. Sigurisht që nuk mund të ngjiteshin në skenë për shkak të asaj melankolie. Vonë, në intervista, disa nga protagonistët e atyre kohëve kanë treguar se kompozimet jo rrallë Abazi i kishte bërë edhe brenda një ore. Të tillë e kishte ndjeshmërinë dhe aftësinë krijuese, po qe se i vihej para një tekst i mirë.

Vazhdoi gjatë gjithë jetës të ishte muzikanti më i vlerësuar dhe i kërkuar në qytet, veçanërisht në festa familjare. E shihja shpesh , që hynte ose dilte në “Krimea”, por asnjëherë nuk e kisha parë të qeshte. Edhe kur ishte i dehur. Të dukej se kishte një trishtim, që nuk i ndahej.

Nuk di se cilën mund të zgjedh prej 3-4 këngëve të Abazit, që kam ditur dikur. Më e njohur është ajo e “Sofatit”, me tekst të Leko Skalit, por kam përshtypjen, që nuk është më e mira. Ndoshta duhet të na i thotë dhe ta këndojë Spanja. Në YouTube nuk gjeta asnjë këngë të tij, që mund të besoje se ishte e paprekur nga IA, ose e kënduar sipas versionit origjinal:


Gjithshka mbushur me fletë

Sofati, rrugë e shkretë,

Tek tuk fryn era e marrë.


Ke copëtuar shumë zemra me tingujt e tua të trishtë Abaz Hajro!

Shqiptarë mjaft me etiketime!


Ka një traditë të keqe në vendin tonë, kryesisht e kohës së Diktaturës, kur çdokush i brendshëm dhe i jashtëm merrte nga një etiketë nga sho Enver dhe nga Partia. Ishin aq të shumta sa nuk mund t’i rrjeshtoj dot të gjitha se nisnin me sektarist, ballist, zogist, oportunist, revizionist, centrist, arqeomarksist, fatalist, fashist, nazist, disfatist, titist, xoxist, xhepist, (kjo nuk ishte për hajdutët e xhepave , por për mbështetësit e Sadik Premtes) dhe deri në puçist, që ishin aty rreth vitit 1974-75. Kishte dhe shumë të tjera , por nuk dua t’ju lodh. Tani për ata të huajt edhe nuk na binte shumë ndërmend se i etiketonte, por po të ishe shqiptar i Shqipërisë dhe të merrje një “damkë“ të tillë e kishe bela të madhe dhe shkoje në burg ose vuaje gjithë jetën. “Papagajtë“ e devotshëm e përdornin këtë nëpër mbledhje kur demaskonin armiqtë e brendshëm.

Për fat të keq, nga kjo “traditë e poshtër” nuk u hoq dorë edhe pas Diktaturës. Dolën gjithfarë të reja, të cilat nuk sjellin gjë tjetër veçse përçajnë shqiptarët. Filluan produktet e Berishës dhe të pasuesve të tij që etiketonin kundërshtarët “kriptokomunistë“, “enveristë“,“bllokistë“, “mocionistë“ dhe të tjera, që i shërbenin konsolidimit të Saliut dhe të klanit tropojan në krye të shtetit shqiptar.

Rama ja kaloi edhe Berishës në përdorimin e tyre, gjë që i shërben vetëm atij si Autokrat. Më krijues në përdorimin e shqipes dhe duket i frymëzuar edhe nga mënyra demaskuese e Enver Hoxhës, brenda partisë që okupoi dhe jashtë saj, Edi Rama nisi të etiketonte të gjithë ata që nuk i kishte pasues. Kështu lindën “salistat”, “trumpistat”, “spiropalista” dhe u rikthyen “dumbabistat”, “ballistat” dhe “plëncistat”.

E keqja më e madhe (ekziston në shumë popuj të prapambetur) është se ne ngazëllehemi kur liderat përdorin cilësime të tilla dhe fillojmë i përdorim lart e poshtë duke sharë njëri tjetrin. “Ik o patronazhist!”, “do t’ju zhdukim juve komunistat!”, “kur s’ju vravi xhaxhi të tërë juve ballistat!”, “Poshtë soroistat!’ e sa të tjera të tilla. Harrojmë se sa lëndohet dikush që mund të ketë pasur një gjysh me “Ballin” dhe le që kanë vuajtur seri më 1990, por duhet edhe tani t’ja u kujtojnë si damkë. Po kështu edhe të tjerët. Unë nuk di se ç’faj mund të ketë një nëpunës që ka punuar në fondacioni “Soros” apo dikush tjetër , që mund të ketë përfituar një bursë shkollimi prej tij.

Ne duhet të kuptojmë , që rrojmë nën një çati edhe me ish-sigurimsit, edhe me të dënuarit për krime ordinere dhe aq më shumë me njerëz të thjeshtë, por që mendojnë dhe veprojnë jo si ne.

Ndaj është mirë që të mos biem pre e politikanëve. Mjaft me etiketimet “komunista”,”ballista”, “patronazhista”, “fashista”, “soroista” dhe mjaft të tjera, që shoqërohen edhe me slogane poshtëruese.

Jemi të detyruar të jetojmë me njëri tjetrin edhe pse mund të mos na pëlqejnë mendimet apo dhe veprimet e njëri tjetrit. Lereni Drejtësinë të punojë për ato veprime që lidhen me shkeljen e ligjit dhe njerëzit që nuk e shkelin, pavarësisht se mund të bëjnë shkelje etike thirrini me emra. Dashuria edhe për “kundërshtarin politik” sjell të mira.

Vetëm një jetë kemi dhe mos e harxhojmë në sherr të vazhdueshëm.


“Shalo” – miku im Petraq Marjani


Nuk di “se si na hipi “ kjo thirrja e ndërsjelltë “shalo”(me theks në o-ja), si një lloj fjale franceze e sajuar “chaleaux” me Peçin, gjatë muajve kur punonim për ekspozitën e Kulturës Popullore 40 vjet më parë. M’u bë qejfi , që dhe ai nuk e ka harruar. Petraqi ishte atë kohë inspektor i kulturës në Komitetin Ekzekutiv dhe plot energji vraponte për të siguruar mbarëvajtjen e punës restauruese, aranzhuese dhe të grumbullimit të eksponateve për të. Ishim në kontakt thuajse të përditshëm bashkë me kolegun tim, të ndjerin ark. Kliti Kallamata.

Ekspozita (tek Hani i Manastirit) rezultoi e suksesshme se u vlerësua si më e mira në një konkurs kombëtar dhe sigurisht, që në atë ekip të madh të angazhuar për të edhe puna e Petraqit kishte një rëndësi të veçantë.

Por me Peçin isha njohur vite më parë edhe pse nuk e kujtoj saktësisht vitin. Korça e kishte pritur me shumë shpresë, si një student shumë të mirë të artit dramatik për të plotësuar trupën me aktorë të rinj, sepse në vitet ‘60, kur Petraqi mbaroi studimet, kishte aktorë për role të moshuarish, por ishin të pakët të rinjtë (Dh. Orgocka, V. Furrxhi dhe Zh.Ziçishti). Më kujtohet në një nga rolet e tij të para si oficer gjerman dhe luante mirë, por ishte shumë “dobro” në paraqitje për një nazist. Ishte një aktor vërtet shumë premtues. Nuk jam i sigurt nëse Raqi Cili kishte mbaruar në një vit apo më parë se Petraqi, por ishin dy aktorë me mjaft brumë, para se të vinte grupi shumë i njohur Minella Borova, Llazi Sërbo, Jani Riza.

Dhe me këta të fundit, dyshja Cili-Mariani vunë në skenë “Engjëjt e skëterrës” më 1972, një nga dramat më të mira të historisë së Teatrit të Korçës. Ka të ngjarë , që kursin për regjisurë dy aktorët-regjisorë ta kishin bërë pak më parë. Ishte vakant vendi i regjisorit, pas largimit nga Korça të të shumënjohurit Mihal Luarasi.

Aktorët e suksesshëm të “Engjëjve” u diskutuan shumë edhe në shtypin e kohës në periudhën e Pleniumit të IV, pasi kishin rritur flokët dhe disa kishin edhe mjekër, kështu që gjatë ditëve të shfaqjeve në Tiranë kishin rënë në sy. Më pas, ishte e kuptueshme , që shfaqja do hiqej nga nga qarkullimi dhe nuk u vu më kurrë në skenë.

Petraqi pati edhe shumë role të tjera në teatër në atë periudhë, por pas vitit 1974, diçka filloi “të gërryente” trupën më të mirë të teatrit në Shqipëri. E them me bindje që jo vetëm ishim në një nivel me Teatrin Popullor, por kishte pasur shumë shfaqje, në të cilat Korça dominonte botën e teatrit shqiptar. U larguan (disi më parë Vangjush Furrxhiu) dhe me rradhë Nella, Llazi, Jani dhe Zhani. Këta tre të fundit jo nga organika e teatrit, por duke luajtur kryesisht në filma. Petraqi shkoi të punonte si regjisor në Pallatin e Kulturës dhe herë herë luante në ndonjë film. Nisi periudha e interpretimit-deklamativ në Teatër dhe rënia e cilësisë së tij edhe pse gjatë shfaqjeve kërkohej “ritëm-ritëm-ritëm”.

Peçi u kujdes më shumë për ndihmën ndaj talenteve të reja edhe me një “Studio” të ngritur pranë Pallatit. Shumë nga aktorët e formuar në ato vite kanë kaluar nëpëmjet asaj studioje dhe me siguri kanë kujtimet më të mira për profesionalizmin dhe cilësitë njerëzore të Petraqit.

Unë i njoha këto të fundit, kur nisa punë më 1984 dhe isha pak më pranë Peçit. I hapur, i qeshur, i mënçur dhe i palodhur, Petraq Mariani të habiste me vitalitetin e tij. Vërtet ishte në të 40-tat në ato vite, por edhe më vonë, pasi ndryshoi sistemi dhe ai u morr me një biznes privat, habitesha se sa energji kishte. Për fatin e keq të artit skenik të Korçës, dukej se ai nuk ndjehej i mirëpritur në teatrin “A.Z.Cajupi”. E megjithatë kjo mund të jetë një përshtypje e gabuar e imja.

Ka kohë, që nuk e kam takuar dhe kam mall. Dua edhe t’i them, që babai im e deshte shumë, por ai ishte edhe pak “lokalist” për oparakët e ndoshta edhe kjo ndikonte.

Të uroj sa më shumë vitalitet dhe krijimtari “Shalo”!


Nuk di “se si na hipi “ kjo thirrja e ndërsjelltë “shalo”(me theks në o-ja), si një lloj fjale franceze e sajuar “chaleaux” me Peçin, gjatë muajve kur punonim për ekspozitën e Kulturës Popullore 40 vjet më parë. M’u bë qejfi , që dhe ai nuk e ka harruar. Petraqi ishte atë kohë inspektor i kulturës në Komitetin Ekzekutiv dhe plot energji vraponte për të siguruar mbarëvajtjen e punës restauruese, aranzhuese dhe të grumbullimit të eksponateve për të. Ishim në kontakt thuajse të përditshëm bashkë me kolegun tim, të ndjerin ark. Kliti Kallamata.

Ekspozita (tek Hani i Manastirit) rezultoi e suksesshme se u vlerësua si më e mira në një konkurs kombëtar dhe sigurisht, që në atë ekip të madh të angazhuar për të edhe puna e Petraqit kishte një rëndësi të veçantë.

Por me Peçin isha njohur vite më parë edhe pse nuk e kujtoj saktësisht vitin. Korça e kishte pritur me shumë shpresë, si një student shumë të mirë të artit dramatik për të plotësuar trupën me aktorë të rinj, sepse në vitet ‘60, kur Petraqi mbaroi studimet, kishte aktorë për role të moshuarish, por ishin të pakët të rinjtë (Dh. Orgocka, V. Furrxhi dhe Zh.Ziçishti). Më kujtohet në një nga rolet e tij të para si oficer gjerman dhe luante mirë, por ishte shumë “dobro” në paraqitje për një nazist. Ishte një aktor vërtet shumë premtues. Nuk jam i sigurt nëse Raqi Cili kishte mbaruar në një vit apo më parë se Petraqi, por ishin dy aktorë me mjaft brumë, para se të vinte grupi shumë i njohur Minella Borova, Llazi Sërbo, Jani Riza.

Dhe me këta të fundit, dyshja Cili-Mariani vunë në skenë “Engjëjt e skëterrës” më 1972, një nga dramat më të mira të historisë së Teatrit të Korçës. Ka të ngjarë , që kursin për regjisurë dy aktorët-regjisorë ta kishin bërë pak më parë. Ishte vakant vendi i regjisorit, pas largimit nga Korça të të shumënjohurit Mihal Luarasi.

Aktorët e suksesshëm të “Engjëjve” u diskutuan shumë edhe në shtypin e kohës në periudhën e Pleniumit të IV, pasi kishin rritur flokët dhe disa kishin edhe mjekër, kështu që gjatë ditëve të shfaqjeve në Tiranë kishin rënë në sy. Më pas, ishte e kuptueshme , që shfaqja do hiqej nga nga qarkullimi dhe nuk u vu më kurrë në skenë.

Petraqi pati edhe shumë role të tjera në teatër në atë periudhë, por pas vitit 1974, diçka filloi “të gërryente” trupën më të mirë të teatrit në Shqipëri. E them me bindje që jo vetëm ishim në një nivel me Teatrin Popullor, por kishte pasur shumë shfaqje, në të cilat Korça dominonte botën e teatrit shqiptar. U larguan (disi më parë Vangjush Furrxhiu) dhe me rradhë Nella, Llazi, Jani dhe Zhani. Këta tre të fundit jo nga organika e teatrit, por duke luajtur kryesisht në filma. Petraqi shkoi të punonte si regjisor në Pallatin e Kulturës dhe herë herë luante në ndonjë film. Nisi periudha e interpretimit-deklamativ në Teatër dhe rënia e cilësisë së tij edhe pse gjatë shfaqjeve kërkohej “ritëm-ritëm-ritëm”.

Peçi u kujdes më shumë për ndihmën ndaj talenteve të reja edhe me një “Studio” të ngritur pranë Pallatit. Shumë nga aktorët e formuar në ato vite kanë kaluar nëpëmjet asaj studioje dhe me siguri kanë kujtimet më të mira për profesionalizmin dhe cilësitë njerëzore të Petraqit.

Unë i njoha këto të fundit, kur nisa punë më 1984 dhe isha pak më pranë Peçit. I hapur, i qeshur, i mënçur dhe i palodhur, Petraq Mariani të habiste me vitalitetin e tij. Vërtet ishte në të 40-tat në ato vite, por edhe më vonë, pasi ndryshoi sistemi dhe ai u morr me një biznes privat, habitesha se sa energji kishte. Për fatin e keq të artit skenik të Korçës, dukej se ai nuk ndjehej i mirëpritur në teatrin “A.Z.Cajupi”. E megjithatë kjo mund të jetë një përshtypje e gabuar e imja.

Ka kohë, që nuk e kam takuar dhe kam mall. Dua edhe t’i them, që babai im e deshte shumë, por ai ishte edhe pak “lokalist” për oparakët e ndoshta edhe kjo ndikonte.

Të uroj sa më shumë vitalitet dhe krijimtari “Shalo”!


Tuesday, 25 August 2026

A kemi ne korçarët një identitet?


Duhet ta them që në krye, që unë nuk besoj në identitetet krahinore, madje as në ato kombëtare, por ndoshta edhe do më duhet të ndryshoj mendim.

Javën e parë të universitetit, ndërsa njiheshim me bashkëstudentët, por edhe me punonjësit e konvikteve na bëheshin pyetjet e natyrshme- Nga je? Dhe kur përgjigjeshim nga Korça pasonte zakonisht: “Brenda nga Korça?” Na dukej si pyetje kot, se po qe se do ishim nga Bulgareci do theshim emrin e fshatit dhe mbase do shtonim edhe rrethin, por përgjigjeshim në mënyrë pohuese. Kishte shumë që na pyesnin a kishim kushërinj në Amerikë dhe a dinim greqisht, gjë që na linte të kuptonim se kishte një lloj stereotipie se si të tjerët i shikonin korçarët. Pastaj mbyllej me pyetjen, kryesisht ng tiranasit: “Di me i dhon kitarës?” Unë zihesha ngushtë se nuk dija dhe e kuptoja, që pasi thesha “jo” ata më shihnin me dyshim dhe mendonin se do isha nga ndonjë fshat larg Korçës. Më pas vinin komentet e më të zgjuarve prej tyre “ej kusiçka, tepsiçka”, që nuk na lëndonin se e kuptonim që e kishin nga budallallëku dhe jo nga dashakeqësia.

Kur vitet kalonin nuk kishte më biseda të kësaj natyre. Edhe më vonë, asnjëherë nuk kisha menduar se ne kemi një identitet të caktuar me disa karakteristika që i mbartim thuajse të gjithë. Edhe dialektin nuk e kemi identik, gjithashtu përkatësinë fetare, por unë kam njohur korçarë , të cilët kanë cilësi nga më të larmishmet, madje nuk di nëse ka ndonjë zotëri ose zonjë , që është tipik korçar.

Por ndërsa u hap së fundmi një diskutim se a duhet apo jo të quhen këngët e Korçës serenata, unë ndjeva se ne kemi disa cilësi të spikatura dhe disa gjëra që i shohim si cënim të identitetit. Proserenatistët (ndoshta bashkë me serenatistët) u ndjenë tepër të prekur se unë shkruaja që këngët korçare nuk duhet t’i quajmë serenata. Ndoshta edhe pse kisha prekur emra krijuesish amatorë të këngëve korçare, për të cilët shtoja se e futën konceptin e “serenatës” pas viteve ‘90. Kisha të drejtë të lëkundesha në mendimin, që ne nuk kemi identitet të kristalizuar. Pashë që revolta e një pjese (nuk mund të them në ishin gjysma apo më shumë) ishte drithëruese. Mendova se si këta njerëz që identifikohen me serenatat “plot dhemkë“ nuk kanë pak mëshirë, për një njeri të paditur si unë. Nuk kishte më melodi të shtruar, por sulmet ishin “rock n’roll”. Përsëri dyshova për identitetin. Ku është dhembshuria?

Megjithatë i justifikova duke thënë me mendje, se si cilësi kemi edhe të njohurën “të dashur me popullin, të rreptë me armikun”. E dija që nuk isha armik, por deri sa të tillë më konceptonin, atëhere do më duhej ta pranoja me përunjësi.

Po sikur larg qoftë të kisha shkruar keq për Themistokli Gërmenjin apo për Republikën Autonome?

Ndoshta do shkruanin: “Ky korçar bastard e ka hak plumbin!” e megjithatë mua nuk më pat shkuar ndërmend as të prekja Miston dhe as Mihal Gramenon, madje as Myftiun apo Peshkopin e Korçës. Dhe mirë, që nuk më pat shkuar në mendje, se e di që do mbulohesha me baltë.

Nuk di nëse kemi të tjera gjëra të shenjta, që rrezikojnë identitetin tonë nëse na i prekin, por po qe se ka nga ju, që i lexoni këto rrjeshta dhe i dini, kini mirësinë të mi thoni që mos gaboj më rëndë herën tjetër.

Fjala duhet të jetë e lirë, por dhe liria me karar!

Dorëzimi para “të Keqes”


Shpesh vras mendjen të kuptoj shoqërinë shqiptare dhe arsyet përse ka rënie të demokracisë dhe të mendimit të lirë. Mund të tregosh lehtësisht me gisht Berishën, Ramën dhe të tjerët si ta, madje edhe të shtosh patronazhistët dhe ja ke hedhur lumit. Janë ATA, që na katandisën më këtë ditë!

Unë mendoj se ka shumë arsye të tjera dhe më kryesorja është “dorëzimi të mirëve dhe të aftëve para të Keqes”. Në çdo fushë. Duke nisur me Politikën dhe duke përfunduar tek Sporti.

Ka më pak se dy muaj, që kam rihyrë në Facebook pas një mungese prej 12 vitesh. Nuk di se ç’thuhej për mua, kur dikush tjetër postonte shkrimet e blog-ut tim. Vonë kam mësuar se ka patur të shara, ndoshta dhe shpifje, por kush merr përsipër të shkruajë në publik e di këtë çmim.

Në këtë periudhë të shkurtër, por disi itensive me postime nga ana ime, ka pasur dy raste ku jam lakuar për keq, për të meta , të cilat i kam dhe për të tjera që nuk i kam, por që nuk kanë lidhje me përmbajtjen e shkrimeve.

Kam konstatuar me keqardhje se njerëz të mirë e të zotë, që kanë të njëjtin mendim për shkrimin ose që dinë se të metat e mija nuk kanë lidhje me temën që trajtoj, ndonëse mund të mos ndjehen mirë nuk marrin mundimin të komentojnë e të thonë: “Jeta e autorit nuk ka të bëjë me temën që diskutohet!” Unë nuk kërkoj të më mbrojë njeri. Kur kam marrë guximin të bëj shkrime kritike dhe kam marrë parasysh që mund të më fyejnë ose të gërmojnë për të gjetur “skeletet e fshehura”. E gjitha ka të bëjë me dorëzimin ndaj të Keqes. “C’më duhet mua?”, “ Kush hyn në gojën e asaj!”, “Po dhe ky pse s’rri rehat!” e të tjera të ngjashme. Dhe kur ndodh për diçka të thjeshtë dhe për një njeri të thjeshtë, të cilin mund ta kenë edhe mik, vaj halli kur debatet janë të ashpra me “lukuninë e patronazhistëve”.

Eshtë ky lloj Dorëzimi ndaj Bashkiakut arrogant, ndaj Tenderistit që vjedh, ndaj Mjekut që abuzon, ndaj Mësuesit që merr lekë për provimin, ndaj të Fëlliqurit që baltos të tjerët. Ndaj nuk ka pse të çuditemi se si kemi arritur që Rama na vjedh dhe na shtyp, që Peleshi bën ç’të dojë dhe na përqesh, që Fejzullai nuk pastron mirë dhe mund të na quajë edhe plehra. Jemi dorëzuar ose më mirë jini dorëzuar të dashur bashkëqytetarë! Vetë jam përpjekur të bëj diçka edhe pse kam avantazhin që jetoj larg Shqipërisë.

E Keqja as vjen në një ditë dhe as thërret që jam e Keqe. Fillon me buzëqeshje si buzëqeshte në krye të herës Peleshi dhe gradualisht, duke përdorur çdo mënyrë nga lajkat e deri në intrigat, nga shkrimet e mira dhe deri në “falangat patronazhiste” arrin deri aty sa ështe kthyer në “Pashaj i Pashallëkut të Korçës”. Po nuk na nënshtroi ai. U nënshtruam ne!

Unë do vazhdoj të shkruaj ato që mendoj edhe me koston e përgojimit. Besoj në ato që shkruaj dhe më shumë besoj në Fjala e Lirë. E respektoj atë dhe për ata që më kundërshtojnë, por edhe për ata që më denigrojnë. Ky është kuptimi i Fjalës së Lirë, që të shpie pranë një demokracie të vërtetë.

Por jo Heshtja dhe Nënshtrimi!


 

Përgjigje Klaudias për “serenatë-mesele”


Klaudia Andrea, vajza e Mihallaq Andreas, ka bërë komente rreth një shkrimi tim për serenatat. Në ndryshim nga shumë të tjerë, ka qënë e sjellshme dhe më ka kërkuar përgjigje ndaj po ja jap me këtë shkrim për të ashtuquajturat serenata në përgjithësi dhe për ato ç’ka kam thënë për Mihallaqin. Do detyrohem të përmend emra të ndjerësh mbase jo me vlerësim maksimal, por jam i detyruar.

Unë e kam ndjekur vazhimisht sa kam qënë në Korçë, që në fëmijëri këngën korçare. Dëgjonim gjithë kohën radion madje edhe këndonim në shtëpi, si në të gjitha familjet korçare.

Këngët që unë i quaj “të rrugës” sepse nuk mund të ngjiteshin në skenë në kohën e Diktaturës i kam dëgjuar që kur isha 4-5 vjeç. Kujtoj edhe se sa me gëzim mësuam këngën “Gjeologia” të Ilia Vinjaut në Festivalin e Korçës dhe i kërkonim babait të ndërhynte në Kristo Konoja (kryetar jurie) për t’i dhënë çmim të parë (kënga mori vetëm të 3-të). 5-6 vjet më vonë kuptova që kënga e Ilias ishte një këngë e thjeshtë, pa vlera të mëdha muzikore. Të tilla kishte shumë të shkruara nga amatorët, gjë që plotësonte nevojat e njerëzve për të kënduar këngë dashurie, por që për fat të keq nuk ishin në nivelin e këngëve të kompozuara nga kompozitorët e shkolluar shqiptarë. Aq më pak do ishin po t’i krahasoje me këngët bashkëkohore në botë.

Mihallaqi ishte më i madh se unë dhe binte në sy se vishej mirë dhe ishte shumë simpatik. Në fund të viteve ‘60 dhe në fillimin e viteve ‘70 këndonte me sa kujtoj me Estradën e Preçizionit. Nuk kishte ndonjë vokal që të mund të ngjitej më lart (për mendimin tim), por ndoshta ndikonte edhe biografia që nuk shkonte në Tiranë , se paraqitje skenike kishte mjaft të mirë. Më vonë fatkeqsisht i ndodhi një sëmundje që humbi këmbët dhe edhe pse nuk e njihja personalisht ndjeva keqardhje. Më erdhi mirë kur nisi të këndonte në skenë, në fund të viteve ‘80 ose më vonë. Dija dhe që krijonte këngë dhe kisha dëgjuar disa prej tyre, por si e përmenda në rastin e Vinjaut, kisha bindjen se ishin këngë të thjeshta dhe që i përkisnin një epoke të kapërcyer. E megjithatë unë nuk dua t’i imponohem askujt në shije dhe mund të them se muzika prandaj është kaq magjike se ka lloj lloj stilesh dhe rrymash dhe ka vend për të gjithë.

Sipas Klaudias, Mihallaqi është kantautor dhe ka krijuar 600 këngë. Diçka vërtet mbresëlënëse. Unë thjesht mendoj se emërtimi kantaautor ju takon artistëve të nivelit të Bob Dilën, Xhon Lenon, Balionit, Aznavurit, Rei Carlsit e të tjerëve, por ky opinion është thjesht i imi. Mendoj se në Shqipëri as i ndjeri Francesk Radi dhe Gjergj Leka nuk e meritojnë plotësisht. E megjithatë edhe mund të tërhiqem jo vetëm për Llaqin por edhe për Papa Spiron, që po kompozon vazhdimisht tani.

Klaudia nuk di se sa ju e njihni historinë e këngës korçare. Se kur përmendni Thoma Nasin dhe “Perëndeshën e bukurisë“, këtë këngë e quani serenatë. Nuk është e tillë. Po ashtu nuk është “I madh” këngëtari amator, i ndjeri tenori Piro Sulioti, që ka pasur vokal të mirë. Ka disa përcaktime për të cilat duhet të jemi më pranë të vërtetës. Ne mund të mbushim shkrimet me lavde për “kolosë“, ‘gjenij”, “legjenda” të artit, por nuk mund të ketë shumë të tillë. Nëse do ishte kështu ne do ishim Meka e Artit Botëror.

Unë e kuptoj ndjeshmërinë, që ju kini për punën e palodhur të babait tuaj artist. Unë nuk marr mundimin të shkruaj për të denigruar artistët e Korçës. E dua qytetin tim sa ata dhe ndoshta më shumë. Por pikërisht sepse e dua shumë kam dëshirë, që të mbajë një nivel kulturor sa më të lartë. Mundësisht në një hap me artin botëror edhe pse është e vështirë. Por nuk mund ta mbajë dot me këngë tepër të thjeshtëzuara dhe disi jashtë kohës, nga ato që unë i kam quajtur në shkrim “dy çorap e një llastikë“ për të përdorur një shprehje të grave korçare për punët e lehta.

Më pyesnit edhe se ç’kam bërë në profesionin tim. Shumë pak dhe do doja të kisha bërë më shumë, por ndoshta aq e kisha “takatin”. Megjithatë kjo nuk më pengon të dua këngën më të mirë korçare.


Skulptori Ladi Topi


Nuk dija nëse ishte më mirë ta quaja skulptor apo qeramist Ladin, sepse ai e pëlqente shumë qeramikën dhe kishte studiuar për arte të aplikuara. Por më pas ai punoi shumë edhe në materiale të tjera, ndaj mendoj se është më e saktë ta quaj skulptor. (Ky shkrim nuk është promovues i veprave të rij për ndonjë qëllim komercial, por thjesht kujtime rreth një artisti dhe miku.)

U njohëm rastësisht në qershor 1984, kur na caktuan në një dyshe për të bërë disa projekt-ide për një konkurs për Lapidarin e Cifligut. E fituam konkursin dhe më pas erdhi koha e realizimit, që ishte më e vështirë për Ladin, se duhet të realizonte dy relieve të mëdha, që kulmonin me dalje nga sfondi i Flamurit i një figurë partizani. Koha ishte shumë e shkurtër dhe idenë e Ladit për figurën e partizanit e realizuan treshja Bilbili, Xhane, Dollaku. Ladi realizoi relievin me figurën treshe të luftëtarëve për Pavarësi. Relievet u derdhën në beton dhe janë edhe sot, ndonëse shihen me vështirësi nga rruga.

Më pas, për çudinë tonë , na ftuan edhe në një darkë për kremtimin e 40 vjetorit të Clirimit, ku besoj se unë 25 vjeç dhe Ladi 26 ishim më të rinjtë mes veteranëve dhe partiakëve. Na vinte për të qeshur se ndjeheshim krejt të huaj për atë “sebep”.

Më pas patëm një miqësi dhe bashkëpunim të mirë. E vlerësoja shumë për shijet fine në art, si dhe për cilësitë njerëzore. Edhe ai me qetësi nuk ma prishte edhe kur unë isha më “agresiv” se sa duhej. Bëmë disa gjëra në Ekspozitën Popullore, disa projekte-skulptura për një Park Lojrash tek Parku, që nuk u realizuan dhe ndonjë tjetër në Muzeu i Arsimit, që tani nuk e kujtoj.

Kishte shije, mendim dhe vetëpërmbajtje. Më kujtonte pak cilësitë e piktorit Rafail Dembo, të cilin e njihja se studion e kishte dy kate mbi apartamentin tim. E njëjta qetësi, i njëjti vlerësim për artin, i njëjti jokonformomizëm dhe cigaren nuk e ndanin të dy. Nuk di se sa e kishte njohur Ladi Rafailin.

Në vitet e fundit të Diktaturës flisnim hapur kundër saj. Nuk kisha asnjë droje të flisja me Ladin.

Për fat të keq, Liria nuk solli për skulptorët të njëjtën “begati” si për piktorët. Kuptohet që një privat e ka më të lehtë të blerë një peisazh se sa një skulpturë. Për sa i përket shtetit, ai nuk ka qënë i pasur, ose ka ndjekur politika klienteliste dhe nuk e di se sa ka pasur mundësi të punojë Ladi. Para disa muajsh më zuri syri që kishte bërë një ekspozitë me një piktor dhe kjo më gëzoi.

Unë kam 29 vjet larg Korçës. Ladin nuk e kam takuar dot asnjëherë gjatë vizitave të mija në qytet. Edhe kur e telefonova për promovimin e librit tim “Biseda të pakryera me babanë“ nuk ishte mirë me shëndet.

Por mirënjohjen për një artist bashkëmoshatar nuk e kam zbehur kurrë.

Suksese në krijimtari miku im Ladi!

Monday, 24 August 2026

Vetëm PRANIA BESNIKE mund ta shpëtojë Shqipërinë


Unë nuk i lexoj statuset e Ramës dhe as dëgjoj intervistat e tij, se nuk kam kapacitetin e nevojshëm mendor të kuptoj ato që shkruan dhe thotë. Ama Nikshin (Nicolo Di Lana) e ndjek jo se flet në dialektin tim, por dhe i shpjegon më popullorçe gjërat.

Sot lexova që Besës i shtohet edhe Prania Besnike, si zgjidhja universale e problemeve të popullit shqiptar. U entusiazmova. Thashë se po të mblidhen njerëzit më të mënçur që ka ky vend në Volorekë (si në kohën e Xhaxhit) diçka do bëhet për të kaluar ngërçin që na kanë shkaktuar Flamingot. Se kush duron edhe 3 muaj të tjerë të njëjtin avaz në tv. Jo burgoseni Ramën, jo burgoseni Berishën! Dhe mirë këta se “burgu për burrat është“ po duan të burgosin edhe Belan. Madje tani, që nuk ka as tulet e mjaftueshme për ta përballuar burgu e grave në Pojskë (të tëra rreth koranit vërtiten).

Kjo e Pranisë Besnike qënka ilaçi që na duhej. Tamam tamam nuk e kam kuptuar, se duhet të lexoj materialet ndihmëse të Komitetit Central, po një ide e kam. Nga vetë fjalët. Prani dhe Besnike. Ku mund të ketë më mirë, Pak a shumë si ajo “gushe gushe”, që theshte populli qëmoti. Dashuri dhe Besnikëri. Ti më do dhe unë të dua dhe unë të dua e ti më do. Pranë dhe Besnikë në jetë të jetëve, Amin!

Do ketë raste , që unë e ndjej se jemi ca si shumë pranë dhe sikur më merr ndonjë të shkoqur nga xhepi, po rëndësi ka Besnikëria. Po mos ma drodhe me ndonjë grek, iranian, sërb, rus, maqedonas (tëmën prapë shulet na dolën) se më merr ca para nga timet nuk bëhet qameti.

Tani si do e realizojë Rama këtë me Flamingot unë nuk e di. Do ju shkojë shumë pranë dhe do ju përdredhë kokën me Besnikëri, a do do ju hedhë “koçifos”, që të mos shtohen këtë ndoshta nuk ja ka thënë as Nikshit.

Veç di, që sa të realizohet kjo Prania Besnike të gjithë do rrojmë të lumtur dhe të gëzuar!

Rroftë Prania Besnike!

I love Korça!


Sunday, 23 August 2026

Edhe unë meritoj një tjetër shans


Mbrëmë, i shqetësuar nga debati i panevojshëm për serenatat nisa të sillja në mendje ato kujtime, që ende nuk janë cënuar nga ndikimi i huaj dhe nga kultura agresive amerikano – kanadeze.

Më erdhën në mendje netët e bukura të pranverës në Korçë, mes lulëzimit të blireve dhe së bashku me shokët, që shëtisnim në bulevardin “Republika”, në oborret e vilave të të cilit, skuqnin gjak trëndafilat, që na sillnin në mendje këngën e Agim Prodanit “Natën do vij në bashtën tënde/ Trëndafilat do t’i pres”. Më pas u shfaqën, një grup shoqesh që kishin dalë për krahu edhe ato për xhirro, njëra prej të cilave dukej se “ndjente diçka” për një nga shokët tanë. Ai e shihte me bisht të syrit dhe ajo bënte sikur të ishte rrëmbyer nga biseda me shoqet e saj, por një purpur i lehtë dukej se i vishte mollzat. “Sonte do ngjitemi andej nga varret e dëshmorëve, që të kalojmë nga shtëpia e saj”- tha një prej shokëve (ai më i pjekuri) dhe të gjithëve na fërgëlloi zëmra. Sigurisht më shumë shokut tonë të dashuruar. Por nëse ai do merrte një “Po” kjo ishte shpresëdhënse për të gjithë ne.

Nuk pritëm të binte mirë muzgu dhe dy shokë morën kitarat në shtëpi dhe biondi i dashuruar mandolinën. Unë dhe shoku tjetër joinstrumentist kishim detyrë të bënim zërin e dytë vetëm në refren, se edhe fallcarnim nga pak.

Ra mbrëmja dhe ne ishim rreth 20 metra nga shtëpia e saj dhe kishin nisur të këndonim lehtë Kalo ushtar dhe lerë një qiri të ndezur”, që e dinim se ishte e kopjuar nga një kantatë e Belinit, por nuk e kishim kopjuar ne. Ecnim ngadalë dhe e kishim llogaritur që pranë dritares së saj të ishte refreni “Se sot jam ushtar po nesër do vij përsëri/ Të të puth, të t‘përqafoj me dashuri”. Dëgjohej vërtet bukur ai refren me harmoninë e 5 zërave nga të cilët vetëm dy fallcarnin fare pak. Drita e dritares së saj u shua, por u duk që “kortinka” e punuar me grep lëvizi. Ajo na priste.

E çmund të kishte më të bukur atë mbrëmje maji, kur era e protomajasë mbi avllinë e saj na mbushte plot dëshira dhe dinim që ajo (mbase dhe ndonjë komshije e saj) na dëgjonte me gjoksin që i rrihte. Magjia e pranverës, puhiza e majit dhe tingujt serenatës. Na dukej sikur këmbët nuk i kishim më në kalldrëm, por po ngriheshim në ekstazë në qiellin e dytë, atë të melodive “plot dhimbje dhe dashuri”...

Ndërkaq u dëgjua një piu-piu piuuu e fortë dhe i trembur hodha sytë në korridor.

Kishte marrë zjarr kuzhina, se kisha lënë stofën ndezur.

“Të dhjefsha ëndrrën me serenatë!” i thashë vetes plot mllef dhe shkova të shuaja zjarrin...

Dashuria kishte kohë që ishte zhurritur!


  P.S.Shansi që kërkoja në titull ishte drejtuar ndaj atyre, që më “rezilosën” për qëndrimin tim revizionist rreth emërtimit të këngëve korçare si serenata. Doja ta paraqisja si reflektim ndaj atij debati me tre grupe, njëri sulmues kundër meje, tjetri mbrojtës dhe grupi “as mish as peshk”. Se edhe unë njeri jam dhe ndryshoj mendim. Por “narrativa” shkoi e tillë, sa për të dalë nga ai emocion i fortë nostalgjie proserenatiste, kërkova një mbyllje shpëtuese dhe sajova zjarrin në kuzhinë. Të pakët ishin ata që e besuan se unë kisha ndërruar mendim për termin “serenatë“.



Saturday, 22 August 2026

Mos e kam gabim me këngët që dëgjoj?


Përplasjet për të quajturat “serenata” më bënë të mendoj se ç’lloj këngësh unë dëgjoj rregullisht në YouTube. Dëgjoj për gjatë shumë orëve të ditës, pothuajse gjatë gjithë kohës kur punoj në kompjuter. Të njëjtën gjë bëja edhe kur punoja për të tjerët. Kufjet në vesh dhe ato që nxirrte me rradhë “algoritimi” i YouTube, kur nisën platformat e Internetit. Më parë, kryesisht me disqe në zyrë dhe në makinë.

Më duhet të pranoj që nuk kam pasur asnjëherë ndonjë disk me këngë shqiptare veç një cd me këngë të Vaçes. Edhe ajo nuk ka qënë mes atyre që dëgjoja më shpesh.

E gjitha kjo mund të më bëjë kozmopolit, snob, injorant muzike dhe deri në antishqiptar, por më mirë të them të vërtetën se të hiqem si patriot në çështjet muzikore. Disqet varionin nga Celentano dhe deri tek Pavaroti dhe prej Rei Carls tek Whitni Hjuston. Por ndër më të preferuarat ishte një cd me kolonën zanore të filmit “Hair”, që e kisha blerë në Athinë një muaj para se të udhëtoja për në Kanada.

Sigurisht që e di se shijet janë krejt personale dhe askush nuk mund të më thotë se nuk kam shije, apo se shija ime muzikore është “birinxhi”. Kjo lloj muzike është më e pëlqyeshme për veshin tim dhe herë herë i shtoj edhe Moxart, Vivaldin apo Bah. (Dikush në diskutimin e zjarrtë për serenatat përmendi Stravinskin, por nuk është mes atyre që rrekem të dëgjoj.)

Pse kam qënë i velur nga këngët e Korçës?

I kam pëlqyer qysh i vogël, i kam kënduar nëpër shtëpi ( këndonim të gjithë) dhe më shumë me shokët e mij, veçanërisht në adoleshencë dhe në rini. Kishim një lloj grupi me dy shokë që luanin në kitarë dhe ne të tjerët, që mundoheshim të këndonim me dy zëra dhe ndonjëherë edhe me variacione të tjera. Ishin këngët e rrugëve që përbënin “repertorin” tonë, sa një herë, në plazh, një oficer nga Vlora na tha:” po si nuk kënduat një këngë patriotike, vetëm me dashuri!” Dhe ne ja morrëm një kënge për Selam Musanë, që e kishte stilizuar njëri prej shokëve.

Kishte këngë të mira në reprtorin tonë, madje ka dhe që nuk këndohen më, por përgjithësisht ishin nga këto “këngët qaramane” ku ka raki dhe jo rrallë dhe funerale. Ndoshta thellë të gjithë ndjenim se ishim shumë larg melodive bashkëkohore botërore, por ishin vitet e terrorit dhe edhe të donim nuk këndonim dot këngë të huaja.

Pas viteve ‘80 po më binte në sy, që këngët e reja të rrugëve sa vinte dhe bëheshin më të dobëta edhe si melodi por më shumë si tekste. Edhe me shokët nuk mblidheshim si më parë “t’ja merrnim “ një “me dhemkë“. Ishte e natyrshme të dëgjonim shumë këngë të huaja gjatë gjithë viteve ‘60, ‘70 dhe ‘80 dhe e dinim që ato që këndonim ne ishin “surrugato” por aq e kishim “takatin” dhe gjithnjë kur dehesh pak të vjen mirë të këndosh këngë të cilave ja u di mirë fjalët. Nga ato të huaja vetëm italianet i njihnim mirë si tekste.

Kështu pas shumë vitesh erdhi “kurbeti” dhe pasi kisha dëgjuar nëpër dasma shumë nga këngët e reja të rrugëve, ika nga Korça pa marrë ndonjë kasetë me këngë korçare. Thuajse hoqa dorë plotësisht nga dëgjimi i këngëve shqiptare. Jo vetëm që nuk më emocionin, por shumë prej tyre më sillnin siklet nga tekstet e dobëta. Këngëve të huaja nuk ja u kuptoj menjëherë tekstin ndaj edhe nëse e kanë të dobët (ka të tilla dhe mes tyre) nuk më bezdisin.

Për çudi, e njëjta gjë i ndodhi edhe nënës sime, me të cilën dëgjonim cd kur bënim rrugë të gjata me makinë. Ndonjëherë këndonim me të disa këngë të mira të festivaleve tona dhe ndonjë këngë korçare shumë të mirë, por nuk ishin raste të shpeshta. E mira nëna ime kishte jo vetëm zë të mirë, por dhe shije të mira muzikore. Nuk shkuam me të në shumë koncerte, por kur shkuam zgjodhëm Hulio Iglesias, Plaçido Domingo dhe Little Toni. Një këngëtare meksikane, Paulina Rubio, të njohur në ato vite, ajo nuk e pëlqeu edhe pse ndenji deri në fund të koncertit.

E megjithatë, veç Iglesias unë nuk dëgjoj asnjë prej tyre. Ata që nxjerr algoritmi njëri pas tjetrit janë Leo Cohen, Majkëll Xhekson, Elvis, Celentano, Mina, Bitëllsat, Dalida, Tina, Nana Mouskuri, Rei Carls, Haris Aleksiu, Lucio Dalla, Pavaroti, Chris Rea, Ginette Reno, Koçante, Ana Netrebko, Balioni, Sinatra, De Andrei, Gwen Stefani dhe shumë të tjerë, por nuk dua ta kaloj numurin 20 të emrave të renditur. Dikush mund të më thotë: “Si është e mundur që nuk dëgjon këtë këngëtar apo këtë grup?” dhe do ja hedh fajin algoritmit, por ai i shkretë vetëm ve ato, që unë kam dëgjuar më shpesh.

Bota e muzikës dhe vetëm ajo e këngës është aq e madhe dhe e larmishme, sa jo vetëm mund të dëgjosh dhjetra e dhjetra, por dhe mund të humbasësh edhe mijëra të tjerë. Për fatin tim të keq, në të nuk ka vend as për “Elita 5”, as për Aurela Gaçen dhe as për Piro Cakon. Po ashtu nuk mund të ketë vend për Vaskë Kakamin.

A më bën kjo snob?

Nuk e di po nuk më bëhet vonë për etiketime dhe as nuk dua të mbroj shijet e mija muzikore.

De gustibus et de coloribus disputandum non est.

(Eshtë thënë dymijë vjet më parë)


Ka diçka thellësisht keq në sektorin e Muzikës në Korçë


Po i hdh këto rrjeshta pa u trembur, se njerëz të paditur do më sulen e të më thonë: “Ku merr vesh ti nga muzika!” Unë vërtet nuk jam në gjendje sot të lexoj një partiturë apo të luaj ndonjë instrument, por kam ndjekur gjithnjë me vëmendje atë botë të bukur, ku Korça ka shkëlqyer. Tek unë kanë ndikuar babai im Andon Mara, që pat shkruar librete për operetë dhe opera, si dhe motra ime, që deri sa shkoi në Universitet luajti violinë në orkestrën sinfonike të qytetit.

Edlira pat qënë në një klasë me instrumentistë shumë të talentuar, si Kostika Tanto, Nadjezhda Jole dhe Lida Vreto, të cilët mbaruan me shumë sukses Institutin e Arteve dhe Kostika kontribuoi shumë në Korçë për mbajtjen e një niveli të lartë të muzikës, kryesisht asaj klasike.

Sot Korça është tkurrur si popullsi, por niveli muzikor është ku e ku më poshtë se sa “tkurrja e popullsisë“. Dhe kjo e krahasuar me të gjithë dhjetvjeçarët e shekullit të XX, duke nisur me vitet ‘20 dhe duke përfunduar me vitet ‘90. Pata shkruar disa herë për nivelin e ulët muzikor të MIK, që pat nisur si një festival shumë shpresëdhënës, për shkak të angazhimit të Inva Mulës, por që nga viti në vit po shkon drejt një Festivali tallavaje. Për tu paguar më pak po angazhohen gjithnjë dhe më shumë artistë me më pak vlera.

Po ku janë instrumentistët dhe këngëtarët korçarë?

Mësoj se shkolla “Tefta Tashko” ka një rënie të frikshme. Në ciklin e mesëm ka vetëm dy violina, një në piano dhe asnjë në çelo, kontrabas dhe violë. Për instrumenta tunxhi duket se mund të mos ketë as pedagogë, por klasat plotësohen me nxënës që mësojnë klarinetë, fisarmonikë, kitarë dhe këngëtarë. Duket që gjithshka është e drejtuar për të krijuar formacione të vogla, që të këndojnë “live’” tavernave dhe të ekzaltojnë klientët me “trrak e trruk kërcet banaku/kërcet vera dhe konjaku”.

Ky është një konceptim tepër tepër semplist i muzikës, që e ka diku origjinën. Ndoshta tek këshilltarët e Bashkisë për artin, Grabovari apo nuk e di se cilët janë të tjerët që këshillojnë Raqkën për muzikën në qytet. Më të shkolluarit për muzikë mbahen çuditërisht larg edhe nga shkolla e muzikës dhe nga Bashkia.

Edhe pse dua të shmang përmendien e emrave të përveçëm, por veprimtaritë bëhen nga njerëzit dhe emrat e përveçëm nuk janë pa rëndësi. Shoh në MIK, që drejton orkestrën e vogël një moshatari im që e kam pasur 8 vjet në klasë. Madje edhe këndon në atë Festival si pjesë e kompleksit. Quhet Piro Viso dhe asnjëherë nuk e kam ditur që këndonte. Ishte një djalë shumë i mirë, modest, që pëlqente të luante në fisarmonikë. Piroja është tani dikush që duhet të jetë në qëndër të veprimtarive muzikore, kur njoh shumë nga bashkënxënësit e mij, që kanë mbaruar Institutin dhe nuk i përfill kush?

Bjerrja në art është më e lehtë se kudo gjetkë. Mjafton të ulësh standartet, të vendosësh në krye patronazhistë si Zamira Kita apo njëfarë Blerta dhe nuk di se kush tjetër dhe e tatëpjeta të jetë e pandalshme. Publiku manipulohet lehtë dhe ul kërkesat. Pastaj mjaftojnë edhe komentet e Raqkës apo të Farmacistes së Ekzaltuar për mbrëmje magjike dhe shohim se nga Korça e Tefta Tashkos, Mihal Cikos, Kristo Konos dhe Thoma Gaqit kemi katandisur edhe më keq se Roskoveci.

Unë e kuptoj, që nuk mund të kthejmë në Korçë violonçelistin Pashko, ose të tjerë instrumentistë dhe këngëtarë të shquar, por kemi mundësi të ndalim këtë rënie.

Mjaft të angazhojmë artistët e vërtetë që nuk duhet të dalin kurrë në pension.


Andon Mara dhe partiakët vendorë


Pa ma thënë drejtpërdrejt, e kam ditur që babai nuk pëlqente ta mburrnin. Veçanërisht nga ne të familjes. Ndonëse e adhuronim, kemi qënë gjithnjë të kujdeshëm për të përmendur tek të tjerët rreth cilësive dhe njohurive të tij. Mjaft bashkëmoshatarë të sime motre kanë mësuar për Andon Marën nga libri im “Biseda të pakryera me babanë“, madje ja kanë shprehur asaj, që si nuk ju kishte treguar më parë.

Por edhe pse e di që po veproj kundër vullnetit të tij, unë po përmend një gjë kryesore, e cila duket se shtrihet në kohë dhe që është marëdhënia e tij me partiakët vendorë.

E emëruan drejtor të Radio Korçës më 1947, pas një përvoje si gazetar në Tiranë dhe sipas njerëzve që më kanë treguar pas vdekjes së tij, solli menëherë një ndryshim në punën e Radios. Për fat të keq, shumë drejtues të partisë në Korçë kishin koncepte të cekëta për gazetarinë në përgjithësi dhe radion në veçanti. I kërkonin mjaft gjëra absurde, si transmetimi 24 orë ose pasqyrim tç çdo veprimtarie partiake, që i solli përplasje me ta dhe veçanërisht me Peti Shambllin dhe Gaqo Pishën. Kjo i kushtoi dhe përjashtimin nga Partia më 1950 dhe transferimin nga Radioja në Muze, si dhe dërgimin për të bërë shërbimin ushtarak.

E rikthyen më 1961 si redaktor, punë që e kreu deri sa doli në pension në vitin 1982. Nuk di nëse ka qënë gazetari që ka punuar më shumë vite në atë institucion, por di që thuajse për një dhjetvjeçar ishte gazetari i vetëm, që mbante në supet e tij të gjitha emisionet e Radios.

Edhe pse shumë i kujdesshëm (jeta e pat bërë të tillë) përsëri përplasjet me partiakët vendorë vazhduan edhe pse jo më në masën e mëparshme. Pati edhe një ose dy herë “vërejtje me shënim në biografi”. Nuk di se kur doli në pension, a e vlerësuan apo jo, (unë kam qënë me studime në Tiranë) por më ngjan se mbeti gjithnjë “delja e zezë“ e gazetarisë së Korçës. Nuk ishte konformist edhe pse nuk ishte disident.

Dhe vimë në ditët e sotme, kur në një përvjetor të RTSH Korça përmendet edhe vazhdimësia e programeve televizive në atë institucion nga puna e mëparshme e Radio Korçës, të krijuar në kohën e pushtimit italian. Si për të vazhduar të njëjtën “histori ndëshkimi” askush nuk e ze në gojë Andon Marën. Ata që e kanë njohur nga afër mund të thonë me të drejtë: “Andon Mara nuk ka nevojë të përmendet nga këta burrecë. Qëndron shumë më lart se gjyshërit dhe etërit e tyre!”

Edhe unë e kam këtë bindje. Emri i tij nuk do tingëllonte bukur në gojën e partiakëve të korruptuar. Ishte e kundërta e kësaj, që sundon sot dhe që është servilizmi, padija, korrupsioni dhe lufta ndaj të vërtetës.

Ai vërtet i shërbeu me dashje apo pa dashje Diktaturës, sepse do “mbante familjen” me një lloj profesioni dhe gazetaria ishte ajo që kishte dashur gjithnjë të bënte. Por edhe pse në kushte censure dhe shtrëngimi ideologjik, u mundua të ruante dinjitetin dhe të bënte me sa i mundej atë që i vlente vërtet shoqërisë, duke u përqëndruar më vonë kryesisht në emisionet rreth artit dhe sportit.

A ka gazetarë që kanë mësuar prej tij?

Unë këtë nuk e di dhe kam pritur ta dëgjoj prej tyre nëse vërtet ka ndodhur. Por edhe nëse nuk ka pasur të tillë, ka shumë në fushën e artit dhe të kulturës, që ma kanë shprehur.

Më fal baba nëse e teprova duke folur mirë për ty!

Friday, 21 August 2026

Marat dhe Dallamangot


I gjeta pranë njëri tjetrit në varrezat e Shën Triadhës të parët e mij dhe disa prej Dallamangove. Lidhja e tyre pat qënë Stambolli, por më vonë edhe ishin lidhur me një martesë. Në varrin e Marave është gjyshi im Naum Andon Mara, nëna ime (gjyshja) Vasiliqi Naum Mara, vëllai i gjyshes Marko Naum Leço dhe xhaxhai im Anesti Naum Mara. Në varrin ngjitur janë Viktori Dallamango, vajza e saj Vasilika Gjikë Dallamango, djali Nesti Gjikë Dallamango dhe gruaja e tij Ollgë Dallamango.

Të gjithë karaktere të spikatur, por sipas të vjetërve, mbi të tjerët ishin Naum Mara dhe Vasilika Dallamango.

Vasilika ka qënë një nga gratë më të bukura dhe më fisnike, që kam njohur. Me një shtat të bukur dhe ecje të drejtë, koka e saj me tipare të bukura, mbyllej hijshëm me një ngritje të flokëve të verdha, që ishte mënyrë e krehjes së grave në vitet ‘30-40 dhe më vonë. Kishte qënë gruaja e dytë e kryeministrit Koço Kota, i cili sigurisht që e kishte marrë për hiret e saj dhe për karakterin. Dukej me të vërtetë një grua kryeministri edhe në kohën kur e kam parë unë në vitet ‘60. E tërhequr, por krenare, e mënçur, por e kujdesshme, e virtytshme edhe në kushtet më të vështira.

Nuk ishin mjaftuar që e kishin internuar pasi kishin arrestuar Koço Kotën. Pasi ishte kthyer nga internimi dhe pat jetuar ndoshta një dekadë me familjen e saj në Korçë e internuan përsëri. Nuk është aspak çudi, që dikush me pozitë në organet e Sigurimit të kishte ndikuar në internimin e saj, pasi ajo kishte refuzuar të binte pre e një manjaku sigurims, i cili shfrytëzonte postin.

Dallamangot dhe Marat ishin oparakë, që kishin zbritur në Voskopojë në mesin e shekullit të XIX. Të parët kishin emigruar në Stamboll dhe pasi kishin punuar, kishin blerë edhe sallahanat (therrtoret) e Stambollit. Kishin marrë në punë shumë e shumë oparakë dhe mes tyre edhe burrat e Marave. Babanë dhe xhaxhallarët e gjyshit tim. Më pas, im gjysh rrinte me familjen në një nga apartamentet e banesës me 4 kate pronë e Dallamangove në Tophane, ku rrinin dhe Gjika me Viktorinë dhe fëmijët e tyre. Atje ishin lidhur edhe me një miqësi më të fortë, sa unë i vogël e dija se i kishim kushërinj. Por Vasilika dhe Nesti ishin rritur me babanë dhe xhaxhanë tim dhe ajo lidhje e fëmijërisë dhe rinisë kishte qënë shumë e fortë. E quanin veten stambollinj. Më vonë, kur të gjithë ishin kthyer në Korçë e kishin mbajtur po aq të fortë miqësinë. Lefterinë, mbesën e tyre, e mblesëruan me xhaxhanë tim Nestin.

Nuk di se si ka qëlluar që varret t’i kenë ngjitur. Ndoshta kur u transferuan varret nga Shën Mëria në Shën Triadhë, dikush u kujdes që t’i merrnin ngjitur. Gjyshërit e mij kishin vdekur para mbarimit të luftës. Të gjithë Dallamangot kanë vdekur pas ndryshimit të vendit të varrezave. Nuk besoj se ka qënë rastësi kjo ndodhje.

Për ata që besojnë në jetën e përtejshme, ka një domethënie kjo afëri. Por dhe për mua që nuk besoj, më vjen mirë kur i shikoj pranë. Ndoshta kanë marrë me vete edhe një pjesë të Stambollit të tyre.

Të mirët dhe të drejtët Dallamangot dhe Marat.


Anthusa


Mjaftonte të përmendej emri i saj dhe unë të sillja në mendje një grua me një trup të lidhur edhe pse nuk e kisha parë ndonjëherë. Dija që ishte një grua e fortë nga karakteri dhe mësuesja e parë e fiskulturës në Korçë, Qysh në kohën e Zogut, kur në shkollat e vajzave të qytetit tim bëhej mësimi i fiskulturës me kilota, ndërsa në shumë pjesë të Shqipërisë vajzat mbuloheshin me ferexhe.

Nuk dija se ku kishte studiuar, por nuk di pse e mendoja si atlete, ndoshta 5 gariste. (Në fëmijërinë time shumëgarëshi për femra ishte jo me 7 si është sot.) Nuk e pashë kurrë, sepse në vitet ‘70 ajo u martua në Elbasan pasi kishte qënë për shumë vite vejushë.

Po kush ishte në të vërtetë Anthusa Osmalli (Katundi)?

Nuk di nëse dikush ka shkruar gjatë për atë pioniere të sportit dhe fiskulturës shqiptare. Edhe kur kërkova në internet pashë se e kisha përmendur vetëm unë në një shkrim dhe Klodi Stralla.

Anthusa kishte mbaruar shkollën “Nëna Mbretëreshë“ në Tiranë dhe jepte mësim në Normalen e Vajzave në Korçë. Sipas Strallës, veç fiskulturës jepte edhe Histori Natyre, një lëndë e veçantë kjo, që nuk ka qënë më vonë në sistemin shkollor shqiptar.

Osmallinjtë ishin një familje e pasur, që njiheshin më shumë për Bar -restorantin “Panda” dhe tokat rreth tij. “Panda” është një nga toponimet më të “konsoliduara” të qytetit, pasi shumë të tjera si Deboja, Metoqi, Katavaroshi, Varret e Turqve, Mëhalla e Lumit e plot të tjera, dora dorës e kanë humbur përdorimin në bisedat e përditshme. Ka qënë e natyrshme, që familjet e pasura të kenë qënë edhe më të emancipuarat dhe që kanë dërguar të studiojnë në Lice ose në shkolla të tjera të njohura në Shqipëri, vajzat e tyre. Anthusa pat qënë ndër të parat. Më pas ndihmoi të emancipoheshin edhe shumë korçare të tjera të të dy feve. Dhe është fakt, që numuri i vajzave jo vetëm në shkollat femërore, por dhe në ato të përzjera sa vinte dhe shtoheshin.

Më pas erdhën “çlirimtarët” dhe vërtet hapën më shumë shkolla dhe mundësi emancipimi. Anthusa tashmë e martuar, vazhdoi të kontribuonte në arsim dhe veçanërisht në “çlirimin” e femrës shqiptare nga paragjykimet dhe prapambetja. Por i përkiste një “bote të lirë“ pa kufizime ideologjike. Shumë e kulturar dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, edhe pse jo hapur si kundërshtare e Diktaturës, ajo parapëlqente të rikthente sa më shumë orë të një bote perëndimore, e cila nuk ishte më e pranishme në Korçë.

Anthusa Katundi organizonte shpesh në shtëpinë e saj mbrëmje mes miqsh, të cilat i quanin “suare” (soiree). Si në kohën e Liceut Francez dhe si në Francë. Mes të ftuarve ishin Sokrat Mio, Sofika dhe Mikel Zavalani, Boris Plumbi dhe plot të tjerë, të shkolluar jashtë dhe të njohur për kulturën e gjërë, që nuk “hynte” dot brenda parimeve të ngushta të ideologjisë komuniste. Gjatë mbrëmjes flitej kryesisht frëngjisht. Në një mënyrë, të pranishmit mundoheshin të përjetonin ato që nuk mund të përjetonin dot më në Francë apo Itali, ku kishin studiuar. Anthusa ja u krijonte atë mundësi.

Një ditë iku në Elbasan dhe bashkë me të “ikën’ edhe suaretë. Nuk kishte filluar ende terrori i viteve ‘73-’82.

Disa vite më pas u largua përfundimisht nga Korca e saj, sepse ndërroi jetë.

E jashtëzakonshmja Anthusa Osmalli.


Shënim: Foto e fillimit të viteve ‘70 në stadiumin Skënderbeu. Anthusa me uniformën e bardhë të gjyqtares së garave të atletikës. 

Thursday, 20 August 2026

Kush e hoqi Koci Zdrulin?!


Temperaturat e pazakonta të gushtit kanë çoroditur krejt Qarkun e Korçës. Shprehja e njohur “gusht e gunë“ nuk ka më asnjë vlerë. Eshtë më nxehtë se në korrik. Dhe vapa e pashembullt ka ndikuar në sjelljen e njerëzve në shumë prej bashkive të Qarkut, që më parë i përkisnin rrethit të Korçës. Janë Bashkia e Korçës, ajo e Maliqit dhe e Pustecit. Turbullimet në të treja kanë qënë vërtet të pazakonta.

E them këtë me bindje, sepse korriku ishte tepër i qetë. Vetëm netë magjike dhe fantastiko-shkencore të Raqkës, Këshilli i Qarkut uronte gjinekologët dhe stomatologët për ditlindjet dhe prefektja Zegullaj shkonte “event më event”. Të gjithë të qetë dhe të gëzuar.

Dhe ja, pikërisht pas BirrëFest, ku Raqka u pa të pozonte si Luftëtari Kombëtar me një krikël me birrë në dorë, gjithshka doli jashtë kontrollit. (raqka nuk duhej të ngutej me marrrjen e atributeve të Luftëtarit Kombëtar dhe për më tepër një Luftëtari , që në vend të pushkës mban një krikël nga ato që në kohën e diktaturës kushtonin 14 lekë të vjetra,)

Shulet po ngrenë flamurin e Maqedonisë së Veriut, kërkojnë pashaporta bullgare dhe nuk luajnë Himnin e Asdrenit; në Bashkinë e Maliqit shfaqet një plak me bastun që duket sikur ka dalë nga pjesët teatrale të dikurshme në Maliq të vëna në skenë nga i ndjeri Orgocka;mbi të gjitha, në Muzeun e Dardhës janë zhdukur fotot e Koci Zdrulit. Eshtë vërtet një çrregullim me dimensione nacionaliste, transcedetiale dhe ndërtimoro-fantazmagorik. Korça do të pushtojë Maliqin, por po bën lëshime në Pustec dhe nuk lëshon Dardhën. Do ketë ndryshime të kufijve?

Kush e hoqi Koci Zdrulin?

Edhe në Dardhën e freskët njerëzit kanë dalldisur. (Dardha që ka qënë gjithnjë pjesë e krahinës së Devollit tani administrohet nga Bashkia e Korçës.) Prania një ndërtimi stërmadh të Ben Blushit i ka çorientuar të gjithë. Si për të mbuluar problemin e lejeve të dyshimta të ndërtimit të dhëna nga Ligaveci Gollash, dikush heq natën pa hënë fotot e Koci Zdrulit. Lind pyetja krejt legjitime, si tek “Kush e solli Doruntinën?”

Dikush dhe për një arsye të fshehtë e ka hequr dardharin e njohur Zdruli!

Grekët, shulet apo armiqtë e brendshëm?

Vapa nuk po bije.