Kjo parrullë, që më kujton të vjetrin shënim “Ruhuni nga Boja”, i cili përdorej në Shqipëri kur luheshin mjediset ose stolat e parqeve me bojë vaji, ishte pak a shumë esenca e një paralajmërimi në Instagram, që më bëri një bashkëatdhetar që banon në Boston. Quhet Mirel Sharrxhi dhe ka të ngjarë të jetë me origjinë nga Korça, ndonëse sharrxhinj ka pasur në të gjithë Shqipërinë. Gjithsesi, shkaku i paralajmërimit ishte një koment i imi, në një postim të tij të një skene nga filmi i mirënjohur i Caplinit “Diktatori”. Kisha vënë re në postime të mëparshme të tij, që ishte një përkrahës i flakët i MAGA-s, ndaj dhe komenti im kishte të bënte me Trump, që nuk është shumë larg mendësisë për tu bërë një Diktator, i cili vendos për të gjithë botën.
Përgjigja e Sharrxhiut, ishte që ne po flinim dhe nuk kuptonim se po hynte Kina, por ankoheshim për SHBA-në. Nuk di nëse e kishte për mua si shqiptar që banoj në Kanada, apo di se jam një shqiptar që banoj në Korçë. Gjithsesi ai më paralajmëroi për Kinën.
Unë u kujtova për kohën kur isha fëmijë dhe me shokët prisnim që shokët kinezë që ndihnin për ngritjen e TEC-it, Uzinës së Instrumentave dhe të ndonjë fabrike tjetër në Korçë, të na jepnin ndonjë distinktiv me fytrën e Maos. “Kinez nëm një stemë!” ishte kërkesa për njerëzit me sy të vegjël dhe me rroba si uniformë doku. Dukeshin paqësorë dhe edhe pse të huaj, vetë nuk kam pasur ndonjëherë bezdi prej tyre. As qeshja shumë kur talleshin në mënyrë bajate në estradat shqiptare, pasi u prishëm me ta.
Këtej njoh shumë të tillë dhe janë përgjithësisht miqësorë, edhe pse është e vështirë t’i kuptosh nëse janë të gëzuar, të mërzitur apo gjithë inat. Një popull krejt i ndryshëm nga ne ballkanikët.
Po le të kthehemi në paralajmërimi se Kanadanë po e “pushton” Kina, ose se Shqipëria rrezikon të bjerë nën ndikimin e shtetit kinez.
Unë nuk di se sa është “rreziku kinez” për Shqipërinë edhe pse kam parë në gjithë qytetet mesdhetare “shokë kinezë“ që kanë biznese të vogla dhe shëtisin rrugëve apo hipin në mjetet e transportit publik. “Invazioni kinez” është një realitet i vendeve të pasura dhe më pak të pasura. A paraqesin ata rrezikshmëri për të marrë në të ardhmen kontrollin e këtyre vendeve? A janë një pjesë spiunë të regjimit hibrid komunisto-kapitalist kinez?
Do doja të kisha përgjigje të saktë rreth këtyre dy pyetjeve, por nuk jam në gjendje t’i rrok plotësisht me mendje. Kina me këtë sistem të përzjerë, është vërtet një realitet i pazakontë dhe ndoshta i rrezikshëm. Gjithashtu fakti që po përhapet shumë në Afrikë, një kontinent tashmë i injoruar nga SHBA dhe Europa, e shton më tepër një shqetësim të logjikshëm timin. Pa pasur panik dhe pa u preokupuar se kinezët do marrin në dorë kontrollin e Kanadasë.
Por nëse është kush që po i ndih kinezët për të rritur ndikimin e tyre në botë është pikërisht Trump me politikat e tij , të brohoritura nga MAGA dhe sharrxhinjtë e Bostonit, Teksasit apo Montanas. E gjithë politika e tij agresive e tarifave ndaj Europës dhe Amerikës Latine, e gjithë sjellja mbështetëse e genocidit në Gaza dhe përfshirja në luftën ndaj Iranit, e gjithë politika e shkatërrimit të USAID dhe e largimit nga Institucionet Ndërkombëtare, kanë qënë në dobi të komunistit Xi dhe të Partisë të tij.
Ndaj mua nuk më trembin politikat liberale të vendeve të zhvilluara kapitaliste, por pikërisht politikat e verbra dhe agresive të Trump dhe të të tjerëve të ekstremit të djathtë, që kanë qasje të njëjta ndaj Kinës.
Sigurisht që ka një problem të madh për rendin botëror, dhe që është marrja me dhunë nga Kinezët e Taivanit. Eshtë po aq i vjetër sa është edhe shteti komunist me popullsi mbi një miliard. Një luftë në atë rajon rrezikon edhe më shumë se sa ka rrezikuar lufta ruso-ukrainase apo edhe kjo e fundit e Iranit. Unë uroj të mos ndodhë se do ketë përfshirjen e Amerikës, Japonisë dhe të Koreve. Por rrezikut se kinezët mund të marrin në kontroll Kanadanë, ose se ideologjia e tyre mund të infektojë kanadezët, shqiptarët, grekët dhe italianët, mund t’i përgjigjem lehtësisht se është një rrezik imagjinar, i sajuar në “think tanks”, të cilat janë ose pa shumë mend, ose ju shërbejnë interesave të caktuara militariste.
Shpesh flitet se Kanadaja duhet të mbrohet më mirë nga një rrezik militar, që mund t’i vijë prej Arktikut nga Rusia dhe Kina. Më duket tërësisht i sajuar. Le që kinezët nuk kufizohen me zonat e Arktikut edhe pse mund të kenë ambicie të hynë në ato zona për të përfituar nga pasurit natyrore.
Nuk ka pasur ndonjëherë luftë në Arktik.
Ndaj nuk i trembem Kinës, por i trembem Trump dhe ekstremistëve që mendojnë si ai.
Sa për Mirel Sharrxhiun them se dhe ai vetë duhet të trembet më shumë nga virusi MAGA që ka marrë se sa nga shokët kinezë, të cilët mbase nuk i ka parë në Shqipëri kur shëtisnin në grup të veshur me uniformat e tyre civile prej doku.
No comments:
Post a Comment