Thursday, 4 June 2026

“Revolucioni” Flamingo


Duket që me ardhjen e tyre nga Europa Perëndimore, flamingot po na kujtojnë se duhet të bëjmë përpjekje për t’u integruar plotësisht në Kontinentin të cilit i përkasim dhe ku pretendojmë se jemi më të vjetrit.

Eshtë e çuditshme se si ndodh, që nga një incident jo shumë i madh, të pëlcasë një revolucion. Nuk është e para herë që ndodh në nbotë, por hera e parë që duket se do ndodhë tek ne. Dhe Vendi i Shqipeve tani nuk ka simbol të Lëvizjes as Shpendin kombëtar, as Dashin me këmborë, as Dhinë e egër, por një shpend të panjohur më parë, ngjyrë rozë dhe tepër elegant.

E tillë duket edhe protesta deri tani. Të rinj të veshur mirë, paqësorë dhe të qëndrueshëm, Në një “koloni” që sa vjen dhe shtohet. Që nëse vazhdon të rritet me këtë ritëm nuk do e mbajë dot i gjithë bulevardi i madh duke shtuar këtu edhe Sheshin Nënë Tereza dhe atë Skënderbej.

Nuk njoh asnjë prej atyre që rrjeshtohen në ballë të lëvizjes, veçse kur shoh në ndonjë video në Instagram Arlind Qorin. Nuk di nëse është një tregues i lavdërueshëm apo jo që nuk ka VIP-a, por më vjen mirë që nuk shoh Elena Kadarenë dhe Ardit Gjebrenë që protestonin dikur para zyrave të SPAK. Nuk di se ç’ka ndodhur me Bert Ndrenikën, por ai ndoshta stërvitet brenda një qelije në shtëpi, që të jetë i përgatitur për vitet kur do zëvendësojë Erion Veliajn.

Të gjithë folësit flasin shqip, ndonëse do më pëlqente që në të ardhmen të vijnë edhe të rinj europianë, për tu solidarizuar me këtë protestë-lëvizje, që tani, edhe pse ka si simbol flamingon është kthyer në një Lëvizje për të rikthyer demokracinë në Shqipëri.

Pikërisht këtë kthesë të sotme unë e përshëndes fort, sepse duket që asnjë manovrim i Ramës nuk do e ndalë dot. Viti i 13 i sundimit duket se po i kthehet në një vit ters arrogantit Rama.

E megjithatë le të mos hapim shishet e shampanjës, se është shumë herët. Po mund të kremtojmë zgjimin e rinisë së kryeqytetit. Dhe vetëm këto lloj zgjimesh mund të rrëzojnë Autokratët. Sepse pushteti i Ramës, sado solid në dukje është kufjo nga brenda. Si çdo pushtet që nuk mbështetet tek simpatia e popullit, por në vjedhjet, frika, në pazaret me krimin e organizuar dhe në marifetet me ndërkombëtarët e korruptuar ose kaqolë. Edhe brenda Kazermës së Ramës ka njerëz të shumtë që mezi e presin shpëtimin prej tij. Njerëzit që drejtojnë me dorë të hekurt ngjallin urrejtjen edhe tek shërbëtorët më të bindur. Nuk është çudi që pas dy-tre javësh, minjtë të nisin të largohen nga Gjemia e drejtuar nga Kapidon Edi.

Por le të analizojmë shkurtimisht se sa është mundësia që Flamengot ta rrëzojnë Ramën.

Unë nuk do nxitohesha të thesha shprehjen në modë në Tiranë“ nuk ka shans” të mbetet Kryeministër. Dikush që është në pushtet dhe që largimin prej tij e quan si katastrofë nuk mund të largohet lehtësisht. Ndaj protesta veç masivitetit kërkon edhe orientim të qartë politik dhe mënçuri. Askush nuk ka ndonjë recetë për këtë (unë akoma më pak se nuk kam qënë ndonjëherë në drejtimin e ndonjë proteste) dhe si e përmenda më lart, e tillë protestë me prirjen për tu kthyer në Revolucion, nuk ka ndodhur në Shqipëri prej kohës kur u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës.

Në rast se e gjithë Lëvizja nuk ka një Lider ose një grup Udhëheqës të përcaktuar dhe pranuar në unanimitet, me ide të qarta dhe me një plan të qartë se ç’duhet të ndodhë në Shqipëri pas dorëheqjes së Ramës, ajo nuk do ketë mbështetjen e Europianëve. Mbështetje nga SHBA të mos pritet se në lojë janë interesat e familjes Trump dhe çdo përfaqësues amerikan do abstenojë ose do rreshtohet kundër Lëvizjes.

Fuqitë e mëdha (me të drejtë) nuk e duan Kaosin. Në dosjet e tyre ne ende figurojmë si një popull me pak kulturë demokratike dhe që e shkrehëm shtetin në vitin 1997. Ndaj ata mund të trokasin në derën e Ramës dhe t’i thonë “Nuk ke mbështetje në popull!” në çastin kur të shohin që Shqipëria nuk do përfshihet në Revolucion të vërtetë, nga ata që sjellin Kaos.

Ndaj edhe populli “flamingo” duhet të dijë se rrëzimi i këtij “të padurueshmi” nuk është kaq i lehtë. Cdo “arbitër” i papanshëm do ju kujtojë udhëheqësve të Lëvizjes, se pse nuk e rrëzuat me votë një vit më parë. “Rruga” është e domosdoshme për të ushtruar trysni, por europianët nuk do ja lenë fatin e vendit ballkanik në dorë “rrugës”. Ata do kërkojnë garanci se protestat do ndalen nëse Rama dhe qeveria do japin dorëheqjen do shpërndahet Parlamenti dhe do zhvillohen zgjedhjet e lira pa protestues nëpër këmbë. “Kjo është e lehtë“ mund të thonë lehtësisht shumë protestues, por nuk është krejt kështu. Të huajt nuk duan vetëm premtimin e Udhëheqësve. Duan të dinë se sa e kanë ata në kontroll Lëvizjen, se sa janë në gjendje që këtë Lëvizje ta kthejnë në një Formacion politik konkurues. Sepse nëse kjo nuk ka gjasa dhe Rama arrin t’i vjedhë sërish votat, atëhere askujt nuk i vlen kjo kohë e humbur.

Gjithsesi kjo është një analizë e shpejtë dhe e shkurtër e imja, bazuar mbi një informacion të pakët.

Dua edhe unë shumë që Rama të bjerë, për këtë nuk mjafton vetëm dëshira!

Ju priftë e mbara të dashur Flamingo!

No comments:

Post a Comment