Se sa i shëmtuar është pushteti i Partisë së Edi Ramës (nuk kam për ta quajtur më në shkrimet e mija PS edhe për arsye të kursimit të gërmave) shihet nga reagimi në studiot televizive i “shërbëtorëve të moderuar” të Liderit, që mund të personifikohen mjaft mirë në personin e “xhiko” Ekonomit. (Ju kërkoj ndjesë lexuesve të mij që nuk pëlqejnë epitetet fyerëse, të cilat ulin nivelin objektiv të shkrimeve të mija. Por po ju them që më duket si “xhiko” në kuptimin e mirë të kësaj fjale. Dikur e kam bërë edhe për Hillëri Klinton dhe Milva e jonë duhet të jetë krenare që po e vendos në një nivel me ish Sekretaren e Shtetit, gjithashtu ish senatoren amerikane.)
Milva Ekonomi ka krijuar profilin e një profesionisteje të studiuar mirë, që është e përmbajtur në çdo demonstrim partiak dhe që është dikush që ka kontribuar në shkencë për t’ju kushtuar politikës. Dhe nuk është dëgjuar të përflitet për korrupsion gjatë kohëve që ka pasur disa portofole në qeveritë 1, 2, 3 të Ramës. Por jo vetëm komentet e saj “të përmbajtura” në disa biseda rreth Revolucionit Flamingo, por edhe pamja e saj në një video “të përzishme” ku fliste Rama para deputetëve, më shtynë të shoh pak se nga vjen Ekonomi.
Milva ka studiuar (nëse nuk gaboj) në Kamzë dy vjet pas meje. Tek Wikipedia shkruahet se ka mbaruar për Ekonomi dhe Statistikëë në Kamzë, gjë që është e pamundur, se nuk ka pasur ndonjë Degë të tillë në atë kohë. Kamza kishte degën Ekonomi Agrare dhe vetëm këtë. Ekonomistët që përfundonin Kamzën ishin kryesisht llogaritarë dhe planovikë kooperativash dhe fermash bujqësore dhe nuk e kishin mundësi të ishin ekonomistë të shkëlqyer.
Edhe pse mund të duken si fakte të dorës së fundit, por një pikë origjine e një profesionisti që angazhohet në politikë shpesh shpjegon edhe motivet. Dhe unë dyshoj tek të gjithë profesionistët që kanë mbetur për një kohë të gjatë në “qerren e Edi Ramës”.
Por për të sqaruar se përse unë po merrem me “kallëpin” Ekonomi është se si këta “të moderuarit”, që nuk sulmojnë agresivisht apo nuk shajnë, janë edhe më të rrezikshëm se ata të llojit “Balla” apo Bido” a “Noka” dhe “Paloka”. Janë këta që e ndihin më shumë autokratin Ram për të ndenjur gjatë në pushtet.
“Kallëpi” Ekonomi është i atyre që dikur quheshin “qingji i butë që pi dy nëna”, që nuk i prishin punë asnjëherë Udhëheqësit, sepse as e kritikojnë dhe as e kundërshtojnë. Kjo kategori njerëzish merr poste më të larta se meriton, por e krahasuar me postet që marrin të pazotët e shumtë në dy partitë e mëdha, këta janë tërësisht të justifikuar faqe botës. Edhe “korrupsionin” e kanë të moderuar se i hapin rrugën atij të “bosit” po pa u përfshirë vetë dhe duke përfituar rrugës diçka të vogël edhe mundësisht “brenda ligjit”.
Për këtë “kallëp” përmbysja e Liderit është po aq tragjike sa për Ballukun, Ballën dhe Nokën.
Sepse ekzistenca e tyre e privilegjuar është e lidhur pikërisht me Liderin. Këta nuk kanë as bindjet (e majta në këtë rast) dhe as profilin e lartë të një profesionisti të shkëlqyer.
Ndaj edhe “xhiko” Ekonomi, me dinakëri dhe kujdes në studio përsërit një për një pikat e stërthëna nga Edi Rama por me një ton të ulët. “Kemi marë 850 mijë vota”, “ne e kemi udhëhequr vendin më mirë“, “pagat janë dyfishuar”, “ne kemi bërë të funksionojë më mirë drejtësia”, “nga të arrestuarit nga SPAk ka dhe që kanë dalë të pafajshëm” dhe të tjera gënjeshtra dhe çerek të vërteta të përsëritura prej saj, të cilat janë përpjekjet e vazhdueshme për t’i shërbyer Padronit.
E gjithë kupola drejtuese e Partisë së Edi Ramës është “e kalbur” dhe duhet të mos jetë më në politikë. Unë dyshoj shumë edhe në masën e madhe të anëtarëve të partisë së Edi Ramës që janë në administratat vendore.
Dhe “ky qelb i madh njerëzor” që është mbledhur pas pushtetit duhet të pastrohet nëse duam të shëndodhim shoqërinë shqiptare.
Në të kundërt do mbetemi “robër” të Ramës dhe”ballave”, “xhafajve” dhe “xhikove” të tij.
No comments:
Post a Comment