Sunday, 14 June 2026

Vizioni i “Shqipërisë së Re” duhet të jetë larg atij të Arlind Qorit


E kam ndjekur me shumë simpati prej pandemisë veprimtarinë politike të Arlind Qorit. Madje ndoshta edhe para se të niste “Bashkë“ si një forcë politike. Kam menduar se kjo është e Majta e vërtetë, e cila duhet të zëvendësojë PS-në e Ramës, që nuk është një parti e majtë dhe nuk ka qënë e tillë edhe kur e mori pushtetin Fatos Nano më 1997.

Partia Socialiste degjeneroi në një “Parti e Udhëheqësit”, sepse ndoshta e tillë ka qënë mendësia bazë e bërthamës së saj që në krye të herës. Pas vitit 2009 u nënshtrua si “Yes-parti” që miratonte çdo gjë që theshte Lideri i saj. Dhe me që Rama nuk kishte asnjë ideologji edhe Partia Socialiste katandisi e tillë, “një turmë arrivistësh” që synonin prej një posti të thjeshtë në administratë dhe deri në qeveri, ku mund të kishin edhe “llokma” të mëdha. Nuk i bëhej vonë për sindikatat, për shtresat në nevojë, për minoritetet, miratonte ligje në favor të super të pasurve kundër çdo gjëje, që përbën bazën e interesave të partive të majta kudo në botë.

Ndaj për mua alternativa “Bashkë“ ishte e domosdoshme për shqiptarët që janë në nevojë. E vetëquajtura LSI ishte një tjetër palaço-parti, që funksiononte vetëm në funksion të familjes Meta- Kryemadhi dhe mundësisë për të qënë pjestare në qeverisje. PSD e Gjinushit ishte një “yes- parti”, që u shit nga “pronari” i saj tek Tom Doshi. Dhe shitja ka qënë vërtet në para për xhepin e Kryeakademikut.

Ndaj minatorët, gratë e fasoneve, studentët që nuk paguajnë dot qeratë, pensionistët që nuk blejnë dot ilaçet, romët dhe minoritete të tjera nuk kanë qënë të përfaqësuar as në Kuvend dhe askush nuk është kujdesur për ta.

Rama ka qënë një semiDiktator më shumë i djathtë se i majtë.

Ndaj lëvizja e Arlind Qorit, me konseguencën e saj, me manifestimin e ndershmërisë, me veprimet në mbrojtje të papërfaqësuarve, me denoncimet për korrupsionin dhe oligarkët, arriti të jetë “motorri” i Revolucionit Flamingo. Për të mirën e Demokracisë shqiptare.

Por edhe pse e kam parë me shumë simpati, edhe pse ja njoh meritën e madhe në këtë tonditje “sizmike” në jetën e shoqërisë shqiptare, unë nuk dua që vizioni i “Shqipëria e Re” të jetë vizioni i Qorit. Madje edhe në rast se bëhen zgjedhje të parakohëshme, nuk dua që Arlind Qori të bëhet Kryeministër i Shqipërisë.

Po rrjeshtoj më poshtë të metat që kam konstatuar tek formimi filozofiko-politik i Arlindit.

  • Vështrimi i super të pasurve si e keqja kryesore e botës së sotme

  • Zhvillimi i Shqipërisë duke mbështetur vetëm shqiptarët dhe mundësisht shqiptarët e bizneseve të vogla.

  • Aplikim të politikave shtetërore që shpien drejt një lloj barazitizmi të shqiptarëve në shfrytëzimin e të mirave natyrore të Shqipërisë.

  • Qëndrim skeptik ndaj investimeve të korporatave të mëdha ndërkombëtare.

  • Qëndrim thuajse antiamerikan në marëdhëniet ndërkombëtare.

Ndonjëherë më duket se Arlindi është edhe më majtas se Janis Varufakis, ish ministri i financave të Greqisë, i njohur për përplasjet me gjermanët në kohën e pas krizës së vitit 2007-2008. Dhe Varufakis mund të konsiderohet si “thuajseMarksist”.

Nuk është vendi në këtë shkrim për të diskutuar se a kishte të drejtë apo jo Marksi tek “Kapitali”, por unë nuk dua të stigmatizoj marksizmin (në ekonomi) edhe po qe se Qori e sheh me simpati ose nuk do t’ja dijë për të.

Vetë e shoh të domosdoshme, që Shqipëria e Re duhet të jetë më pranë ideologjisë së Qendrës së Djathtë, me një fjalë:

  • Shfuqizim të ligjeve që i japin dorë shtetit të prekë pronat e palujtshme të individëve.

  • Decentralizim sa më të madh të pushtetit.

  • Reduktim të aparatit shtetëror qëndror dhe atij vendor.

  • Krijimin e kushteve sa më të mira për thithjen e kapitelit serioz të huaj veçanërisht duke përmirësuar sistemin e Drejtësisë.

  • Luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe tentakulave të tij në administratë.

Dhe kudo në botë, më të shumtën e këtyre ndryshimeve e bëjnë partitë me ideologji të Qëndrës së Djathtë.

Unë dua që “Bashkë “ të shtohet në numura dhe të marrë pjesën më të madhe të elektoratit të PS-së nëse kjo është e mundur. (Flas gjithnjë nëse do kemi zgjedhje të parakohëshme.) Por nuk dua të ketë një shumicë parlamentare, që t’i lejojë të kryesojë një qeveri të majtë, sipas vizionit që ka ai për një vend europian.

Gjithsesi, nëse ngjarjet do rrokullisen në një mënyrë të tillë, që Rama të rrëzohet dhe të shpallen Zgjedhje të Parakohëshme dhe këto të mbahen pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor, njerëzit do votojnë të lirë dhe do zgjedhin atë qeveri që do dojë shumica. Ndaj edhe unë bashkë me njerëz të tjerë që mendojnë si unë, do jemi të detyruar të pranojmë që është fitore.

Fitore e Demokracisë për një Republikë Parlamentare funksionale!

No comments:

Post a Comment