Wednesday, 17 June 2026

“Korçarët e vranë lepurin, lepurin e pafaj!”


Para disa ditësh, një miku im më tha: “Po u ngrit Korça në protestë është tregues se nuk e ka të gjatë i Gjati!” Buzëqesha dhe nuk e mora si “aksiomë“, pasi mendoj se çdo lloj proteste mund t’ja arrijë qëllimit, po qe se ngrihen në masë në Tiranë. Veç miku im donte të nënvizonte idenë se nëse edhe korçarët “frikamanë“ ngrihen në revoltë kundër pushtetit, atëhere ky i fundit ka për tu përmbysur shpejt.

Kjo më bëri që të përdor këtë perifrazim nga “Makbethi”, për të treguar se edhe korçarët e vranë “lepurin që kishin në bark”.

Po a është e vërtetë se ne kemi më shumë frikë se të tjerët, të themi se vlonjatët, shkodranët apo elbasanllinjtë?

Historia tregon të kundërtën, se ne kemi nga të parët që kemi ngritur kokën atëhere kur ishte domosdoshmëri Mëvetësia dhe po ashtu kemi protestuar të organizuar në kohën e Zogut, më shumë se në çdo qytet tjetër. Por diçka ndodhi në mënyrë sistematike gjatë viteve të Diktaturës, që Korça e humbi shpirtin e saj rebel. Dhe ndonëse u ngrit në masë për rrëzimin e sistemit monopartiak, në krye të asaj Lëvizjeje kishte shumë figura të dyshimta, që sollën më vonë një mosbesim të madh tek korçarët ndaj protestave dhe lëvizjeve popullore.

Por bashkimi me Protestën në Tiranë duhet përshëndetur fort, edhe pse nuk ka mundur të mbajë një pjesëmarrje të lartë në qytet, si atë të ditëve të para. E megjithatë duhen përgëzuar ata që dalin në shesh si dhe të gjithë ata , që e marrin mikrofonin për të shprehur indinjatën. Thuajse nuk i njoh shumicën e tyre. Më ra në sy një inxhinier ndërtimi, të cilin e kam njohur dhe e kam vlerësuar si njeri, por nuk kam pasur rastin ta njoh profesionalisht. Foli mirë dhe mbi të tjera përmendi edhe ndërtimin e Kullës Vrojtuese, si një ndërtim tepër të shëmtuar, që dëmton pjesët qëndrore të qytetit. I dhashë të drejtë edhe pse mendova: “Ku ishe ti kolegu im 12 vite më parë kur nisi të ndërtohej Kulla?”

Historia e Kullës famëkeqe, më ka bërë të mendoj se “lepuri në bark” ishte i vërtetë. Kullën e patëm një peshqesh të keq nga Rama, por edhe nga frika jonë dhe nga mungesa e solidarizimit. E marr me mend se në ato ditë, në shumë kafene në Korçë zhvilloheshin biseda mes kolegëve “Po ç’e kanë atë llahtarri që po ngrenë?”, “Po prishet sheshi o që aq pak sheshe kemi?, si dhe qëndrime të moderuara si “Ta shikojmë një herë si do dalë? apo “Po edhe në botë ka kulla!”

Dhe nuk u ngrit kush, por u detyruan 7 arkitektë korçarë që banojnë në Boston dhe në Kanada, t’i shkruanin një letër të hapur zv.kryemistrit të asaj kohe, Niko Peleshi. Asnjë mbështetje nga arkitektët dhe inxhinierët korçarë në Korçë dhe në Shqipëri. Madje edhe dy urbanistë korçarë në Amerikë nuk pranuan të firmosnin letrën “se kishin njerëz të afërt në detyra shtetërore”.

Sigurisht kjo që po ndodh, përfshi këtu edhe fjalën e mbajtur thellë në gjoks për 12 vjet të inxhinierit 75 vjeçar është një shënjë e mirë. Madje do thoja shumë e mirë. Njerëzit më në fund po mësojnë nga Brezi Z se nëse nuk solidarizohen dhe nëse nuk dalin shesheve do shtypen e përbuzen gjithnjë e më shumë. Ishte diçka që brezi im duhet ta kishte mësuar prej viteve të Diktaturës, por për fat të keq ose nuk e dinte, ose zgjidhte atë rehatin e “këndit” para televizorit dhe theshte me vete: “E mo le të ngrihen të tjerët se kush rri dhe merret me këta të Bashkisë!”

“Ata të Bashkisë“ duke marrë zemër nga “fitorjet mbi fitorjet” e arritura edhe në sajë të kryeministrit, që thërriste se “Korça po bëhej me Eifelin e saj”, vazhduan me të tjera “zullume” në ndërtime, të cilat nuk po i rrjeshtoj më poshtë, se kam shkruar në mënyrë të përsëritur.

Por “lepuri i pafaj” është vrarë tashmë dhe unë shpresoj shumë, që brenda barqeve tona mos ketë lënë ca lepurushë të tjerë të vegjël.

Ndaj protestoni bashkëqytetarët e mij!

Kini qënë të parët që i kini mësuar Shqipërisë se si duhet të krijojë organizata esnafore, shoqata kulturore dhe shoqërore, sindikata dhe si të protestojë kundër regjimeve. Tashmë, edhe pse në vagonat e fundit të trenit, tregoni se jini mendërisht të lirë dhe se kjo liri ju bën që të ngriheni kundër çdo tiranie. Edhe kësaj të mediokërve të korruptuar, që sundojnë tash e 35 vjet.

No comments:

Post a Comment