Unë nuk kam ditur se kush është Gentian Toshkëzi. Megjithatë padija nuk është mëkat. Më tërhoqi vëmendjen kjo foto e tij me Lara Trump dhe u kujtova që sikur e kisha parë këtë emër në një nga “galat” që propagandon Filantropistja e shquar shqiptaro-amerikane Fotini Kokeri.
Ishte e vërtetë. Kur kërkova më tej rreth Toshkëzit mësova se është një nga neokirurgët e famshëm amerikanë dhe është diplomuar në Tiranë e më pas edhe në Amerikë, ku ka shkëlqyer. Vërtet për t’u admiruar nga të gjithë dhe për tu ndjerë krenar si shqiptar. Doktro Gentiani është vetëm 44 vjeç dhe ka arritur në majat e një profesioni, që është me të vërtetë shumë i vështirë. Shpesh në biseda në Amerikën e Veriut, operacioni në tru konsiderohet si maja e dijeve, po aq sa shkenca e aeronautikës. “It’s not brain surgery!” (Nuk është operacion në tru) e thonë shpesh kur diskutimi është rreth një problemi jo shumë të vështirë.
Doktor Gentiani ja ka arritur në një kohë rekord dhe pa lindur e rritur në Amerikë. Eshtë vërtet rezultat i tokës shqiptare, arsimit shqiptar dhe cilësisë së Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Sigurisht që është një njeri i jashtëzakonshëm.
Por përse ky gjeni duhet të postojë diku një foto me Lara Trump dhe të shkruajë edhe fjalë entusiazmi për takimin me të?
Dikush mund të hidhet e të më thotë se “pse kam alergji për familjen Trump?” Unë vërtet kam alergji për atë familje, por gjithashtu kam alergji për fotot me të gjithë të ashtuquajturit VIP-a, që nuk kanë asnjë vlerë as në fushat shkencore apo të artit, si dhe të fushave të tjera humanitare. Ndonjëherë më bezdisin edhe fotot në takimet me Papën, të cilat reklamohen sikur ai që takohet me të është një njeri i përdëlluar dhe për këtë arsye Papa e ka pritur në audiencë. Vite më parë qarkullonin foto të Tom Doshit me Papa Franceskun dhe nuk ishin të krijuara nga Inteligjenca Artificiale.
Nga se vjen kjo mani për të bërë foto me politikanët dhe me njerëz të tjerë pranë tyre?
E kuptoj se politikanë “legena” të vendeve të ndryshme, i duan fotot me Trump ose me gjumashin Xho për t’ju treguar popujve të tyre se kanë mbështetjen e Amerikës. Po Gentian Toshkëzit (dhe të tjerëve njerëz me vlera) ç’i duhet fotoja me Lara Trump, të cilën jo vetëm e bën, por dhe e propagandon në rrjetet sociale?
Për ata lexues që nuk kanë kohë të shohin në Google se ç’është Lara Ynaska, po jo them shkurt se ka vetëm një diplomë baçelor nga një universitet i zakonshëm dhe ka bërë edhe një vit ose dy në Institutin e Gatimit Francez në Nju Jork. (Në kohën e Diktaturës në Tiranë kjo lloj shkolle quhej Akademia e Pilafit.) Ka patur disa punësime në televizione kryesisht në sajë të lidhjes me familjen Trump pasi është martuar me Erikun, djalin e dytë të Presidentit. Edhe ky një kastravec i tëri, që nuk ka shkelqyer në asgjë.
Të tjerë njerëz, që e njohin “lojën” e qarqeve të larta në Amerikë dhe në vende të tjera Perëndimore mund të thonë, se Gentianit i duhet “të luajë lojën”. Duke qënë shumë larg niveleve të tilla, unë nuk e kuptoj përse një neurokirurgu të famshëm i nevojitet fotoja me Laran, e megjithatë, sepse nuk e kuptoj unë nuk ka pse të merret si “herezi”.
Por kur do të kthehen ato ditë kur Paganini i thoshte Mbretit: “Paganini non ripette!” apo Mozarti i linte me gisht në gojë fisnikët që nuk ishin plotësisht të vëmendshëm ndaj asaj që ai luante në piano?
Janë këto dhe shumë e shumë raste të tjera gjenijsh të papërkulur ndaj “Potentëve”, që kanë frymëzuar gjithnjë studentët më të mirë të shkencës dhe arteve. Që duhet të respektonin vetëm Shkencën dhe Artin dhe jo sundimtarët kokëboshë.
Nuk dua në asnjë mënyrë të kritikoj Gentian Toshkëzin për një foto. Vlerat e tij janë shumë herë më të mëdha edhe sikur të bëjë foto edhe me Donald, Xi, Putin, Netanjahun dhe Edi Ramën. Do ja falja të gjitha sepse ajo çka bën është mijëra herë më e fuqishme se dobësia e dhjetra fotove me VIP-a kot.
Ajo që më shqetëson është vrapimi që mund të bëjnë studentët e Mjekësisë, që ëndërrojnë të bëhen si Toshkëzi, për të patur foto me të fuqishmit, që janë edhe pengues të shkencës, si mund të ishte “the Donald” ndaj Covid apo Ngrohjes Globale.
Njerëzit e shquar kanë një ndikim të paimagjinueshëm tek fëmijët dhe të rinjtë. Ndaj duhet të jenë të kujdesshëm në gjithshka që bëjnë
Dr. Toshkëzit nuk i duhet fotoja me Laran. Mirë është mos e mbajë as në albumet e tij personale.
Dhe kjë është një këshillë nga një vdekëtar i zakonshëm, që ka kuptuar se sa i dëmshëm është për cilindo shoqërimi me njerëz pa vlera edhe pse mund të jenë të rëndësishëm ose shumë të pasur.

No comments:
Post a Comment