Thursday, 11 June 2026

Shqipëria është vërtet e vogël


Ndonjëherë vendi im më duket i vogël. Eshtë i vogël, por gjithsesi janë rreth 3 milion njerëz. Po të llogarisësh edhe sa kanë ikur nga kjo jetë, numuri bëhet shumë i madh. Ndaj jo vetëm nuk mund të njohësh të gjithë shqiptarët , por edhe sikur një përqindje shumë të vogël syresh t’i kesh takuar janë shumë.

Qëllon që dëgjoj në tv ose lexoj në shtyp emra dhe mbiemra të njohur. Disa janë njerëz me të cilët kam këmbyer dy fjalë, të tjerë janë fëmijë njerëzish që kam njohur dhe ka madje edhe nga ata që lidhen me rrëfimet e tim eti. Fjala vjen nuk kam njohur asnjë nga Kondët, por meqë im atë i përmendte shpesh dhe i vlerësonte, ndonjëherë më duken si njerëz që i kam njohur. (Duhet të korrigjoj pasaktësinë, se Vera Kapo, vajza e Vito Kapos rrjedh nga Kondët për shkak të së jëmës dhe e kam patur dy vjet pedagoge në Universitet)

Dje hasa në një lajm të shkurtër, që vajza e Dashamir Dinit, ankohej për PS-në e Shkodrës, që nuk kishte treguar mirënjohje për kontributin e të jatit në festimin e 35 vjetorit të formimit të Partisë Socialiste. Me keqardhje mësova se Dashamir Dini nuk ishte më në jetë.

U ktheva në kohë, në vitin e largët 1977 dhe u mundova të kujtoj se si isha njohur me Dinin dhe si qëlloi që bëmë një “xhirro” të gjatë në bulevardet e Shkodrës.

Ishte shtator dhe edhe pse shkolla sa kishte nisur ishim me disa shokë të mij në një turne me Teatrin e Kukullave të Korçës për të dhënë shfaqje në disa qytete të veriut. Ndërtesa e teatrit të kukullave të Shkodrës ishte në mes të një lagjeje të vjetër. Nuk jam i sigurt nëse jo larg saj ishte një kishë apo një xhami, por në ato vite i shihnim me të njëjtin sy, si vende ku ishin “manipuluar” mendjet e njerëzve.

Regjisor i tetarit të Shkodrës ishte shkrimtari Jonuz Dini dhe ndoshta në zyrën e tij jemi njohur me Dashamirin. Ai atë kohë ishte student (besoj se në Institutin Luigj Gurakuqi) dhe u tregua mjaft “dashamirës” me mua dhe shokët e mij, që ishim ende maturantë.

Dolëm shëtitje atë pasdite të ngrohtë shtatori dhe folëm kryesisht rreth letërsisë. Nuk kishte tema të shumta për të biseduar me dikë që posa njiheshim dhe mbase ishte 3-4 vjet më i madh. Ishte i gjatë dhe i pashëm dhe i tillë ishte edhe i jati tij. Nuk jam i sigurt nëse Jonuzi kishte njohje me babanë tim, por di që një ose dy libra të tij i kishim në shtëpinë tonë. Nuk kujtoj aspak se ç’lloj libra ishin.

Shumë vite më vonë më kapi veshin në tv emri i Dashamirit si kryetar i Partisë Socialiste për Shkodrën dhe u habita. Veçanërisht në vitet e para pas dhjetorit 1990, më dukeshin “të pazakontë“ ata shqiptarë të brezit tim, që ishin anëtarë të Partisë socialiste. Ndoshta ishte një paragjykim i imi i asaj kohe, por edhe sot, kur kam parë dhe dëgjuar shumë, kam mësuar edhe më shumë të vërteta rreth jetës, ende nuk i kuptoj dot ata që kishin mbaruar Universitetin dhe nuk ndjeheshin të zhgënjyer nga Partia e Punës.

Ishte për mua si të mos dalloje dot të bardhën nga e zeza. Aq e qartë.

Nuk kishte nevojë as të hyje në PD, as ta mbështesje e të votoje për të, por që të mbeteshe ose të bëheshe anëtar i Partisë së Punës ka qënë diçka që nuk arrija ta kuptoja. Në rastin e Dashamir Dinit, ishte edhe tregues i një kurajoje të madhe, sepse bëhej shef i socialistëve të Shkodrës, në qytetin më antikomunist të Shqipërisë.

Gjithsesi, më vonë mësova për të tjerë shkodranë të njohur, që ishin anëtarë të Partisë Socialiste, ndaj u binda se Dashamir Dini nuk ishte i “izoluar” në qytetin që ka Kishën e Madhe, Kafen e Madhe, Arrën e Madhe dhe thuajse gjithshka tjetër të madhe që është në Shqipëri. Por dhe tani që PS e Shkodrës është bërë “e madhe”, se jo vetëm që ka fituar Bashkinë, por ka edhe më shumë deputetë në Kuvend, e ka harruar një nga njerëzit më të vendosur dhe të sakrifikuar të saj. Sepse vërtet duhet të ketë mbajtur shumë sulme në kurriz Dashamir Dini në vitet e para pas Diktaturës.

E thashë që në krye, që Shqipëria shpesh më duket e vogël. Ndoshta këtë perceptim jo të vërtetë e kam edhe si pasojë e kujtesës. Mbase po të mbaj mend më pak dhe të kem edhe euforinë e socialistëve shkodranë, Shqipëria do më duket gjithnjë e Madhe.

Prehu në paqe Dashamir Dini!

Të paktën vajza lufton për të mbajtur gjallë kujtimin tënd.

No comments:

Post a Comment