Monday, 2 November 2026

Tërheqja, që kam pasur nga kultura “e rrugës” (3)


 (vijim)

Por veç prirjes për të mësuar sa më shumë “çapkënllëqe”, për të cilat të mijtë nuk do më lavdëronin, deri në fund të shkollës fillore, nuk bëja ndonjë gjë të madhe. Ishte më shumë ndikimi i njërit nga shokët e mij të mëhallës, i cili ishte dy vjet më i madh, nxënës shumë i mirë në të njëjtën shkollë, rebel dhe me mjaft “veprimtari subversive” për moshën. Kishim përbërje familjare gati identike. Prindërit përafërsisht sa të mijtë dhe një motër 5 vjet më të madhe. I zoti në të gjithë lojërat, por tepër i ç’interesuar në lojërat me top dhe në ndjekjen e ekipeve të Korçës. Edhe atij i pëlqenin librat dhe veçanërisht filmat. Por pëlqente edhe bënte “paudhësira”. Nga ai mësova të pija cigare (shumë rrallë), kur isha 10-11 vjeç, si dhe të dilnim natën për të thyer ndonjë poç qelqi nga të rrugëve me llastikë, veprimtari që i quanim “njësiti guerril në veprim”. As e kisha vrarë mendjen se përse e bënim, por ndoshta nga që ishte diçka e ndaluar, që na bënte të vraponim me një frymë për t’u kthyer në shtëpi.

Historitë e tij të “grindjeve me mësueskat’ në shkollë, thuajse i përsërita me fanatizëm edhe unë në klasat e 8 vjeçares. Ndoshta donim të binim në sy, ndoshta nuk kishim shumë durim të dëgjonim mësimin, por gati njëlloj, nuk studionim dhe as i bënim detyrat e shtëpisë. Nga të gjithë djemtë e mëhallës, përfshi këtu edhe moshatarët, ishte njeriu me të cilin kisha më shumë dëshirë të shoqërohesha. E çuditshme, se ndonëse të dy ‘zullumqarë“ ishim ndër të paktët mes fëmijëve dhe adoleshentëve, që nuk “prekëm’ asgjë në dyqanin e Bonbonerisë.

Gjatë verës, por edhe në kohët e shkollës, ne kalonim shumë orë në Bonboneria poshtë pallatit. Në disa vite, kur punonin tre shitëse “solidare” (ende i kujtoj emrat e tyre), të familjarizuara me ne, sa na linin të hynim pas banakut, na jepnin akullore pa para, dhe ne ju jepnim ndonjë ndihmë kur ju vinte furnizimi. Mua më kishin lënë ndonjëherë edhe të shisja. Por dashamirësia e atyre grave u kthye në një të keqe të tyre, se një pjesë e adoleshentëve filluan të “vidhnin” jo vetëm ëmbëlsira, por edhe paketa cigaresh me filtër. Nuk di pas sa kohësh, ato arritën të dallonin, që kishte një mospëputhje në iventarin e tyre dhe pa shumë zhurrmë , ju ndaluan djemve dhe disa vajzave të përzjeheshin në punët e dyqanit. Eshtë një nga njollat më të mëdha të fëmijëve të atij Pallati. Ishte kaluar shumë masa e çapkënllëqeve fëminore.

Unë nuk e mësova duhanin dhe as më shijonte kur e ndizja, por edhe blija ndonjëherë ndonjë paketë “Drini” (kishte 10 cigare) bashkë me një shok tjetër të mëhallës. I fshihnim në një vrimë muri, sepse nuk mund t’i merrnim me vete në shtëpi. Nuk di se ç’fusnim në gojë pasi kishim pirë duhan, se mua më dallonin menjëherë. Nuk pinte njeri duhan në shtëpi dhe e kisha të vështirë të kaloja pa u diktuar. Ndoshta kjo më shpëtoi edhe në vitet e adoleshencës, kur pjesa më e madhe e djemve bëhen “duhanxhinj”.

Në katër vitet e shkollës 8 vjeçare, një ndikim tek “mëhalla e Bonbonerisë“ patën edhe të tjerë djem, të cilët nuk jetonin në Pallatin tonë, por e kalonin gjithë pasditen dhe mbrëmjen tek ne, pasi ishin shokë shkolle me disa nga djemtë tanë. Ishin edh ta që sollën “kulturën e rrugës’ pasi ishin të apasionuar pas biçikletave, automobilave, çapkënllëqeve, por edhe shkeljeve të ligjit. Disa shokë të tyre, u arrestuan për vjedhje të Muzeut të qytetit, ku synimi kishte qënë më shumë për disa armë dore trofe. Ideatori dhe drejtuesi ishte Solomonika, që kishte mjaft shoqëri me adoleshentët, që ishin tashmë pjesë e “mëhallës”. Ishte një ngjarje, që linte mbresa se dhe dënimet me burg nuk patën qënë të lehta. “Legjenda” e Solomonikës (ishte nofkë dhe jo emri i tij) na bënte të gjithëve të kishim ëndërra, për të hapur dyert e zyrave të drejtorisë së shkollës, për të vënë nota të mira në rregjistrat e shkollës. Por nuk besoj se tentuam ndonjëherë ta bënim. Nuk ishim të aftë në përdorimin e “çelçsave kopilë“ apo marifeteve të tjera për të bërë veprime të tilla.

“Agresiviteti” im ndaj autoriteteve pat kulmuar vetëm në thyerrjen e xhameve të shtëpisë së nëndrejtorit të shkollës, fqinj i joni, që më duhet të pranoj se na binte shumë më qafë në shkollë dhe në kohën e lirë. Ishte një njeri tepër i vogël, që bezdinë nga zhurrmat, që bënim ndërsa luanim me top pranë dritareve të tij, mundohej ta “ndëshkonte” duke na keqtrajtuar me fjalë (kryesisht mua) në shkollë. Nuk jam penduar kurrë për atë xhamthyerje, se gjithnjë kam menduar se meritonte edhe më shumë për meskinitetin e tij.

Kishte dhe një mënyrë të poshtër ndëshkimi fizik për djemtë, që i kapte pas asaj pjese të flokëve, që quhet favorita, ndonëse nuk jam i sigurt në e ka ushtruar tek unë. Nuk guxonte, sepse e dinte, që po ta mësonte im atë, nuk do e kishte të lehtë ta justifikonte.

(vijon)

Financuesi i Xhefrit dhe histori të ngjashme


Xhefri i Epsheve si “shtytës të parë“ ka patur miliarderin Les Uexner (Leslie Wexner). Besimi që pati Les tek Xhefri ka ]uditur gjithmonë njohësit e botës së financave. Bujaria e tij ndaj manxherit të tij, kalonte edhe bujarinë e të pasurve për fëmijët e tyre.Shpesh është aluduar se lidhja ka qënë shumë e dyshimtë dhe vazhdoi për 20 vjet, deri në arrestimin e parë të pedofilit famëkeq, Gjithsesi nuk ka qënë e konfirmuar se e ç’lloji ishte.

Raste si ky nuk janë edhe fort të rralla. Ndodh shpesh që njerëz shumë të pasur “sevdallisen” pas njerëzve të veçantë, që mund të jenë artisë, shkencëtarë, njerëz me projekte futuriste biznesi dhe shpenzojnë shuma të mëdha për ta. Nuk është e thënë që natyra e lidhjes të jetë romantike apo erotike. Aq më pak perverse, sepse ka shembuj edhe të pasunarëve, që shpenzojnë shuma të mëdha për perversitete.

Ndaj jo çdo lloj marëdhënieje, duhet analizuar me mënyrën thjeshtuese të interesit financiar, të afektit romantik, apo një lidhjeje të fshehtë homoseksuale. Eshtë një spektër shumë i gjërë, i cili nuk ka pse të kanalizohet vetëm në dy tre mënyra të cilat shpjegohen lehë dhe të arrish në konkluzionin: Ja prandaj X- e ndihmoi aq bujarisht Y-in!

Po rrjeshtoj më poshtë, një rast që nuk është 100% si po e shkruaj, por nuk është as i pavërtetë.

Një njeri i pasur takohet me një profesionist të mirë në një vend perëndimor. I pëlqen natyra e tij, mënyra se si sillet, sinqeriteti, paraqitja dhe duke pasur edhe interesa biznesi të ngjashme, futen në një marëdhënie të tillë, Të dy shohin se partneriteti edhe pse nuk ze më shumë se 20% të kohës së sejcilit , është i frytshëm dhe i pëlqyeshëm. Pas 6 muaj të njohjes, pasunari mëson se profesionisti ka qënë shahist i mirë në rini, por për arsye karriere, nuk e ndoqi dot ëndërrën. Përshkrimi pat qënë prekës dhe i pasuri mendon t’i bëjë një dhuratë miku të tij. I planifikon pjesëmarrjen në një turne në Palma de Majorka, dhe angazhon edhe dy tre trainerë, që ta ndihmojnë të rifreskojë njohuritë e tij të shahut. Shuma që harxhon është e madhe dhe shahisti, që ka hezituar ta pranojë qysh në fillim, ndjehet shumë i detyruar. Në turne del i fundit, sepse nuk mund të matet me shahistë të nivelit dhe ndonëse e falenderon “sponsorizuesin”, ndjehet keq.

Vitin e ardhshëm ndodh e njëjta gjë, tashmë në Islandë, e njohur për turnetë e famshme shahistike të Bobi Fisher. Shahisti me endërr të parealizuar përsëri del i fundit dhe shuma që ka shpenzuar “sponsori” është edhe më e madhe.

C’duhet të mendosh duke e parë nga jashtë këtë partneritet të dy njerëzve me një njohje të vonshme në jetë, që kalon nga biznes i pjesshëm, në miqësi dhe më tej në “dhurata” tepër luksoze.

Altruizëm? Respekt i pakufi? Dëshirë për të ndihur dikë të realizojë ëndërrën?

Apo një marëdhënie e ngjashme me atë të Les Ueksner me Xhefrin e Epsheve?

Këtu, avokati im, si çdo avokat i qut, pyetjeve do i përgjigjet me pyetje:

Po ç’punë kanë njerëzit me marëdhënien mes të pasurit dhe shahistit të mbetur në tentativë?


Sunday, 1 November 2026

Tërheqja, që kam pasur nga kultura “e rrugës” (2)

(


vijim)

 Gjatë verës, veçanërisht paraditeve, në sheshin pas pallatit nuk kishte shumë lojëra fëmijësh. Ndoshta disa nga adoleshentët punon diku, a mbase nga vapa, sheshi nuk ishte shumë i përshtatshëm për të luajtur futboll, ndaj ose luanim në tarracën e pallatit ose shkoja nga shtëpia e tetos.

Tarraca e Pallatit tonë ishte shumë e veçantë dhe nuk kishte të tjera të ngjashme në banesat kolektive, Ndoshta hoteli që kishim ngjitur, e kishte të një karakteri të ngjashëm se kishte edhe disa dhoma fjetjeje dhe shërbimi, por jo ndërtime të tjera të Korçës. Madje tarracat ishin të rralla se ndërtesat, edhe ato të mëdha ishin të mbuluara me çati. Në projektin fillestar ishin parashikuar edhe shtretër me lule dhe gjelbërim, por nuk ishin realizuar, Në disa nga ato shtretër, të izoluara mirë me kartoserë dhe bitum mbi to, provonim të sajonim ndonjë lloj “pishine”, sepse na pëlqente të bënim “plazh” në korrik dhe në gusht.

Luanim dhe lojëra të tjera, por jo me top, se e kishim provuar dhe topi na binte poshtë. Ishte bela madhe, që të zbriste dikush e ta merrte.

Nuk isha mes guximtarëve për kalimin në zona “të rrezikshme” të tarracës. Ndoshta kisha frikë nga lartësitë, ose isha më i kujdesshëm, se nuk provova kurrë të kaloja në traët e betonit, që ishin thuajse ngjitur me hapësirën mbi trotuar. Shumë më të rritur se unë, por edhe më të vegjël më vonë, kalonin edhe me shpejtësi në to dhe ka qënë një lloj mrekullie, që nuk ndodhi kurrë ndonjë aksident fatal.

Por edhe në tarracë nuk ishte aq e thjeshtë të hyje. Në të dy hyrjet, nga ku mund të hyej nëpërmjet një dere, kishte çelçs, që mbahej nga një familje për hyrje, të cilëve duhet t’ju kërkoje çelësin pasi kishe shpjeguar qëllimin se përse do ngjiteshe. Kur dyert hapeshin se dikush nga të rriturit ndente rrobat apo bënte diçka tjetër, edhe ne të vegjlit vërshonim për të luajtur në të . Ishte vërtet një mjedis shumë i këndëshëm gjatë verës.

Më shumë më pëlqente të shkoja nga shtëpia e tetos, se atje jo vetëm që kishte më shumë mundësi për të luajtur, por ishte dhe djali i tetos, katër vjet më i madh se unë, që më plotësonte vendin e një vëllai më të madh. Maqoja ishte jo vetëm i mirë me mësime, por dhe shumë i shkathët. Kishte cilësi të një udhëheqësi mes moshatarëve dhe më të vegjëlve, sepse luante shumë mirë futboll dhe dallonte edhe në lojëra të tjera. Vraponte shumë shpejt, por nuk u përfshi as në atletikë dhe as në futboll. Ndoshta tetoja ime, kishte të njëjtin qëndrim “antisport” si mamaja ime. Trembeshin se mos vriteshim po të luanim futboll me ekipet e moshave të “Skënderbeut”.

Me djemtë e asaj mëhalle shkonim nga parku Rinia dhe në kodrat rreth tij, kryesisht për të vrarë zogj me llastikë. Unë nuk kisha të tilla dhe me disa të tjerë tëvegjël ndiqnim nga pas “gjuetinë“ e më të rriturve. Kisha dëshirë të përdorja llastikën, për të qënë në një nivel me “nishanxhinjtë“ e rritur, por nuk kisha ndonjë kënaqësi, kur shihja zogjtë, që binin të vrarë nga gurët e lëshuar me forcë nga llastikat. “Gjuetarët” entusiazmoheshin, por më i miri, për të vrarë micakë dhe verdhashë, ishte Tika i Mames. Zogjtë e vrarë i merrnin me vete dhe ktheheshim në shtëpinë e sime tetoje dhe pasi i ç’pendosnin, ajo i shkonte në tigan me gjalpë dhe i hanim. Maqoja ishte më entuziasti, se ishte shumë “mishngrënës”. Zaten në atë shtëpi të gjithë ishin pas mishit, përfshi këtu edhe macen Kashtanka.

Kishe raste që vinin për disa javë dhe të tjerë kushërinj të parë tanët, që jetonin në Lushnjë dhe “ekipi” bëhej i plotë për çdo lloj lodre dhe djallëzish. Ato kohë mësova të luaja me letra xhol, kupa dhe uist, i cili më vonë u përhap shumë në Shqipëri dhe u emërtua “pesëkatësh”. Maqoja luante mirë me letra dhe me dam, por edhe bënte ndonjë hile. E megjithatë mua më mundte rregullisht. Nuk luanim shah, se ai s’kishte në shtëpi, por besoj se nuk do kishte dashur të luante me mua, se nuk i pëlqendte ta mundja. Mua më kishte mësuar të losja im atë dhe qysh në fillore luaja mirë.

Ndonjëherë shkoja me të edhe në pishinën e qytetit, por nuk di pse ishte e vështirë të hyje. Mbase Korça ishte qytet i madh dhe numuri i atyre, që donin të “laheshin” në korrik ishte shumë i madh, por e kujtoj që ishte vështirë për biletë hyrëse dhe unë ende nuk dija mirë not, por rrija në pjesën e cekët të pishinës të të rriturve, ndërsa im kushëri notonte në gjithë pishinçën, që ishte me përmasa olimpike. Nuk e mësova notin në atë pishinë, por gjatë dyjavorëve, kur shkonim familisht në bregdet.

Edhe pse tetoja më thoshte të rrija për drekë, kisha porosi të kthehesha në shtëpi para orës dy, kur ktheheshin të mijtë nga puna dhe e hanim drekën bashkë. E mbajtëm gjithë jetën “ritin” e të ngrënit drekë dhe darkë të katërt. Ishte një kohë, kur në mënyrë “rigoroze”, të gjithë zinim vendet tona dhe hanim duke këmbyer edhe ndonjë muhabet. Ime motër ishte gjithnjë në shtëpi gjatë verës, duke u kujdesur për shtëpinë, duke lexuar ose qëndisur. Nuk e tërhiqnin lojërat e shesheve dhe rrugës. Ndonjëherë shkonte në shtëpitë e shoqeve të saj, por përsëri duke u marrë me biseda dhe ndonjë qëndisje. Ishte “çupë e tapinosur”. Nuk e kujtoj mirë nëse studionte violinë gjatë verës, por edhe nëse e bënte, ishte gjatë kohës kur unë isha “sokakëve”. Nuk doja të kthehesha shumë para babait në drekë, se ime motër më vinte të fshihja pluhurat, gjë që e kam urryer dhe vazhdoj ta urrej me gjithë shpirt edhe sot.

(vijon) 

Tërheqja, që kam pasur nga kultura “e rrugës”


Kur isha “bajagi” i rritur dhe isha bërë me fëmijë, më pat rënë në sy, se ime më çuditej me njohuritë, që kisha unë rreth “kulturës së rrugës”. Edhe pse flisja më hapur me të, nuk i tregoja hollësi për paudhësitë, që kisha bërë në fëmijëri, rini dhe më vonë. Gjithnjë pata mbajtur një “arsenal” me të fshehta, që nuk ju tregohen prindërve, për të mos i merakosur, por edhe për të mos dëgjuar vazhdimisht qortime të bezdisshme. Sepse qortimet edhe kur janë të drejta janë të bezdisshme.

E kam menduar gjatë jetës, rolin që ka luajtur “kultura e rrugës” në formimin tim. Duke e krahasuar me të motrës sime, që edhe pse mund të ketë më shumë intelekt se unë, shumë gjëra nuk i kupton, pikërisht sepse nuk ka pasur ndikimin e kësaj “kulture”, madje as njohuritë bazë të saj. Mbetet një grua e përkorë, të cilës jo rrallë duhet t’i japësh ndonjë shpjegim për sjellje dhe manovrime të njerëzve.

Nuk di nëse edhe vetë mund të kisha mbetur i tillë nëse nuk do e kaloja fëmijërinë në “Bar Korça”. Mjedisi luan një rol shumë të madh në formimin e një vogëlushi dhe numuri i madh i fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, kryesisht meshkuj, në Pallatin ku banoja, ishte i madh. Sigurisht që ata kanë ndikuar së tepërmi, por edhe prirja ime për të mësuar rreth botës së “zullumeve” më ka ndihmuar.

Në pallatin ku rrinin 24 familje, kryesisht me kryefamiljarë komunistë, kishte një larmi profesionesh, fushash të jetës, origjinave fetare, por edhe krahinash. Kryesisht ishin korçarë, por kishte edhe leskoviqarë, pogradecarë, skraparlinj, kolonjarë por edhe lebër. Patjetër që do kishte ortodoksë, muhamedanë dhe bektashinj, por duke qënë se thuajse të gjithë ishin komunistë, nuk kishte fetarë fanatikë. Por ndryshime në zakonet familjare patjetër që kishte. Nuk kishte katolikë.

Përgjithësisht familjet kishin nga tre fëmijë dhe më shumë. Unë e ndjeja mungesën e një vëllai, sepse ishte një botë, ku ndonjëherë edhe kishe nevojë për mbrojtjen nga një më i rritur, ndonëse marëdhëniet midis fëmijëve dhe adoleshentëve ishin përgjithësisht shumë të mira.

Adoleshentët (ata që nuk kishin shkuar ende ushtarë) ishin të ndryshëm, por mbizotëronin “zullumqarët”, që bënin sherre, luanin kumar dhe vidhnin ndonjë gjë të vogël në depoja e Bar-Korçës. Madje një herë kishin vjedhur edhe pastet në karrocën e një karrocieri memec, që furnizonte bonbonerinë. Unë isha 5-6 vjeçar dhe këto bëma i dëgjoja plot interes dhe mrekullohesha nga guximi i të rriturve, që bënin gjëra, për të cilat prindërit na qortonin rreptë. Më pas, adoleshentët u bënë ushtarakë, mekanikë, mësuesa fiskulture dhe familjarë të mirë, por ndikimi i tyre, tek ne më të vegjëlit pat qënë i madh.

Unë nuk shkëlqeja në lojërat e zakonshme edhe pse doja të luaja gjithë ditën. Isha mesatar në futboll, jo shumë i mirë me cingla dhe ashikë, por mjaft i mirë me “komant”. Ndoshta më i miri në lojën me “pulla”, që ishte një lloj kumari, sepse duke fshehur një sasi me pulla poste pas, kundërshtari duhet të zgjidhte një mënyrë renditjeje dhe krahasohej shuma tënde me shumën e tij dhe në varësi të çmimit të pullës dilte edhe fituesi. Një herë, një më të rrituri, thuajse ja fitova të gjithë librin me pulla, por pastaj ja ktheva, se nuk e kisha të lehtë, të shpija aq shumë pulla në shtëpi. Edhe pse mund t’i fshija, nuk ishte kaq e lehtë, për një fëmijë në fillore, që flinte në një dhomë me të motrën.

“Presioni” i shtëpisë bëri, që mos isha kurrë i mirë në të shtënë me llastikë. Një që kisha timen, mezi e fusja në xhepe dhe e fshija nën parket, në dhomën time, se të shtëpisë nuk më linin të mbaja atë “armë“ aq të dashur për fëmijët e brezit tim. Edhe pse “rebel” si natyrë, e kisha të lehtë të rebelohesha në kopësht dhe në shkollë por jo në shtëpi. Atje rrija si “ëngjëll” dhe shpërtheja jashtë më pas.

E tillë ishte marëdhënia në familjen tonë. Babanë e adhuronim dhe e dëgjonim të gjithë, fjala e mamasë gjithashtu ishte ligj dhe unë kisha frikë edhe nga ime motër, që është pesë vjet më e madhe se unë. Ajo shpesh ishte me mua edhe më e rreptë se prindërit.

(vijon)

Nëntori i Kuq dhe mirupafshim pas 12 vitesh


Mendoja të largohesha nga FB, kur Rama të jepte dorëheqjen, sepse të nxisja njerëzit për të qënë në krah të Flamingove, kishte qënë arsyeja, se pse kisha hyrë pas 12 vitesh në atë platformë. Zhgënjimi i dy miqve të mij, me gjendjen e shoqërisë shqiptare, më humbi durimin dhe shpresën se rënia e Ramës do jetë e shpejtë. Megjithëse , shpesh ka ngjarje krej të befta, që sjellin rrëzimin e një Autokrati. Por nëse ndodhin nuk do jenë rrjedhojë e trysnisë, që ushtron shoqëria shqiptare.

Largimi i “paralajmëruar” sigurisht që do më sjellë një rifitim të “lirisë“, sepse platformat sociale shoqërohen me një lloj obsesioni, ve]anërisht për mua, që nuk jam imun nga obsesionet. Ka shumë gjëra, që të tërheqin në diskutimet me të njohurit dhe të panjohurit, por kryesorja është se të kënaq budallallëku njerëzor, i cili është i pacak dhe i larmishëm.

Kupton edhe ca fytyra të vërteta, pasi i ke ngacmuar dhe ]jerrin “maskat buzëqeshëse” që mund të kenë mbajtur për vite të tëra.

Me një fjalë nuk ka qënë një kohë e shkuar kot, por po kthehej në një humbje kohe me shumë pak kënaqësi shpirtërore në këmbim. Ndaj u largova dhe duke qënë dikush, që do të bëjë “hyrje” dhe “dalje” të bujshme, bëra postimin e fundit, që po e ve më poshtë. E gjjiha kjo e “ hyrjes dhe daljes” më kujton “grand entrance” të Kramer në një gala. Unë ende nuk kam mundur të bëj “ferk” kur hyj në një gala, ndaj vanitetin tim e ushtrova me një “dalje dinjitoze” nga FB.


Rihyra në FB pas 12 vitesh. Kur sa kishte filluar Revolucioni Flamingo. Me idenë se mund të ndikoja edhe në dy tre vetë për t’i mbështetur të rinjtë shqiptarë të skandalizuar nga keqqeverisja dhe arroganca e Ramës. Gjithashtu me shpresën se do mësoja shumë gjëra, pasi në një shesh plot me të rritur gjithnjë mëson.

Dhe vërtet mësova shumë. Disa po i rrjeshtoj më poshtë.

Mësova se në Shqipëri ka shumë njerëz të mirë, që në një mënyrë janë garancia se një ditë gjërat do bëhen si në vendin ku jetoj.

Mësova se njerëzit janë bërë shumë më të dashur me njëri tjetrin dhe fjalët e ngrohta dhe lavdërimet mes tyre janë shumë herë më të mëdha se fjalët e ashpra.

Mësova se edhe pse duket sikur po fle, qyteti ku kam lindur jo vetëm që ka potenciale, por edhe është në zgjim e sipër për t’u rikthyer në ditët më të mira të shkëlqimit të dikurshëm.

Mësova se në fushën e arteve dhe kulturës, në të gjithë vendin, por edhe në Korçë ka gjenij, ikona, legjenda, princër, kollosë dhe aristokratë.

Mësova se bashkëqytetarët e mij janë shumë më të ndjeshëm se më parë, po qe se kritikon paçet dhe serenatat.

Mësova edhe të tjera gjëra, por tani këto më vijnë shpej e shpejt në mendje.

Asnjëherë në jetën time nuk e kam dashur shkollën dhe tani e kuptoj arsyen. Nuk më nxë truri shumë ndaj e kam shumë të vështirë të mësoj shumë e shumë gjëra. Kjo është arsyeja kryesore, që po largohem nga FB. Gjithashtu m’u duk se jo vetëm që nuk ndikova dot në dy tre vetë për të mbështetur protestat, por kam frikë se kam bërë të kundërtën.

Tani, që po hyn Nëntori i Kuq i Shqipërisë po largohem me shpresën se po të jem gjallë e gëzuar do të rikthehem pas 12 vitesh.

Ju dua të gjithëve, edhe ata me të cilët kam këmbyer fjalë jo të hijshme, sepse jini njerëz të mirë, me të cilët më bashkon gjuha e nënës dhe kujtimet.

Një dyzinë vitesh kalon shpejt!

Mirupafshim!