Të gjithë e thërrisnin Babuc. Ndoshta pas krahëve, se kur kam patur rastin të bisedoja me të, unë i drejtohesha Taqo. Ishte djali i tretë i një familje në gjendje të mirë ekonomike, me mbiemër Skali. I jati, Gorçi, ishte farmacist, por pasuritë kishin qënë kryesisht nga e jëma, e cila ishte “pe të Godeve”. Godet kishin “bërë kurbet” në Misir dhe ishin kthyer me shumë pasuri, si shumë burra korçarë që kishin punuar në Egjipt.
Ishte rritur mes bollëkut, por edhe në një marëdhënie disi të pazakontë familjare, që tregohej edhe nga shprehja “mos u bëj si Babucët”, sepse djemtë e familjes nuk duronin , por shkonin dhe hanin pjesën e tyre të lakrorit që në furrë. Babuc ishte nofka e Dhimitrit (Taqos), por ju vishej të gjithë vëllezërve edhe pse Kostelloja dhe Lekoja ishin gjithashtu të njohur në qytet. Vëllai i madh kishte vdekur i ri.
Taqoja ishte më i njohuri edhe për faktin se nuk kishte punuar kurrë në një punë shteti. E kishte “refuzuar” sistemin e kolektivizimit dhe punoi deri vonë privat. Nuk di nëse ishte apo jo një marangoz i talentuar, por edhe në moshë të thyer punonte. Klientët i kryesisht nga fshati dhe artikulli më i njohur i prodhimeve të tij , ishte “sëndyq për pajë“.
Ishte një personazh jo vetëm i veçantë i qytetit, por edhe shumë simpatik. Mbi të pat bazuar Teodor Laçoja, Platon Bubuqin e librit dhe filmit “Përballimi”. Por për të bërë një libër apo film për Babucin do duheshin vëllime dhe seri të tëra. Ishte dikush që edhe sot e kam vështirë për ta futur në një “tip” nga ata që njihen në botë nga sociologjia, psikologjia, antropologjia apo të tjera shkenca humanitare që merren me studimin e karaktereve të njerëzve.
Nuk mund të them se kishte sindromin e Peter Pan, sepse kishte mbetur në mendje dhe veprime i ri dhe jo fëmijë. Dei në fund të jetës së tij. Por një i ri i veçantë, që i përkiste një bote të kaluar. Diku në vitet ‘30, që kishin qënë edhe vitet e lulëzimit të Korçës. Dhe Babuci i përkiste totalisht Korçës. Nuk di nëse pas Luftës së Dytë kishte shkelur në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë.
Në punishten e tij (për fat të keq nuk kam qënë ndonjëherë atje) mblidheshin gjithnjë adoleshentë dhe të rinj. Ndoshta ndonjë edhe e ndihmonte për ndonjë “bërje sëndyqesh” ndonëse nuk di të kem dëgjuar se dikush ka mësuar zanatin e marangozit nga Taqo Babuci. Punishteja ishte vend “llogjesh”, shakash dhe mburrjesh të rinjsh për forcën apo mprehtësinë e tyre. Personazhi kryesor ishte Taqoja, i cili mbetej gjithnjë atje, se “djemtë“ ose iknin ushtarë ose martoheshin. Babuci nuk u martua kurrë.
Kur e kam pyetur një herë (duhet të ishte në të 60-tat) ;“Taqo po ti pse s’martohesh tani?” mu përgjigj: “Përse të martohem apo t’i mbaj poçen e t’i them - Mitera do të derdhësh ujët?” Ishte i vendosur për të mos u martuar, por ndoshta ishte diçka në familje, se veç Kostellos, të tjerët mbetën deri në fund beqarë.
I pëlqente të hidhte batuta me rimë, gjë që ndoshta kishte qënë një traditë e hershme e Korçës. Kënaqej kur dëgjuesit e rinj qeshnin me mprehtësinë e rimave komike të tij edhe pse më të shumtat i kishin dëgjuar me dhjetra herë. “Rimoku” më i famshëm në Korçë kishte qënë doktor Bilbilushi e ndoshta Babuci donte të ndiqte gjurmët e tij, por doktori kishte qënë më i larmishëm në rimat e improvizuara. Ndoshta mbi të , Dritëroi kishte krijuar një personazh tek “Njeriu me top”. Gjithsesi, mundet që devolliu i famshëm e kishte njohur edhe Taqon, sepse Lekoja, i vëllai, kishte qënë poet dhe aktor i njohur në qytet.
Mes korçarëve, sidomos mes adoleshentëve dhe të rinjve qarkullonin historitë, ku personazhi qëndror ishte Babuci, që nga ndërhyrjet tek mësuesit për të pranuar në shkollë “djemtë“ e tij që iknin nga mësimi dhe deri në ato të pëllumbave. Ishte një tjetër pasion i tij mbajtja e pëllumbave. Ishin plot “pëllumbaxhinj” në Korçë, që konkuronin për pëllumbat e racës, apo për ata që kishin më shumë “zotësi” për të fluturuar si dhe për të tërhequr pëllumba të tjerë në foletë e tyre. Ishte edhe një foto e njohur e Taqos me një pëllumb në çdo dorë.
Ishte bujar dhe vishej ndonjëherë “shik”, por nuk e kisha parë të hynte në kafene. Ndoshta në ndonjë restorant edhe hynte. Bota e tij ishte punishteja, pëllumbat dhe bisedat me të rinjtë. E shihje mes 4-5 adoleshentëve në Bashtën e Themistokliut duke biseduar dhe qeshur. Ndonjëherë edhe ngrihej për të dëshmuar forcën me ndonjë të ri që e sfidonte në “duel” dhe bënte disa lëvizje të ngjashme me një lloj karateje ala Babuc. Pastaj ulej i kënaqur dhe mundohej të rregullonte frymëmarrjen. Ishte i shkurtër, po dukej i lidhur mirë. Sigurisht që ishte ushqyer mirë gjithë jetën i biri i Gorçëit. Kështu i drejtoheshin në rini më të moshuarit. Por nuk ishte përpjekur ndonjëherë të mësonte nga përzjerja e lëndëve që ktheheshin në melheme apo në të tjera medikamente. Kishte zgjedhur zdrukthin dhe sqeparin.
Ma merr mendja se kurrë nuk merrej me komente politike edhe pse sahati i tij shpirtëror kishte ngelur atë ditë që komunistët morrën në dorë frenat e pushtetit. Kur dikush e kishte pyetur- “Taqo pse nuk të kanë me sy të mirë këta të pushtetit?” i ishte përgjigjur: “Po ç’të më kenë! Nuk e ke parë që Lekoja luan vetëm role spiuni në teatër!’
Një ditë iku. Nuk
ishte i fundit i Skalëve. Kishte mbetur e vetme e motra, Pavlina,
dhe në punishte ndoshta futeshin vetëm maçokë dhe mace. Pëllumbat
kishin ikur me kohë.
Por kujtimi Taqo Babucit është ende i
gjallë.
Personazhe të Korçës që nuk harrohen.

No comments:
Post a Comment