Në valën e protestave të mëdha kundër qeverisë Rama, në Internet shfaqen video nga më të ndryshmet të marra në Shqipëri dhe në botë, të cilat dëshmojnë për një solidarizim të thuajse të gjithë shqiptarëve kundër korrupsionit. Qëllon të më dalin vetëm disa prej tyre dhe shumë rrallë shoh njerëz të njohur. Më emocionoi një video nga një protestë e mbajtur në Naples, Florida ku fliste urbanisti me origjinë nga Korça, Kristi Minga (Ravoniku). E kam njohur pak rreth viteve ‘94-’97, kur Minga punonte në Zyrën e Urbanistikës në Këshillin e Rrethit të Korçës. Nuk arrita të krijoja një përshtypje për nivelin e tij profesional si urbanist, ndoshta nga që kisha dëgjuar se një vit në Universitet e kishte përsëritur. Por si nëpunës dukej që ju kushtonte rëndësi dosjeve, se i sistemonte mirë.
Unë u largova nga Korça dhe nuk kisha ndonjë lidhje me urbanistin Minga, sepse ai ishte edhe gati 10 vjet më i vogël se unë. Vite më vonë, pata dëgjuar se “kishte bërë bajagi lekë“ dhe ndoshta me llotarinë amerikane kishte përfunduar në SHBA, kjo mbase në fillimet e këtij shekulli. Dhe në Amerikë kishte “gjetur Jezusin” dhe ishte bërë pastor. Ende nuk kam idenë se në ç’lloj kishe evangjeliste është pastor, sepse këto kisha janë të shumta në Amerikën e Veriut. Ndoshta edhe ka krijuar kishën e tij.
Por e rëndësishme është që proteston dhe si e thotë vetë, kërkon nga brezi i ri që të “shkulë rrënjët e komunizmit” se pemët e komunizmit i kishte prerë Minga dhe dhjetoristët e tjerë në fillimin e viteve ‘90. Dikur kishte përmendur , që kishte qënë në “grevën e urisë“ së studentëve dhe për këtë unë dhe të tjerë si unë e shihnin me admirim. Se kërkon guxim dhe qëndrueshmëri të hysh në një grevë urie në moshë të re. Vetë mendoj se në rini nuk do kisha rezistuar dot më shumë se dy ditë pa ngrënë. Ndoshta edhe kjo mungesë paqëndrueshmërie ka qënë një arsye, që nuk kam qënë asnjëherë i përfshirë në lëvizjet revolucionare.
Por të kthehemi në thirrjet e një pastori, që i kujton grigjës së tij, se të korruptuarit duhet të largohen menjëherë nga pushteti në Tiranë. Në mënyrë që edhe Kristi dhe shumë emigrantë të tjerë të mund të kthehen në një Shqipëri tashmë demokratike dhe ndoshta të ngjashme me Floridan e De Santisit. (Unë vetë nuk e mendoj kthimin, se kam gjetur rehat këtej dhe kam frikë se korrupsioni nuk do zhduket dot menjëherë.) Për këtë pastori Kristi përmend edhe vargje të Biblës, të cilët kanë forcën universale të aplikohen për çdo situatë njerëzore dhe veçanërisht për raportet e njeriut të thjeshtë me pushtetin. Dhe nuk ka gjë më të mirë për besimtarët se sa kur dëgjojnë një mesazh për ditët e sotme të ilustruar me citate nga Dhjata e Vjetër apo e Re.
Në Amerikë ndodh jo rrallë, që njerëz që vuajnë dënimin në burg “gjejnë Jezusin” dhe kthehen në njerëz shëmbëllorë dhe shumë të dobishëm për komunitetet e tyre pasi dalin nga burgu. Shumë syresh bëhen edhe pastorë. Por ka diçka tek ata që të bën përshtypje, edhe nëse nuk është plotësisht e sinqertë. Ata përsërisin hapur mëkatet e tyre të rënda , që kanë bërë para se të hynin në burg, të cilat mund të kenë qënë vjedhje, trafik droge, plagosje dhe ndonjëherë edhe vrasje. E përmendin vazhdimisht duke theksuar se cilido mund të përmirësohet duke ndjekur fjalën e Zotit.
Urb. Kristi Minga ka punuar të paktën 10 vjet në një administratë jo pak të korruptuar. Në kohën kur drejtimin e kishte PD dhe më pas kur frenat i pat marrë PS. Që të ketë shpëtuar “pa u ngjyer” në ato zyra të korruptuara, shanset janë shumë afër me Zeron. Nuk di të ketë pasur aftësi projektuese, që të themi se bënte projekte “me firmat e të tjerëve”, që mund t’i siguronin të ardhura të mira. Por në fjalën e tij kundër të korruptuarve të sotëm nuk ka as pendim për një pëzjerje të tij në korrupsionin e atyre viteve, ose për heshtjen e tij kur shihte se sa të korruptuar ishin shefat.
Pastori Minga bën mirë që ngrihet pro protestave në Tiranë. Do bëjë edhe më mirë nëse merr me vete grigjën e tij pas dhe shkon të protestojë në Tiranë dhe në Korçë. Por që të bëhet i besueshëm për të gjithë dyshuesit (ku hyj edhe unë) duhet më parë të bëjë një mea culpa për ca mëkate jo aq të lehta, si ato që përmenda më lart.
Nëse do ndodhë kjo, edhe unë do shkoj herë herë në kishën e tij në Florida të kem mundësi të dëgjoj ligjëratat e zjarrta rreth mësimeve të Biblës.
Amin!
No comments:
Post a Comment