Unë kam jetuar deri sa u bëra 32 vjet nën Diktaturë dhe të paktën për 25 vjet e kam dëgjuar gjuhën e thatë të propagandës së atij sistemi të ashpër. Kishet plot shprehje parafabrikate, që krijoheshin besoj se në sektorin e propagandës të Komitetit Qëndror, që atë kohë drejtohej nga Ramizi dhe Nexhmija, të cilat më pas e gjenin vendin për publikun në veprat dhe fjalimet e Enver Hoxhës, në udhëzimet e shkruara të Partisë, në gazetën Zëri i Popullit, si dhe në broshurat që punoheshin në organizatat bazë të partisë. Ato materiale të kohës ishin plotësisht të zhveshura jo vetëm nga gjuha e Marksit, Engelsit, Kauckit, Roza Luksemburgut dhe të tjerëve pararendës të mënçur të komunizmit, por edhe nga gjuha e Leninit dhe Stalinit. Aty këtu përmendej ndonjë citat i tyre, por asnjëherë pjesë të tëra të veprave të filozofëve dhe udhëheqësve komunistë të shekullit të XIX dhe XX.
Duket që “feudo-komunistët” i trembeshin edhe vetë veprave të komunizmit. Ajo çka zbatonin në Shqipëri ishte një formë e një stalinizmi të përzjerë me “anadollëk” dhe disa kinezërira. Kështu kishin mbetur dhe dëgjoheshin kudo shprehjet “nën udhëheqjen e Partisë sonë të lavdishme dhe të shokut Enver”, “fanar ndriçues i marksizëm leninizmit në botë“, “e përgjithshmja është pozitive, por ka edhe ndonjë të metë“, “feja është opium për popullin”, “të mendojmë, punojmë dhe jetojmë si në rrethim”, “kala e papërkulur në brigjet e Adriatikut”, “lufta e klasave herë ulet herë ngrihet por asnjëherë nuk shuhet”, “armiqtë janë përpjekur e do përpiqen, por do dështojnë me turp”, “populli ynë rilindi kur lindi Partia”, “indiferentizmi është armik i revolucionit”, “popujt e botës janë me ne”, “të zhvillojmë pareshtur emulacionin socialist”, “ armiku i jashtëm bashkëpunon me armikun e brendshëm”, “kur flet klasa punëtore burokratizmi hesht”, “u analizuan problemet dhe u morrën masat e nevojshme”, “ne do vazhdojmë të demaskojmë imperializmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik” dhe disa dhjetra e dhjetra shprehje të tjera standart, të cilat edhe pse i dëgjoje me përbuzje, ishin bërë aq të detyrueshme sa duhe t’i përdorje edhe në hyrjen e ndonjë studimi shkencor.
Që ky fjalor “i drunjtë“, jo normal, i shtirur, mekanik të ishte në kokën e Gramoz Rucit, Arta Dades, Bledi Klosit, Niko Peleshit apo të tjerë personazheve të rëndësishëm të djeshëm dhe të sotëm të Partisë së Edi Ramës, kjë është e natyrshme. Këto ata kanë dëgjuar gjatë fëmijërisë dhe rinisë së tyre, disa dhe e kanë përdorur në shkresa e nëpër fjalë në mbledhjet e asja kohe. Dhe kur vihen në pozita të vështira, si kjo e humbjes së kolltukut, sigurisht nga nënndërgjegja e tyre do shpaloset një fjalor i tillë.
Por këta ministra dhe deputetë të rinj, që nuk kanë bërë as 8 vjeçaren në kohën e Diktaturës dhe më pas janë arsimuar edhe jashtë shtetit nga e mësuan këtë gjuhë të shpifur?
Zv. Kryeministrja Albana Koçiu shkruante pak a shumë dje në një postim “...ata (protestuesit) do vahzdojnë të përpiqen të krijojnë trazira, por do dështojnë me turp...dhe ne do të dalim më të fortë e më të vendosur pas kësaj...” A ka mbaruar shkollën e partisë “Vladimir Iliç Lenin”, kjo grua që nuk ka mbushur ende të 50-tat?
Deputeti Pirro Vëngu, dikur ministër dhe i konsideruar si një nga njerëzit e të korruptuarës Balluku, sot në një studio televizive deklaronte: “Kemi zbuluar kohët e fundit se në protestë ka përfitues (armiq të brendshëm), Kemi zbuluar kohët e fundit se ka edhe sponsorizues (Armiq të jashtëm)”. Dhe ky 40 vjeçar, që ka bërë edhe të mesmen edhe universitetin në Francë, flet sikur të jetë Hekuran Isai ose si quhej me përkëdheli asokohe, Lal Hekri.
Dhe këto shembuj që solla nuk janë as të vetmit dhe as më të shquarit. Ka plot papagaj të tjerë që përsërisin fjalorin e Ramës apo fjalorin e periudhës së Diktaturës edhe më keq se këta.
Eshtë pushteti që ju bën këtë arsimim të frikshëm këtyre njerëzve, që të përdorin këto klishe idiote të një propagande, e cila e kishte të domosdoshme të përdorte parafabrikate të tilla?
E di që nuk do jem kurrë në gjendje t’i jap përgjigje kësaj pyetje se raste të ngjashme mund të ketë vetëm në Kinë, Vietnam dhe Kamboxhia, që kanë qënë vende me diktatura komuniste të ashpra dhe duhet të kenë pasur këtë gjuhën e pazakontë të kurdisur me “pjesë këmbimi”. Nuk ka shembuj të ngjashëm as në Europën Lindore.
Ne jemi një shoqëri, e cila duhet të përpiqet shumë të shkëputet nga e kaluara e asaj Diktature sa e ashpër, aq edhe absurde. Dhe këtë mund ta bëjmë vetëm kur të kemi mundësi, që në të gjitha postet që drejtojnë institucione shtetërore, arsimore, shkencore, ushtarake e ku di unë se ç’farë mos kemi njerëz me mendësi të tillë dhe që flasin një gjuhë të tillë.
No comments:
Post a Comment