Wednesday, 3 June 2026

Tirana më në fund e shkundi “mpirjen”


Ka tre ditë që njerëzit të dalin në shesh duke protestuar ndaj kryeministrit Rama duke kërkuar dorëheqjen e tij nëse nuk anullon projektin e Zvërnecit dhe të bëjë edhe ndryshime të tjera në ligjet për investitorët strategjikë dhe atë të zonave të mbrojtura të Shqipërisë. Protesta është masive, pa eksese dhe pa ndonjë profil politik.

Më në fund shoqëria e Tiranës e shkund mpirjen dhe kërkon t’i verë një kufi qeverisjes arrogante të Ramës dhe bandës së tij.

Kjo vlen të përshëndetet dhe të pritet të përhapet edhe në qytete të tjera shqiptare dhe veçanërisht në Vlorë, ku është Zvërneci, zanafilla e kësaj proteste, që duhet thënë se është është e vonuar.

E megjithatë më mirë vonë se kurrë dhe edhe pse kam bindjen se Ramën kjo “çështja Zvërnec” nuk e shqetëson shumë dhe do mundohet ta shuajë shpejt, përsëri tregon se njerëzve ju ka ardhur në majë të hundës prej korrupsionit të Ramës. Për mua ky tregues i manifestuar në rrugë është shënja më e mirë e kësaj periudhe, pas fitores së Ramës të majit të vitit të kaluar.

Por a është kjo protestë kaotike dhe luftëtare për një kauz të dobët, të cilën Rama mund ta “driblojë“ lehtë?

Unë kam frikë se nëse organizatorët që “improvizuan” këtë protestë të shpejtë, nuk janë njerëz shumë të mënçur dhe e ide të qarta politko-shoqërore, Rama do përdorë gjithë marifetet që ta shtyjë zgjidhjen e saj gjatë qershorit dhe më pas e gjithë Tirana shkon në plazh. Protesta do mbetet një kujtim që do shëllëret në trotuaret e Bulevardit “Dëshmorët e Fundit” deri në shtator, kur të bjerë e nxehta dhe të rinisin shkollat.

Protesta ka nisur me një slogan të gabuar siç është “Shqipëria nuk shitet!”, një slogan ky që vërtet ngjall energji patriotike tek një pjesë e painformuar mirë e popullatës dhe që është shumica.

Të duket sikur i rikthehemi propagandës komuniste “Zogu ja shiti vendin Italisë“ apo se “ja fali Shën Naumin Sërbisë“. Ndoshta kjo lloj propagande, e cila vazhdon të ketë jehonë edhe në ditët tona, i bën njerëzit më aktivë dhe më të ndjeshëm që të dalin për të protestuar, por të nxjerr bllof kur shtrohesh për të biseduar.

A po ja shet Rama Zvërnecin dhëndërit dhe vajzës së Trump në këmbim të një mbrojtjeje nga Shtëpia e Bardhë?

Unë me sa e di them se JO. Rama ka vënë në dispozion të tyre toka të lakmueshme për dikë që do të investojë në turizëm dhe për këtë ka krijuar lehtësime në legjislacionin shqiptar. Deri këtu shkon mëkati i tij.

A është zhvillimi turistik i Zvërnecit paraprirës i një katastrofe ekologjike?

Unë këtë nuk e di. Do i besoja menjëherë një institucioni serioz europian që merret me ekologjinë dhe që e njeh specifikën e Lagunës së Nartës dhe të Zonës përreth. Nuk ju besoj ambientalistëve tanë, sepse një pjesë syresh nuk janë kompetentë dhe mund të jenë po aq delenxhinj sa edhe Rama. (Kam njohur disa profesor doktorë, që janë marrë gjithë jetën me zonat e mbrojtura në qytete dhe kanë firmosur për të kundërtën e atyre ç’kanë predikuar gjithë jetën.)

Por edhe nëse nuk përbën katastrofë ekologjike, edhe unë po pajtohem me dëshirën e të gjithëve, që kompleksi i Kushnerit më mirë të mos realizohet. Kur jam shprehur në mbështetje të tij, kam menduar se dikush do ndërtojë atje një ditë dhe më mirë Kushner se Alabari apo se Gaz Paja.

Por përsëri nuk arrij dot në rrëzimin e Ramës.

Sepse ai do arrijë t’i mashtrojë krerët e protestës me të cilët do shtrohet në bisedime. Pasi bisedimet do ndodhin. Për këtë do ngulin këmbë të gjithë të huajt në Tiranë, që po i ndjekin zhvillimet.

Dhe në këto bisedime ai nuk e ka për gjë që të ofrojë një studim ekologjik nga një institucion serioz ndërkombëtar, të ofrojë edhe mundësinë e një përmirësimi të të dy ligjeve, atij të “shokëve strategjikë“ dhe të atij “të zonave të mbrojtura”. Mund të pranojë dhe afate për to dhe t’i shtyjë deri në kalendat greke. Sepse Ramën e ndihmon zgjatja e kohës ndërsa protestën jo.

Madje edhe në rastin më ekstrem, kur nën trysninë e gjithë Tiranës që mund të gdhihet disa ditë në shesh, të anullojë edhe projektin.

Edhe?

Protesta ja arriti qëllimit?

Shqipëria nuk u shit?

Le të mos bëhemi naivë. Njerëzit duhet të ngrihen të gjithë, për t’i thënë kësaj qeverie “Shko në shtëpi!” Edhe pse i morre (vodhe) votat një vit më parë. Brenda një viti kanë dalë skandale financiare të përmasave të habitshme që implikojnë bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe familjen e tij.

Kjo duhej të ishte kauza e popullit të Tiranës këtë pranverë!

Për fat jo të mirë është zgjedhur një kauzë e gabuar që të shpie vetëm deri në çerekun e udhës.

No comments:

Post a Comment