Wednesday, 24 June 2026

Edhe Krishtit vetë!


Në Ditën e 25-të të Protestës në mënyrë të habitshme, u shfaq vetë Jezu Krishti dhe përsëriti me zë të lartë 5 kërkesat e protestuesve para Kryeministrisë së Shqipërisë. Dhe menjëherë në rrjetet sociale u shfaqën postimet e mëposhtëme:

Edi Rama:

“ Marrja përsipër e rolit udhëheqës të një Revolucioni Flamingosh të shqyer dhe mercenarësh të babëzitur për një vend të dukshëm në dritën e diellit, nuk të bën ty më të pafajshëm se Ati im që kishte të njëjtin emër dhe për të cilin kam provuar në mënyrë katërcipërisht ligjore se donte të kishte rolin e trefishtë të Atit të birit tim dhe të Shpirtit dashuror të partneres sime dhe pikërisht në vendin ku unë sot kam krijuar vendpushimet më të shkëlqyera të bregdetit të Jonit. Pikërisht nga i njëjti sindrom ai trefishimit vuan edhe ti si personazh i gjithësishëm gjë që tashmë do ta ngresh në një nivel më hapësinor të pesëfishimit duke përsëritur pikat e mbledhura në pisllëkun e Lagunës së Zvërnecit, që unë me investitorët amerikanë po përpiqemi ta kthejmë në perlën e turizmit mesdhetar, që do jetë një fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut për gjithë ata që duan të lenë jahtet e të marrin rreze dielli në stere...”

Taulant Balla :

“ Pa dashur të dukem si kundërshtar fetar i juaj për shkak të fesë së prindërve të mij se vetë jam ateist, dua t’ju kujtoj se në biografinë tuaj mungojnë disa vite të rëndësishme para se të nisje predikimet në Galile. Mund të na i sqarosh ku kini qënë? Ka prova të pakundërshtueshme që ju kini kaluar shumë kohë në pllajat e luginat e Persisë, gjë që na bën të dyshojmë fort se kini qënë një agjent i Persisë në atë kohë, që është edhe Irani i sotëm. Ndaj nëse do përpiqeni që të ndikoni me frymën tuaj antiamerikane ndaj popullit shqiptar do merrni përgjigjen e merituar.”

Ardit Bido:

“ Si njeri i letrave dhe i arkivave më duhet të them në mënyrë të paanshme, se ju keni përdorur emrin grek Kristos në vend të atij të përdorur në Dhjatën e Vjetër që është Messia. Ndaj ky e bën qëndrimin tuaj ndaj çështjes shqiptare shumë të dyshimtë dhe me këtë sy unë shoh edhe mbështetjen që i jepni lëvizjes që zanafillën e ka në Zvërnec, ku bashkë me qarqet shoviniste greke pretendoni se po shkelen të drejtat e pakicave greke. Për më tepër që prej vitit 1944 nuk jeni shprehur asnjëherë publikisht për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Camërisë.”

Niko Peleshi:

“ Perëndi e kuptoj shqetësimin tuaj por edhe ju duhet ta kuptoni shqetësimin tonë se jemi ortodoksë o Burr’ i Dheut! Mendoj se çështja politike e Revolucionit Flamingo duhet të jetë e ndarë nga çështjet fetare.

Ju falenderoj për mirëkuptimin!”

Nuk kam arritur të lexoj postimet e Lindita Nikollës, Blendi Klosit, Mirela Kumbaros, Sara Miles dhe veçanërisht atë të Ilir Pëndavinjit.

Koha nuk ma lejoi.

No comments:

Post a Comment