Tuesday, 30 June 2026

Gonxhja në lulëzim dhe Gonxhja me mamëz



35 vjet janë një jetë e tërë, por edhe jo të shumtë për jetën e një vendi. Dhe ndonjëherë, krejt rastësisht, i njëjti njeri është mes protagonistëve.

Në dimrin e vitit 1991, studentët kërkuan që të hiqej emri i Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Ishte një kërkesë edhe më e përparuar se ajo e Partisë Demokratike dhe dy partive të tjera të posaformuara opozitare, në çastin kur Ramiz Alia lejoi të formoheshin parti të tjera. Kur kërkesa e tyre nuk po realizohej studentët hynë në grevë urie në sallat e Kinoklubit Studenti. Zëdhënësi i grevës ishte pjesëmarrësi Blendi Gonxhe, asokohe një pedagog i ri në Institutin e Arteve,

E ndiqnim me admirim dhe shpresë, këtë të ri simpatik, që fliste mirë dhe me qetësi dhe siguri parashtronte para televizionit të kohës kërkesat e vendosura të studentëve grevistë dhe gjendjen shëndetsore të tyre. U bë figura simbol e asaj greve, e cila solli edhe ngjarjen e madhe, rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës në sheshin Skënderbej, ngjarje edhe më sinjifikative se protesta e studentëve në dhjetor dhe formimi i Partisë Demokratike.

Nuk di se ç’ndodhi me Gonxhen më vonë, por atë kohë dihej që ishte shok i Edi Ramës, madje patën botuar më vonëedhe një libër si bashkëautorë rreth ngjarjeve të ndryshimit të sistemit. Doli në skenë si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, kur Rama fitoi zgjedhjet vendore.

Ka disa vite që Blendi Gonxhe është rishfaqur si ministër dhe nuk është më ai rinoshi simpatik i Grevës së Urisë apo edhe prezantuesi i një shfajeje të Miss Albania. Eshtë një ministër “i mbufatum”, përsëri nën sqetullën e Edi Ramës, si njeri i besuar i tij.

Tashmë është në anën e kundërt të tërinjve. Cuditërisht, gjuha me të cilën flet, i ngjet asaj të Adil Carçanit dhe të ndonjë “qytyku” tjetër të Partisë së Punës. Flet për përgjegjësitë që ka qeveria dhe nevojës së funksionimit normal të shtetit dhe të jetës ekonomike të vendit. Si Ministër i Turizmit, shpreh shqetësimin e madh se po pengohet fluksi i turistave, madje përmend edhe se është anuluar për shkak të protestave edhe “Festivali i koktejleve” në Tiranë, që do na vendoste ne në vendet më të përparuar në botë për “fantazinë“ në krijimin e këtyre pijeve alkolike të famshme!!

Shumë njerëz në Shqipëri i marrin ushqimet me listë në shitoret e lagjes dhe shumë të tjerë nuk dinë nëse duhet të reduktojnë djathin për muajin apo të marrin më rrallë ilaçet. Për këto kanë dalë mijëra shqiptarë në shesh ndërsa ministri i dhjamur në bark e në mamëz, shqetësohet se si “do shkojë kjo puna e koktejleve”.

Si është e mundur që të transformojë pushteti në këtë farë feje?!!

Apo kanë qënë njerëz të korruptuar shpirtërisht që në rininë e tyre dhe veça luanin rolin e revolucionarëve që kërkonin liri dhe demokraci për popullin. E kuptoj që disa prej tyre si Arben Imami, Raimonda Bulku, Edmond Budina dhe Bert Ndrenika ishin aktorë profesionistë dhe mund të luanin çdo lloj roli në mënyrë të suskseshme, por Rama dhe Gonxhe paskan qënë staraktorë (edhe stëraktorë ka të njëjtin efekt.)

Unë dhe shumë nga miqtë e mij, nuk do jemi në këtë dynja pas 35 vjetësh. Por mos ndodhtë, që disa nga këta të rinj që portestojnë sot dhe flasin me elokuencë për domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit, pas 35 vitesh të kenë goxha bark dhe mamëz dhe të flasin si “Gonxhja i dhjamosur”.

Do jetë vërtet një cikël i frikshëm i historisë së anëve tona.

No comments:

Post a Comment