* * *
U çapit ngadalë drejt meje
Sa mund të çapitet një Korb hijerëndë
Mu duk sikur çuditërisht po madhohej
Si të ishte bërë nga një e gufueshme lëndë
Që e përtejshme ishte, pa inde dhe deje.
“Nuk mund të jetë e vërtetë“ vetes i thashë
Nuk ndodh nën dritën e ditës, por është ëndërr,
Nuk mund të rritet kështu brenda çastesh
Një shpend fluturues me sy edhe sqep
Me të verdha kthetra dhe mbuluar me pendë“
Dhe bëra atë ç’ka bëjnë të gjithë
Kur shohin diçka krejt të pamundur,
Krahun pickova me të panevojshme forcë
Të bindesha se gjallë isha dhe jo në gjumë
A në tjetër botë ku dhe shqisat kisha humbur.
Por dhimbja e muskulit ishte më e madhe se e shpirtit
Shpirtit që thërrmohej nga i tmerrshmi shpend,
Isha mbi të mijat këmbë mbi tonën tokë,
Atë që më ka stisur mes shumë magjish të ec,
Të shoh dhe të ndjej dhe një të qullët masë
Të hirtë dhe mrekullisht të bukur të kem në kokë.
Korbi vërtet ishte bërë i Madh
Dhe po më bënte të më bjerrej guximi
Nuk kisha menduar kurrë se i tillë do ishte fundi
Dikur pata shkruar se i qullur nga lotët do vdisja
Ashtu si i qullur pat qënë fillimi.
Por jo që kështu të përpihesha
Nga prehistoriku Korb prej të çuditshmes lëndë
Dhe në diçka jashtëtokësore të kthehesha
Të ndryshme prej atomeve që çdo gjë përmban
E këtij Dheu të bukur që e quajmë Mëmë.
* * *
No comments:
Post a Comment