“Mos e diskuto!” është për mua një nga shprehjet më idiote, që përdoren sot e dhjetra vjet më parë në anët tona. Ndoshta në garë edhe për të marrë kurorën e idiotsisë.
Eshtë shprehje tepër e përqëndruar e sigurisë të atij që tregon diçka që di mirë. Ose edhe miratim i vendosur për diçka që një tjetër ka thënë, por “i sigurti” i ve vulën.
Ndoshta në vitin 1991, kur posa ishim hapur ndaj botës, një mësues matematike, i cili punonte edhe si metodist pranë Seksionit të Arsimit, tregonte para kafes, diçka për leksionin e një amerikani ku kishte qënë i pranishëm dhe vinte theksin tek siguria e tij. Gjithashtu theksonte se gjithnjë kishte pasur shumë besim tek njerëzit që flisnin me siguri rreth asaj çka dinin.
Unë isha më i riu në grupin prej 4-5 vetësh dhe nuk e pashë të udhës ta kundërshtoja. Veç nga përvoja e jetës, kisha parë që më të sigurt në ato që thoshin ishin ata ose ato që nuk kishin shumë mend, ose nuk dinin shumë rreth subjektit për të cilin flisnin. Gjithashtu, që në fundin e të mesmes, kisha dëgjuar për teorinë e sferës në fushën e njohurive dhe që më ishte dukur tepër e logjikshme edhe pse mund të mos jetë e përkryer. E mbajta brenda vetes frazën: “Më të sigurtit janë budallenjtë!”, sepse do tingëllonte si një “menderosje” e hapur ndaj mësuesit të matematikës. Me mendje pyesja se si ky njeri i mënçur, me një përvojë kaq të gjatë arsimore, që ka dëgjuar shumë folës, mes tyre dhe nxënës të panumurt, mund t’i lenë kaq mbresa “të sigurtit”.
Edhe të tjerët që ishin të pranishëm nuk thanë ndonjë gjë në mbështetje apo ta kundërshtonin, por asnjë syresh nuk tha “Mos e diskuto!” Kishin aq mend sa të kishin kuptuar gjatë jetës për rëndësinë e “dialogut dhe diskutimeve”.
Më pas, kur emigrova, pashë se njerëzit ishin më pak të sigurt në ato që thoshin. Madje sa më shumë dinin , aq më pak e tregonin sigurinë, madje të linin përshtypjen se kishin një modesti të tepruar. Por e vërteta është se pikërisht se ishin profesionistë të zotë, dinin më tepër rreth atyre që s’dinin. Dhe kjo vlente për arkitektët, avokatët, mjekët, pedagogët e universiteteve, të cilët kam patur fat të takoj dhe të këmbej një bisedë. Gjithashtu janë ata që dëgjojnë më me durim dhe vëmendje.
Edhe përdorimi i shprehjes “take it to the bank!”, që është një formë e “mos diskuto!” përdoret shumë rrallë dhe vetëm në ndonjë debat të ashpër politik.
Sigurisht që edhe këtej ka plot budallenj. Edhe plot që dinë më pak se mesatarja në profesionet e tyre, se sa për kulturë të përgjithshme, të duket se kanadezi mesatar nuk është më i kulturuar se shqiptari mesatar. Por të ze malli për dikë që të tregon gjithshka me një siguri absolute, e vërtetë apo jo. Ndoshta atmosfera e përgjithshme shoqërore nuk e ndihmon një qëndrim të tillë.
Kam shkruar para disa vitesh, që “çmalljen” me këtë zakon të anëve tona, e pata ndërsa bëja muhabet më këmbë me një shofer autobuzi labo-amerikan, të linjës Nju Jork – Niagara Falls. Ai po më tregonte se luftën në Irak e kishin nisur Xhorxh Bush Jr, Dik Ceni dhe Donald Rumsfeld për të ndarë 6 miliard që sillte ajo luftë mes tyre. Me përulje e pyeta: “Po Sekretarit të Shtetit nuk i dhanë ndonjë gjë?”
“Jo! Mos e diskuto!” më tha i sigurt dhe më pas hipi në autobus për tu kthyer në qytetin e ri të tij, që nuk ishte më Vlora, por Nju Jorku.
No comments:
Post a Comment