Ka shumë raste të kombeve, shteteve madje dhe perandorive, që kanë ndryshuar në segmente kohore çuditërish të shkurtra. Janë përmbysur Tiranë, janë shpallur luftra qindravjeçare, janë ndryshuar përfundimisht kufijtë dhe kanë ndryshuar besimet fetare. Ndër më të njohurat është vrasja me thika e Jul Qezarit nga senatorët romakë, e cila thuhet se zgjati vetëm 1 minutë dhe 18 sekonda. Lufta mes Anglisë dhe Zanzibarit më 1896 zgjati vetëm 4 minuta. 16 minuta zgjati gjyqi i Elena dhe Nikolae Causheskut, që i ndryshoi fatin shtetit rumun, por ju futi frikën edhe bllokistëve tanë.
Në historinë tonë ka disa ngjarje të tilla të rëndësishme, por unë do veçoj një prej tyre. Për 24 sekonda Ramiz Alia i ra në gjunjë Nexhmijes, që mos dënohej në vitin 1973 bashkë me Lubonjën dhe Paçramin. Ngjarja ndikoi në fatin e Diktaturës, sepse solli likuidimin e Mehmet Shehut me shokë dhe pas vdekjes së Dullës, daljen në krye të Shqipërisë të frikacakut nga Shkodra.
Ndaj edhe pse vetëm 36 sekonda, biseda e kryeministrit Rama, me njeriun më të fuqishëm në glob, ka pasoja jo vetëm për fatin e Shqipërisë dhe të rajonit, por edhe pë rtë gjithë kontinentin europian.
Nga lexuesit e buzëve (zakonisht këta janë shurdhmemecë që mund të kuptojnë në distancë se ç’thotë njëri dhe tjetri) është raportuar se biseda ka qënë tepër e ngjeshur. Të tilla janë zakonisht ngjarjet që i ndryshojnë rrjedhën Historisë.
Pasi Trump i ka thënë që nuk e dija se ishe kaq i gjatë dhe Rama i ishte përgjigjur, që Lartësinë dhe Madhështinë tënde nuk ka njeri në botë që e arrin, Presidenti amerikan kishte thënë : I like you! (Më pëlqen ti!) Nga kjo, kryeministri ynë i dashur dhe tepër modest kishte filluar të shpjegonte se nuk kishte asnjë lidhje me Sorros atin apo Sorros birin, por Trump e kishte ndërprerë shpejt me pyetjen :
- Pse nuk e morre me vete atë korçarin e famshëm?
Edi Rama ishte stepur një çast se nuk donte që biseda të sillej rreth shqiptarëve të tjerë dhe duke kujtuar se bëhej fjalë për Vrenozin, i kishte thënë që ai ka hyrë në Big Brother.
Trump ishte entusiazmuar dhe kishte nisur të rrëfente se sa i famshëm ishte me reality -show të tij “Apprentice” dhe më pas kishte pyetur sërish:
-Po Kryetar i Parlamentit kush është tani që korçari ka hyrë në Big Brother?
Rama ishte zverdhur, se e kuptoi që Trump po pyeste për Niko Peleshin, që dukej se kishte lënë përshtypje të shkëlqyera gjatë Mëngjesit të Lutjeve në Uashington.
Këtu biseda kishte marrë fund dhe të Gjatit i ishin dridhur këmbët fort. Si asnjëherë tjetër. Nuk dihet se kë ka telefonuar urgjentisht për të kontrolluar lëvizjet e Di Lanas.
Fati i Shqipërisë duket i ndryshuar pas 36 sekondash.
Korçari ynë i dashur do jetë Lideri i ardhshëm i Fanarit Ndriçues në brigjet e Adriatikut.

No comments:
Post a Comment