Në katin e dytë të shkollës, shumë pranë vendit ku ishte zilja elektrike, ishte vendosur një pikturë e madhe Enver Hoxhës duke ecur dhe përshëndetur me njërën dorë ndërsa në tjetrën mbante njëë tufë të madhe me lule. Ishte nga pikturat, që i përgatisnin piktorët e ndërmarjeve bazuar në fotografi. Nuk ishin as pllakate dhe as kompozime. Një piktor që kam njohur më vonë, këto lloj pikturash i quante “memecka”. Piktori quhej Dhimitraq Kolevica dhe ka të ngjarë që pikturën e shkollës sonë ta kishte bërë ai. Ato kohë ai punonte si dizenjator në minierën Mborje-Drenovë dhe mbase drejtori i ndërmarjes e urdhëroi të bënte një tablo të madhe për shkollën “Themistokli Gërmenji” brenda orarit të punës, kuptohet pa ndonjë shpërblim.
Kolevicën, (shumë nga të njohurit e quanin Kole), e kam njohur në vitin 1986, kur u hap në kuadrin e Ekspozitës së Kulturës Popullore, ekspozita e artistit të qeramikës Vasillaq Kolevicës.Vasi ishte djali i Dhimitraqit dhe unë e dija që i jati kishte qënë në burg për tentativë arratisjeje ndaj edhe ai nuk mund të vazhdonte studimet për piktor, por kishte nisur të punonte si poçar në një ndërmarje artizanati në qytet. Me Vasin ishim moshatarë dhe kishim shokë të përbashkët.
Dhimitraqi ishte i matur në takimet e para me ne dhe u deshën takime të mëvonshme, që të kuptoja natyrën e tij optimiste dhe plot humor. Kur punonim për Muzeun e Arsimit (dimri 1986-87) piktori vinte shpesh të na shihte dhe tregonte plot ngjarje që lidheshin me të burgosurit politikë, si dhe të tjera të viteve të para pasluftës. Ishin kohë kur mund të flitej lirshëm edhe në rrethe më të gjëra.
Në burg kishte rënë kur ishte 24 vjeç dhe kishte dalë 32, me një “damkë“, që nuk do i ndahej deri në vitin 1991. I përkiste një brezi piktorësh të talentuar korçarë, disa prej të cilëve (Guri Madhi, Rafail Dembo) pas Liceut, shkuan për studime në Bashkimin Sovjetik dhe mësuan shumë nga shkolla ruse e Rjepinit dhe Surikovit . Dhimitraqin e “dërguan “ në “shkollën e burgut”, nga ku doli i zhgënjyer nga sistemi që kishte mbështetur gjatë luftës dhe pas saj. Pat qënë anëtar i Rinisë Komuniste dhe pas lufte, 18 vjeçar, kishte bredhur fshatrave të Veriut për të ngritur organizatat e rinisë antifashiste. Disa histori të atyre viteve i tregonte me shumë humor. Kishin qënë kohë më shumë absurde se sa kohë heroike, jo si përshkruheshin në letërsinë dhe artet e realizmit socialist.
I zhgënjyer, por jo i thyer, Dhimitraqi formoi, kur u lirua, familje me Angjeliqica Moskon, nga një familje e njohur korçare dhe pati shpejt tre fëmijë. Por edhe jeta e bukur familjare u ndërpre nga regjimi komunist më 1965, kur gruan e tij llogaritare e dënuan me burg për një krim të sajuar. Ishte i detyruar të mbante nënën dhe tre fëmijët me një rrogë të vetme dhe të dërgonte herë herë ushqime për gruan që vuante.
Ndaj dhe filloi të pikturonte gjithshka që i kërkohej. Kopje fotosh të vogla të kthyera në portrete të mëdha me karbon, “tapita” me skena idilike për çiftet e sapomartuara në fshatrat e Korçës, portrete me ngjyra të anëtarëve të Byrosë Politike, që ja kërkonin “organizatat e masave”. Të gjitha i quante “memecka”. Ai e dinte se ç’mund të nxirrte nga duart e tij nëse do e lejonin të ekspozonte. Ishte në gjendje të bënte portrete në vaj dhe kompozime gjithashtu në vaj, që mund “të flisnin”. Kur nuk ishte i rraskapitur bënte edhe të tilla edhe pse e dinte që publiku nuk do i shihte.
Diçka më shumë pikturoi në vitet e “liberalizmit” (1969-1972) kur ju lejua edhe ekspozimi i ndonjë vepre, por përsëri i duhej të punonte e të punonte vazhdimisht me lapsa, karbona dhe ngjyra për “memeckat” me të cilat mbante familjen. Angjeliqica doli nga burgu vetëm më 1978 (e kishin ridënuar për politikë brenda burgut), kur ishte e sëmurë shumë rëndë. Brenda dy javësh ndërroi jetë, kur fëmijët ishin ende të vitet e adoleshencës.
Nuk jam i sigurt të them se çfarë e mbante Kolevicën aq të papërkulur dhe optimist. Ndjenja e përgjegjësisë për fëmijët, dashuria për jetën dhe artin, apo ëndërra se ata që i kishin shkatërruar jetën, një ditë do përmbyseshin. Ndoshta të gjitha bashkë.
Në vitin 1986, kur e kam njohur, duhet të kishte dalë në pension dhe nuk di nëse pikturonte apo jo në shtëpi. Nuk e kisha pyetur atë vetë dhe as Vasin nëse kishte ende nerv të fortë artistik, që mund ta shtynte të nxiste të krijonte vepra, që t’i pëlqenin atij vetë. Gjithashtu nuk mësova se cila ishte gjinija e tij e preferuar. Besoj portreti. Por nuk e vizitova në “dhomën-studio” të shtëpisë ku punonte. Vasi ishte bërë i njohur, se kishte trashëguar nga i jati talentin dhe zellin për punë. Por pak e dinin që ishte talenti i Dhimitra Kolevicës i “derdhur” tek djali i tij i madh.
Përmbysja e regjimit e “vuri në lëvizje” dhe u përfshi në lëvizjen e gjërë antikomuniste, deri sa u “zhgënjye” sërish edhe nga demokratët.
Takimi im i fundit me të, ishte gjatë verës së vitit 1997, pak muaj para se të emigroja. Nuk di ç’kërkoja në disa zyra partish (tek Banesa e Qiriakujt të vogël) dhe kur hapa derën e partisë “Balli Kombëtar” shoh Dhimitraqin.
“Shqipëria e shqipëtarëve!” e përshëndeta duke qeshur. “Vdekje tradhëtarëve!” u përgjigj po duke qeshur me një pamje që më kujtonte Volterin.
Jetoi edhe shumë vite të tjera pas atij takimi, piktori i talentuar korçar, Dhimitraq Kolevica.

No comments:
Post a Comment