Thursday, 26 February 2026

Quhet NewsIn


Duke kërkuar në internet për një piktor të kohës së Diktaturës, me emrin Vaskë Jole, i vetmi shkrim që përmbante emrin e tij ishte në një “portal” të quajtur NewsIn. Nuk kishte gjë për piktorin e ndjerë, po duket vetëm atje ishin gjetur bashkë emrat e përveçëm Jole dhe Vaskë. Ishte një shkrim i shkurtër i ish-prefektit të Korçës, që është edhe djalë i djalit të Vaskë Joles. Shkrimi nuk kishte lidhje me të gjyshin, por më shërbeu si hyrje në botën “gazetareske” të qytetit tim të lindjes.

Ka emrin “NewsIn”, sikundër kanë shumë e shumë ndërmarje, portale, studio, klube, shoqëri anonime në atdhe. (Këto të fundit edhe pse anonime kanë të ngjitur një anglishtkë.)

U gëzova, se gjithnjë kam ndjekur me shqetësim gjendjen e publiçistikës dhe informacionit në Korçë prej kohës së ndryshimit të sistemit. Para se të “hynte Partia”, Korça kishte disa gazeta dhe “Gazeta e Korçës” ishte e njohur si më e mira në Shqipëri. E kuptueshme sepse qyteti ishte më i madhi dhe më i përparuari.

Në vitet pasdiktature, por para largimit tim, më ngjan se kishte një ose dy , të cilat nuk ishin të përditshme dhe financoheshin nga ndonjë parti. Nuk i kisha lexuar ndonjëherë, veç një rasti, që “më kishte djegur” se roja i Bashkisë, një djalë nga Veriu i Shqipërisë ma dha duke më thënë se kishin shkruar për mua. (Llafe jo të mira për aftësitë e mia profesionale dhe unë nuk mund t’i përsëris këtu edhe pse përpiqem të jem sa më i tejdukshëm. Se vetëm një herë më ka dalë emri në gazetë dhe jo për mirë.)

Gjithsesi as gazetarë nuk kishte dhe të gjithë lexonin dy-tre vitet e para gazetat e Tiranës, dhe nuk kishte thuajse fare interes për shtypin lokal.

Ndoshta më vonë pati gazeta të tjera, madje kur kisha vizituar Korçën kisha parë edhe një zyrë, që shkruante Gazeta “Korça”, po nuk kisha lexuar sërish ndonjë gjë. Dukej se Korça nuk kishte gazetarë, ose ata më të mirët kishin ikur në Tiranë. Por gazetarët janë një “specie” që mund të rritet shumë shpejt në kushtet e lirisë së fjalës dhe kërkesës për informacion. Për këtë u binda më mirë kur pashë, se NewsIn ishte formuar nga një grup gazetarësh. Dhe jo vetëm që ishin një grup, por ishin edhe të pavarmë, një dukuri tepër e rrallë në anët tona.

E kuptova nga titulli që bëhej fjalë për Lajme, por nuk isha i sigurt se flitej për Lajme Brënda, Lajme Ndërkombëtare apo Lajmë të Inkorporuara. Po kjo është magjia e gazetarisë së pavarme dhe objektive, se ka shumë e shumë ngjyrime. In mund të jetë edhe shkurtimisht për “ink” dhe që ka kuptimin “bpjë shkrimi”, pra “Lajme Mellan”.

Gjithsesi, në takimin e parë me këtë portal, u mundova të kuptoja sa më shpejt se ku e ka fokusin. Mu duk që objekti kryesor ishte Korça, madje edhe në lajmet nga Bota kishte vetëm rreth Greqisë. Ndoshta në numura më të hershme ka dhe pak Maqedoni, por kaq mjafton se këto janë dy shtetet me të cilët ka kufij rrethi i Korçës. Kolonja dhe Skrapari nuk kanë gjasa të bëhen shtete më vete.

Kalimthi, pa i lexuar, pashë që kishte edhe esse filozofike rreth kohëve që jetojmë nga Ilir jano, që duhet të jetë politolog ose pedagog i filozofisë, por unë jam larguar prej gati 30 vitesh nga Korça dhe nuk i njoh intelektualët e rinj.

Më ra në sy edhe një shkrim për një thuajse bashkëmoshataren time, Jorgjeta Lalazi. Gjeta ka qënë këngëtare e talentuar që e vogël dhe këndon edhe tani që po afron të 70-tat. Nuk kam pasur rastin ta dëgjoj në Korçë, por nga shkrimi i qëndisur me shumë frymëzim nga një autor me mbiemër Tollkuçi, mësova se cilësohet si “”Trëndafili i bardhë i Mëhallës së dëfrimit ordiner”. Një frazë e shkurtër po me thellësinë e një poezie. Atje jo vetëm Gjeta ngrihet në lartësinë e Mbretëreshës Geraldinë, e cila cilësohej “Trëndafili i bardhë i Budapestiti”, por del në pah edhe cilësia e një Mëhalle, që unë nuk e kam ditur kurrë. Ndoshta se nuk kam qënë pjesë e saj.

Mëhalla e Dëfrimit Ordiner nuk është diku në Katavarosh, ku tradicionalisht ka pasur dëfrime me këngë, orgji dhe seks të paguar, por në zemër të Korçës dhe pikërisht në pjesën më të vjetër të saj, në lagjen 3. Për këtë është vendosur edhe një pllakë me dy kitara dhe dy pikçuditëse, që japin qartë karakteristikat e kësaj ‘thagme” të qytetit tim të Lindjes. Pikërisht këtu është kënduar më shumë se kudo dhe jo vetëm nga Raqi Lalazi, Kol Peleshi dhe Kondilët e hershëm , por edhe nga gjithë pasuesit e tyre.

Dhe kanë kënduar jo vetëm bukur, por edhe në mënyrë ordinere.

Sa më mungon muzika e qytetit tim dhe veçanërisht gazetaria e tij e ringjallur dhe e pavarme.

Që në vizitën e parë do shkoj në atë mëhallë i shoqëruar me dy shokë dhe me dy kitara, të rrëmbejmë edhe dy pikçuditset që ka pllaka. Ato ngjasin me dy shkopa bejsbolli dhe nuk di nëse do ja u jap shokëve të mij të ma valojnë me to në kokë, apo t’ja ngjeshin kokës së Peleshit dhe të gazetarëve të tij të pavarmë.

No comments:

Post a Comment