(vijim)
Por në vitet ‘70, kur pata hyrë në adoleshencë, ndarjet nuk ishin thellësisht të qarta dhe martesat ndërfetare ishin më të shumta.
Lumi ishte mbuluar atë kohë, por vendbanimet kishin mbetur me të njëjtat karakteristika. Vetëm në banesat kolektive të reja, nuk kishte përkatësi ose origjinë fetare. Por pjesa më e zhvilluar e qytetit mbetej në Veri të Lumit(shëtitore Fan Noli) se kishte qënë tradicionalisht më e zhvilluar dhe pas lufte, komunistët që kontrollonin pushtetin, me dashje ose jo kishin vazhduar të bënin ndërtimet më të mira në këtë anë. Blloqet e banuara nga muhamedanët mbetën gjithnjë më të pazhvilluarit. Edhe veprat shoqërore dhe kulturore në atë anë ishin për fat të keq shumë shumë të pakta.
Ishte një qëndrim i padrejtë për një bashkësi shumë të rëndësishme që kishte qënë nga dy themelueset e qytetit të Korçës. Madje, për shkak edhe të sundimit otoman, bashkësia muhamedane, kishte qënë më e fuqishme dhe më e aftë për të marrë vendime që mund të sillnin begatinë e qytetit. Ka studiues të njëanshëm që theksojnë përkatësinë e krishterë të Iliaz Mirahorit, para se të shërbente në ushtrinë e Sulltanit dhe më pas të bëhej kryestallier i Portës së Lartë. Por e gjitha kjo, bashkë me atë të mbështetësve të tyre, se Iliazi ishte Ilia nga Panariti, ka të bëjë me një interpretim të gabuar të historisë, ose më mirë me këndvështrimin e historisë me syzet e Rilindasve.
Princët e krishterë të trevave shqiptare nuk ishin më të përparuar se Perandoria Otomane që po përparonte në Europë. Nuk mund të hiqen vija paralele me përparimin e barbarëve drejt Romës. Otomanët kishin jo vetëm një sistem administrativo-ushtarak më të përparuar, por edhe në të gjithë fushat e jetës ishin më të përparuar se aristokratët europianë dhe shqiptarë. Ishte kjo arsyeja kryesore e dominimit të tyre dhe jo fanatizmi apo barbaria, sikundër janë interpretuar më vonë thjesht për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare kundër të sëmurit të Bosforit. Në kohën që Iliaz Mirahorit ju dha fermani për toka jo larg nga fshati Peshkëpi, i sëmuri i Bosforit ishte Perandoria Bizantine dhe jo ajo Otomane.
Ndaj dhe përqafimi i fesë së një sundimtari të ri, nuk duhet parë vetëm me detyrimin dhe ushtrimin e pushtetit otoman. Ishte përqafimi (qoftë edhe për motive koniukturale) i fesë të një Perandorie më të përparuar.
Duke u kthyer në shekullin e XX-të duhet të theksoj se tashmë Otomanizmi ishte kthyer në pengesë për zhvillim të Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike. Kjo, bashkë me paratë e dhëna nga Rusia dhe Perandoria austro-hungareze solli ato që quajmë luftra ballkanike, të cilat mund të paraqiten si luftra për çlirim dhe kundër një sundimtari të një feje tjetër kudo në Ballkan. Në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë këto ishin të mirëfillta kombëtare, sepse shumica e popullsisë i përkiste fesë së sundimtarëve.
Ndaj edhe qëndrimi jonë sot ndaj “dumbabistave” duhet të jetë më tolerues. Tek haxhiqamilsat nuk kishte ndjenjë të fortë antieuropiane, antizhvillim dhe antikrishtere. Miopia e tyre qëndronte tek besnikëria. “Kokëtrashët” e Shqipërisë së Mesme, që nuk e kishin kaluar Erzenin dhe Shkumbinin, kishin ndjenjën e besës ndaj sundimtarëve, prej të cilëve kishin parë rregull dhe administrim jo të keq. Kjo i vuri kundër qëndrimit përparimtar të myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve të trevave të tjera, që luftonin për shkëputjen sa më të shpejtë nga Baba Sulltani.
Terk Lufta e Parë dhe më shumë akoma tek Lufta e Dytë duhet të shohim rrënjët e një antagonizmi (sado të zbehtë) të bashkësive fetare në Korçë.
Kthimi i Lumit në një shëtitore nuk e ndryshoi plot[sisht ndarjen fizike të mëhallave. Edhe pse ka shumë muhamedanë, që jetojnë në pjesët në Veri të shëtitores “Fan Noli”, janë shumë të pakët të krishterët që kanë ndërtuar ose kanë blerë shtëpi në lagjen e banuar tradicionalisht nga muhamedanët. Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk jetoj në Korçë dhe nuk mund të them me siguri se si janë marëdhëniet mes komuniteteve. Diçka jo të mirë dallova në vitin 1993, kur ishte çështja e ndërtimit të Katedrales, gjë që e kam prekur në dy tre shkrime. E megjithatë, mendoj se duhet të jetë i mirë, sepse ka shumë familje “të përzjera” madje edhe martesa me “njohje” apo “mblesëri” midis të rinjve që vijnë nga bashkësi të ndryshme.
Mirë është që të gjitha Dasitë t’i ketë marrëme vete “Lumi”, kur u devijua dhe u derdh nëpërmjet një shtrati tjetër në Dunavec. Prej aty dihet që çdo gjë përfundon në Adriatik, sikundër përfundojnë edhe plot mbetje “të patretshme” shqiptare, që lumenjtë i marrin rrugës.
No comments:
Post a Comment