Wednesday, 11 February 2026

Requiem për një artist


Ata ishin në mëdyshje nëse duhet t’i lidhnin një kravatë rreth qafës. Nuk kishte mbajtur të tillë që në ditën e dasmës, në motin e largët 1958. I dukej sikur do lidhte litarin, që edhe pse regjimi nuk ja kishte lidhur në të vërtetë, ja kishte tundur gjithnjë para syve duke e kërcënuar me një vdekje të shpejtë. Nëtë vërtetë ai kishte patur një luftë të egër për tu mbajtur fort pas jetës. Nuk ishte dorëzuar as kur nuk i ngopte dot fëmijët me bukë. Nuk e kishte pranuar vdekjen e ngadaltë.

Tashmë i ishte dorëzuar sëmundjes, që njëlloj si regjimi i egër, nuk i ishte ndarë gjithë jetën, I pat gërryer ngadalë, tepër ngadalë mushkëritë dhe më në fund e pat lënë vetëm të merrte frymën e fundit. I kishte mbyllur sytë në të gdhirë dhe djemtë nuk dinin nëse duhet t’i vinin kravatë pasi i kishin veshur kostumin. Më në fund gratë ju kujtuan se veshja e banesës së fundit dhet të ishte sa më dinjitoze dhe sipas traditës ndaj u dorëzuan. Më pas thanë mes tyre nëse duhet të vinin pranë tij në arkmort edhe një korë të vogël, nga ato që e jëma i mbajti gjithë jetën në një kënd të dhomës. Para të cilave bënte kryqin sa zbardhte drita dhe mes lutjeve theshte edhe: O Enver tu bëftë jeta zeher! E gjora nënë nuk kishte arritur të shihte vdekjen e të Mallkuarit, se ishte shuar më 1984. Kur tre fëmijët e të birit, që i kishte rritur me mundim, ishin bërë për tu martuar.

Të përlotur, ata kujtuan edhe nënën, që nuk e kishin thirrur kurrë gjyshe. Menduan se do e priste e gëzuar djalin e vetëm. Ai kishte kaluar të 70-tat dhe edhe pse nuk mund të quhej plak, kishte vuajtur shumë në jetë. Po i kishte përballuar vuajtjet me një buzëqeshje përbuzëse në cep të gojës. Dhe me shumë punë. Shumë shumë punë. Sa hapte sytë dhe deri sa mbrëmja e detyronte t’i dorëzohej gjumit. Për tu ngritur sërish shpejt të nesërmen e për të rifilluar. Një ditë të re me sfidat e zakonshme dhe me të reja.

Po prehej në krevatin e tij dhe më pas do e fusnin në arkmort dhe do e rrethonin gra që e njihnin dhe të tjera që nuk e kishin njohur, sikundër ishte tradita. Disa do qanin dhe të tjerat do flisnin për të, por më shumë për të rinjtë që ishin vrarë atë vit. Ishte viti i mallkuar 1997. Nuk kishte mundur të ikte nga jeta pa parë edhe tmerret e atij viti. Si të mos i mjaftonin tmerret e luftës së dytë, terrorit dhe burgjeve.

Kishte një pamje të qetë, që shumë rrallë ja kishin parë edhe fëmijët. Nuk kishte as buzëqeshjen në cep të buzës. Nuk donte të tallej me vdekjen. Besonte se po shkonte në një “vend të lëndinshëm”, pasi kishte patur më pak mëkate se një njeri i zakonshëm. E dinte që përtej e priste e jëma. Të jatit i mbante mend vetëm fytyrën nga fotot që i vinin nga përtej oqeanit. Një fytyrë e qetë edhe pse me një lloj preokupimi për familjen e mbetur në vendin e komunistëve. Ndoshta ishte bashkuar përtej me gruan e vyer dhe po e priste edhe ai të birin.

Kishte arritur edhe urata me psalltin dhe po këndonin përshpirtjen. Ai rrinte i shtrirë, i patrazuar as nga zërat e tyre dhe as nga era e temjanit. Nuk donte t’ja dinte më për këtë botë. E kishte njohur mirë me të bardhat dhe të zezat e saj dhe po e linte po aq bardhezi sa e kishte gjetur. Edhe pse optimist, nuk mendonte se një ditë do bëhej një botë e mrekullueshme. E megjithatë i ishte gëzuar ngjyrave të saj, i ishte gëzuar dritës dhe ishte munduar ta kapte e ta vinte diku, mbi një sipërfaqe muri, mbi një telajo apo mbi një copë mazoniti. Sepse të përtejmen nuk e kishte parë dhe nuk mund ta pikturonte.

Po nisej drejt saj i vendosur se nuk do kthehej më.

Ashtu si nuk ishte kthyer më kërkush.


No comments:

Post a Comment