Friday, 13 February 2026

A jemi racionalë në “përkuljen” tonë?


Një miku im (jo arkitekt), i cili i njeh mirë shoqëritë perëndimore, më sugjeroi se isha shumë i ashpër me kolegët në shkrimin e fundit: “Unë, Astrit Nixhën dhe SHASH”. Madje ai me shaka tha se vetë titulli ishte një renditje narcisiste, sepse vendosja në fillim veten, në vend të dytë Nixhën dhe të gjithë të tjerët në fund.

Por seriozisht ai theksoi se me udhëheqësit autokratë nuk ke se si sillesh ndryshe. Dhe përmendi rastin më flagrant të “Trump 2”, kur njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm të kësaj bote (sipas mendjes tonë)ju përkulën dhe i puthën unazën Mbretit -Papë - Donald Trump.

Mua më ka bërë një përshtypje thellësisht negative sjellja e tyre, sepse i kam menduar se si miliarderë duhet të ishin më të lirë dhe më me integritet. Madje edhe më erdhi keq për atë “bythëputhje” të shfaqur haptazi në sytë e të gjithë botës.

Dhe nëse nuk thellohesh pak, mendon jo vetëm që miku im (që njeh mirë shoqëritë perëndimore) ka të drejtë dhe unë jam një kokëbosh që ngutem në mënyrë të rregullt dhe jo efikase, por që arkitektët shqiptarë janë ku e ku më dinjitozë se Tim Kuk, Xhefi i Bezove apo se Billi i Skollos.

Por me kokëfortësinë që më karakterizon, u mundova t’i spjegoja mikut tim se krahasimi jo vetëm që nuk qëndron, por qëndrimet ngjasojnë vetëm tek “bythëputhja”.

Miliarderët ( e pangopur) nisen nga një qëndrim i tyre tepër racional se Trump është i përkohshëm dhe nuk vlen të humbasin postet e tyre udhëheqëse në garën e ashpër të High Tech dhe AI.

Sa të bjerë forca e Urdhërave Ekzekutive të Trump (me shpresë të ndodhë në fund të vitit) ata do ndryshojnë diametralisht qëndrimin ndaj administratës së sotme. Eshtë e pashmangshme.

Arkitektët shqiptarë (ku e fus veten) janë përkulur prej të paktën 30 vjetësh dhe më pas u bënë “bojaxhinjtë“ e këpucëve të Ramës, Veliajt, Peleshit e të tjerëve për disa thërrime dhe duke “ja futur vetes”!

Të gjithë ankohen kafeneve se ç’ju ka bërë Rama me “politikën e poshtër” të listës së arkitektëve të huaj që ju ve para dhe nuk kanë luajtur as gishtin të organizohen, solidarizohen dhe protestojnë. Ose të shkruajnë të paktën “dy gisht kartë“ që opinioni publik të kuptojë se ç’farë ndodh. Nëse 10 vjet më parë do kishin flakur “liçencat” sikundër bëri dje Astrit Nixha, Rama do ishte dorëzuar. Opinioni publik nuk e di që arkitektët e huaj që marrin pjesën e luanit në projekte nuk kanë as liçenca shqiptare! Ata përdorin përgjithësiaht liçencat e arkitektëve “lakej dhe thellësisht kolaboracionistë“.

Ndaj reagimi im emocional i djeshëm nuk ka aspak të bëjë me mua, me Nixhën apo me ndonjë mllef ndaj drejtuesve të SHASH-t të 25 viteve të fundit.

Unë as nuk kam liçencë shqiptare projektimi dhe as kam mundësi të projektoj(nëse më vlen lëkura si arkitekt).

E klithura ime mes lotësh, e vjetër dhe e djeshme, ka të bëjë me shokët dhe kolegët e mij, që shpesh i shoh që vuajnë shpirtërisht, por që qetësohen pas dy tre gotave dhe një pjate të shtrenjtë me fruta deti, në një restorant në Palasë apo në Kalaja e Tiranës. Dhe me mendje ose zë të lartë thonë:

-E mr çuno se s’ka ç’na duhet m’shum!

No comments:

Post a Comment