Sunday, 8 February 2026

“Diaboliku”


Po e “qëndis” këtë portret-karikaturë, kur “diaboliku” është ende gjallë, sepse më vonë (nëse unë nuk do vdes më parë) do ishte e pakuptimtë dhe shumë meskine.

Nuk kam ndonjë urrejtje për të, por një zhgënjim të madh, që me kalimin e kohës është kthyer në një të kuptuar më të qartë se ç’lloj mendjeje fshihej pas syzeve të tij dhe pamjes prej babaxhani. Por duhet të them se nuk e kam njohur në rininë e tij dhe nuk mund t’ja dal të bëj një “psikoanalizë“ të personalitetit të tij.

Duhet ta kem takuar për herë të parë, kur isha ende në Universitet. Nuk e kisha parë ndonjëherë dhe s’kisha asnjë lloj ideje se kush ishte dhe ç’kishte bërë deri në moshën 33 vjeçare. Edhe pse kisha dëgjuar që ishte konstruktor i mirë, nuk më la ndonjë përshtypje veçanërisht të mirë, në takimet e para. Ishte një si “rondokop”, që më kujtonte “Karlsonin, njeriun që banon mbi çati”, por që më saktë ishte përshkruar nga dikush që njihja. “Ai baret sikur i ka mbushur poturet”- ishte përshkrimi që më ishte ngulitur në mendje.

Sigurisht, edhe pse i ri, unë nuk mund të nxitohesha në përcaktimin e një njeriu nga mënyra se si ecte, si vishej apo si fliste. Edhe ato kohë isha në gjendje të kuptoja se këto ishin gjëra pa asnjë rëndësi për të vlerësuar mendjen dhe karakterin e një njeriu. Kuptoja se kishte një lloj pasigurie për gjërat e rëndomta të jetës, por kjo është jo rrallë cilësi e gjenijve. Ende nuk kisha parë ndonjë shkëndijë gjenialiteti tek ai, por sa më shumë “bëja muhabet” aq më tepër më rritej vlerësimi për të. Kuptoja se ishte jo vetëm një profesionist i mirë, por që edhe “dinte nga dynjaja”.

Me kalimin e viteve dhe sa më shumë rritej “pesha” e tij në ZUP-in e Korçës, aq më shumë unë e vlerësoja dhe pranoja të qënit e tij pak “çetin”. Ishin vite kur kishim nisur të flisnim më hapur kundër Diktaturës, dhe ai, edhe pse “kishte frikë“, dukej që ishte më tepër kundërshtar i regjimit se unë apo shokët e mij. Kjo ishte një cilësi shumë e pëlqyeshme në qarqet e të shkolluarve në fundin e viteve ‘80.

“Diaboliku” ishte diplomuar si inxhinier hidroteknik, por nuk e di se ç’rrethana e patën shpënë në ZUP. Ishte e rrallë që inxhinierë të atij specialiteti të punonin si konstruktorë. Ndoshta kishte nga ata që punonin për projektet e instalimeve hidraulike në ndërtesa, por jo më shumë. Ndoshta një mungesë e konstruktorëve të afirmuar e pat sjellë në atë vend. Por duhet theksuar se ishte një emërim, të cilin ai e justifikonte plotësisht, sepse kishte dhënë prova jo vetëm të aftësive të mira, por edhe të një studimi të vazhdueshëm për tu bërë specialist sa më i mirë. Dhe nuk ka asgjë djallëzore në të.

Ajo ç’ka kuptoj më mirë sot, ishte një “nuhatje” e tij “dobësitë“ e arkitektëve të zyrës, për të shtuar ndikimin e krahut konstruktor në projektet dhe në vendimmarrjet. Ishte një lloj theksimi se : “barrën e punës e kemi ne dhe këto “lulkat” e këtyre nuk vlejnë shumë“. Sigurisht nuk ishte ai që e shpiku këtë qëndrim, por ai e riafirmonte në mënyrë sistematike dhe jo të bujshme.

Gjëndja ishte e tillë, që ai mund të imponohej në zgjidhjet arkitekturore të projekteve duke thënë vetëm “kjo nuk bëhet” apo “është kundër kushteve teknike të projektimit”.

Edhe pse mua kjo më linte një shije jo të mirë, sepse kisha bindjen që projekti duhet të drejtohet nga arkitekti dhe konstruktori duhet të jetë në shërbim të ideve të tij, unë isha jashtë ZUP-it dhe qarqeve projektuese. Në mendje e kisha më të lehtë të bëja me faj Kostë Gushon, apo lëshimet e arkitektëve dhe jo mendjen e atij, që e drejtonte “fshehtazi” gjithë këtë proces. Dhe ja kishte arritur me sukses. Në vitin 1989 u këshilluan me të për organikën e zyrës dhe mënyrës se si mund të funksiononte më mirë. Ju dha edhe detyra e shefit të sektorit të Arkitekturës, si më i afti, më i formuari dhe më adapti për të realizuar në kohë projekte të cilësisë. Ishte edhe njeriu që përcaktoi se kush do punonte dhe ku, edhe pse drejtuesi kryesor ishte ing. Josif Shore. Ky i fundit kishte qënë një student i shkëlqyer dhe konstruktor i mirë, por kishte mbi 15 vite që ishte larguar nga projektimi dhe nuk njihte as specialistët.

Drejtoria e Projektimeve punoi për një kohë të shkurtër, sepse ndodhën ndryshimet e mëdha në Europë dhe në Shqipëri dhe në fillimet e vitit 1992, u duk se shpërbërja e saj nuk mund të ndalej. “Diaboliku” ishte i pari që përqafoi inisiativën private dhe bashkë me dy punonjës të tjerë të Drejtorisë së Projektimit formoi të parën studio projektimi dhe më pas e ktheu edhe në firmë ndërtimi. Kishte ende “namin” si konstruktori më i mirë dhe më i besuar për projektim dhe edhe pse nuk kishte në grupin e tij ndonjë arkitekt ishte në gjendje të siguronte klientë dhe projekte. Unë kisha ende admirim për nivelin e tij profesional dhe nuk dyshoja në karakterin e tij. Mund t’i “përkulesha “ çdo kërkese të tij për ndarjen e pagesës edhe pse ai ishte i detyruar të ndiqte idetë e mija projektuese në dy tre projekte që bashkëpunuam gjatë viteve 1992-93. Nuk di se si ishin raportet e tij me arkitektë të tjerë, të cilët gjithashtu projektonin bashkë me të.

Të pakënaqur nga sjellja e tij dhe dëshira për të projektuar gjithshka, ishin kolegët e tij që ishin ende në Drejtorinë e Projektimit dhe kishin dalluar një ndryshim të plotë të sjelljes së tij. Unë vazhdoja të njëjtën marëdhënie si më parë edhe pse dora dorës po dalloja se ai përpiqej të abuzonte me konsideratën që unë kisha për të. Ndërsa i bëja të qartë se raportet në pagesa në Tiranë ishin rreth 60% për arkitekturën dhe 40% për konstruksionin, ai nuk pranonte as një ndarje të barabartë, por këmbëngulte që 60% të mbetej tek ai.

E megjithatë kjo nuk ishte e mjaftë që të zbuloja se kisha të bëja me dikë, që nuk e kisha njohur më parë. Në mbledhjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit, kuptova se ai nuk kishte asnjë lloj parimi dhe ndershmërie intelektuale. Gjithshka ishte koniukturale, e lidhur me interesin e tij të drejtpërdrejtë finanaciar dhe me ndere që mund t’i kishte premtuar dikujt. Vura re edhe një qëndrim më agresiv, se po shihte që pesha e tij në marrjen e vendimeve rreth arkitekturës dhe urbanistikës në Korçë po shkonte në minimum.

Në prillin e vitit 1995 mësova se konstruktori, që i ngjiste “Karlsonit, njeriut që banon në çati” ishte ku e ku më “diabolik” se sa e kisha njohur. I aftë për të bërë edhe intriga, që mund të rrezikonin edhe jetën e ndonjë kolegu. I hoqa përfundimisht një kryq të madh dhe nxorra një mësim të madh në jetë, se nuk duhet të besosh kurrë verbërisht.

“Diaboliku” pat shfrytëzuar aftësitë e tij profesionale, si dhe për tu shtirur si i drejtë dhe parimor, për të gënjyer shumë profesionistë edhe më të mënçur se unë. Por Liria e kohës dhe shumë faktorë të tjerë, sigurisht që do ja “nxirrnin kallajin”. Shumë njerëz ju larguan duke përfshirë ortakët e tij që i ndrronte çdo 6 muaj.

Nuk mund të fshihej më pas pamjes së tij prej babaxhani dhe “leshkoje” të shtirur.

No comments:

Post a Comment