Tuesday, 17 February 2026

“Plak i rrëgjuar, i mbetur pa shokë!” (fund)

 


(vijim)

Konkurenca mes kambistëve, ndryshimet e vazhdueshme në kurset e valutave dhe frika se një “sëmundje e keq”, si ajo e gruas të tij të ndjerë do e zinte një ditë, e bënte të ndjehej gjithnjë e më “i ngarkuar” psikologjikisht dhe kur “nuk mund të grindej me leckat e trupit”, grindej me të tjerët. Deri sa një ditë nisi të bënte fjalë edhe me tre-katër shokët që e mbronin faqe të tjerëve. Disa grindje ishin tërësisht të kota, si njëra kur dyshonte se një kartmonedhë fallco ja kishte futur në tufën e tij, një prej tyre. Më vonë ishte kujtuar se atë e kishte marrë nga një këmbim jo i leverdisshëm me një tregëtar grek, por shoku tashmë ishte kthyer në ish-shok. Nëse kërkonte falje bëhej shumë “nervozishëm” ndaj zgjidhte të mos kërkonte ta ndjenin, por të ikte larg ballafaqimit me mëkatin e madh të grindjes së panevojshme në kurriz.

Ndaj edhe vendosi të linte kambizmin dhe të zinte një punë stabël, me të cilën mund të plotësonte edhe vitet që i duheshin për pensionin. I duheshin diçka mes 6 dhe 8 vitesh pune, për të marrë një pension të plotë, të vazhdueshëm dhe dinjitoz. Sepse ende mendonte se mund të ndërtonte një jetë të bukur në çift, edhe pse ndoshta ishte vonë për të patur një trashëgimtar. Po nëse mund të gjente dikë që mund të “pillte”, sikundër i kishte thënë dikur një nga shokët, që ishte bërë ish-shok, mbase edhe ëndrra për tu bërë prind-fëmije mund të gjente vend në realitetin objektiv.

Puna ishte që nuk dinte ç’punë të bënte. Në fëmijëri kishte ndihmuar të tijtë në fshat, kur merreshin me “tre dylymshin”, që më vonë ishte bërë “dy dylymsh” deri sa ja u kishin marrë të tërë. Dinte të lidhte tërkuzën mbi një ngarkesë në samarin e një gomari apo mushke, por e dinte që një aftësi e tillë nuk do i siguronte punë me orar të plotë. Mushkat ishin rralluar shumë dhe gomerët kishin filluar të bënin punë të tjera. Aftësitë për të llogaritur flurudhën e predhave nuk i hynin më në punë. Gjithshka digjitale. Pa ç’pa dhe hyri të ndihmonte në një fushatë zgjedhore të një partie që ishte në fuqi dhe pasi Partia me shumë fuqi i rifitoi zgjedhjet vendore kërkoi dhe “kapi” një zyrë në një rajon. Puna ishte më e lehtë se e lidhura e kapistrave mbi samarë dhe ai ja mori dorën menjëherë. Nuk kishte ç’të bënte tërë ditën e Perëndisë dhe mjaft të hynte në rrjetet sociale dhe të bënte “like” në formë zemre, ose të shkruante “je njish!” në postimet e Kryetarit të Bashkisë dhe e kishte bitisur atë që duhej për të mos lëvizur deri në daljen në pension. Shkruante edhe “urime” nën fotot e datlindjeve të familjarëve të punonjësve të administratës dhe gjithashtu shumë shpesh shkruante “respekte”. Me këtë të fundit ishte gjithnjë në rregull se nuk kishte pse ta lexonte teksin e postimit. Sido që të ishte teksti, “respekte” kishte një vlerë universale. Me të nuk mund të gabonte kurrë. Deri sa një ditë, një nga funksionarët e lartë të Bashkisë kishte hedhur gabimisht një video kompromentuese të vetes, që tregonte marëdhënen jashtëmartesore plot afsh në një dhomë hoteli. Nëpunësi i rëndësishëm e hoqi shpejt videon, por “respekte” e personazhit tonë, që ishte i pari koment, mbeti për një kohë të gjatë. Nëpunësi që mbeti në punë e shihte shtrembër.

Dhe kështu i shtyu 6 ose 8 vjet deri sa doli në pension me një pagesë të plotë, të vazhdueshme dhe dinjitoze. Dhe u tmerrua. Kuptoi se nuk kishte grua, nuk kishte shokë dhe nuk kishte ç’të bënte nga sabahu në aksham. Edhe 5 kilometrat që i kishte thënë doktori të bënte, që mos i binte pika, i mbaronte për treçerek sahati. Pastaj Hiç. Dhe nisi të shkruante letra. Pafundësisht letra, që herë i postonte dhe herë i shtynte për muajin e ardhshëm sa të merrte pensionin. Se edhe pullat nuk t’i jepte njeri badihava se mbështesje në fushata Partinë me shumë Fuqi. Një anëtar i një komison zgjedhor , i tha se mund të kursente paratë e pullave po të dërgonte “letra digjitale” dhe nisi të shkonte në një internet kafe, ku avash avash ja morri dorën të shkruante tre letra në një orë, gjë që i kushtonte 4 herë më pak se të paguante për zarfe dhe pulla. Vështirësia ishte se e kishte të vështirë të gjente “andresat” email të pritëseve, kurse vendet e punës apo shtëpitë ja u dinte dhe letra ju binte në dorë për dy-tre ditë fatlumeve.

Veç fatlumet nuk e kuptonin se ishin të tilla kur merrnin letrat nga ish-oficeri i artilerisë. Nuk i përgjigjeshin. Disa prej tyre mendonin që koha e gjatë në shërbimin ushtarak e kishte lënë letërdërguesin pak të prapambetur. Se dhe për të qënë të drejtë me të gjithë, ai nuk kishte shumë shije në veshje. Gjatë dimrit duhej si “kau me një lëkurë“, se mbante të njëjtën xhakavento “meshini”, që kishte filluar të zbërdhyej jo vetëm në brrylet. Disa të tjera mendonin se vështrimi i tij drejt tyre, kur këmbeheshin trotuareve, ishte pak si tepër epshak, gjë që i trembte. Vetëm njëra prej tyre, që dinte të ndante njeriun nga veshja, i qëndisi një letër, ku theksohej ana e tij “e vështirë“ në marëdhëniet me të tjerët. Letra mbyllej me “ti nuk flet me filanin, dhe nuk flet as me fistëkun, ndaj për mua është e mira të shkosh në filifistun!”

Kur e lexoi e kapi të qarët. Gjithnjë i kishin pëlqyer mollaqet e saj, por tani kuptonte se ajo kishte edhe tru veç mollaqeve dhe ai nuk do kishte kurrë mundësi ta “bënte të tijën”.

E megjithatë nuk u shkurajua deri në masën sa të hiqte dorë nga letrat. Vetëm nisi të ishte më i matur në letrat që ju dërgonte vejushave, të divorcuarave dhe beqareve, hiret e të cilave e kishin tërhequr dikur. Ndaj dhe vazhdon të dërgojë pa pasur më parasysh mollaqet, “bumjet” apo “leshtë“ e tyre. Ato kohë të bukura kur hiret kishin shumë rëndësi për të tashmë kanë perënduar. Më shumë i duhet dikush që ta ndihë kur “mezi del jashtë“, ose kur shkon më shpesh për “të derdhur ujët”.

Jo rrallë mendon se është “një plak i rrëgjuar, i mbetur pa shokë“, cilësim ky i frymëzuar nga thënia e Kadaresë “plakë e gjorë e mbetur pa atdhe”, që shkrimtari i famshëm ja atribuonte Dullës, por që ende nuk dihet se cili e kishte menduar nga dy gjirokastritët.

Nëse është e vërtetë është e dhimbshm, por ai tashmë e pranon.

Në fund të fundit, gjithshka është e bukur dhe e mërzitshme njëkohësisht!


No comments:

Post a Comment