Muzeu i Artit Mesjetar është një margaritar në zinxhirin e muzeumeve të Shqipërisë. Për shkak të vlerave që përmban (edhe të konvertuara në euro apo dollarë) ai është Muzeu më i rëndësishëm shqiptar.
Herë herë kam prekur çështje që lidhen me të, sepse kam pasur një lloj lidhje, që në vitin 1984, kur sa isha dipomuar.
Ish-mësuesi im i vizatimit, skulptori Avni Bilbili, atë kohë drejtor i Muzeut më kërkoi të merresha me organizimin (sot e quajnë kurim) e një ekspozite të përkohshme brenda Muzeut, në një sallë që deri në atë kohë nuk përdorej për ekspozim. Edhe pse e kisha vizituar pavionin e vetëm të Muzeut dhe isha mrekulluar nga eksponatet, kur pashë fondin e madh të Muzeut mbeta pa fjalë. Më pas ekspozita u hap dhe pas vizitave të herë pas hershme në mjediset e Muzeut kisha parë si funksiononte. Ishin disa piktorë që merreshin me restaurimin e ikonave, një inxhinier kimist (Kristaq Balli) që ndihmonte në restaurimin më tepër të objekteve, që nuk ishin ikona, një fotografe e mirë që dokumentonte me foto procesin e restaurimit hap pas hapi dhe një historian dhe drejtori. Dy të fundit rrinin në një zyrë dhe unë nuk e kuptoja se ç’bënin. Duke qënë i ri në punë dhe pa përvojë nuk mund të arrija të kuptoja sa të rëndësishëm ishin drejtori dhe historiani për atë muze.
Muzeu i Artit Mesjetar ishte pikë shumë e rëndësishme për vizitat e të huajve në Korçë, që atëhere ishin të pakët (kryesisht delegacione të partive marksiste-leniniste) dhe rolin e ciceronit e luante historiani, por edhe drejtori. Në mungesë të tyre edhe ndonjë nga piktorët – restaurues.
Idea për krijimin e Muzeut kishte lindur në fillimin e viteve ‘70, për të administruar mirë mijërat e ikonave të mbledhura në kishat ortodokse nëpër Shqipëri. Nuk di nëse kishte lindur në rrethet e Akademisë së Shkencave apo në kokën e Diktatorit, por fakt është që ikonat nuk u asgjesuan, por u ruajtën për vlerat e tyre artistike dhe historike. Sipas thënieve të asaj kohe, u vendos për tu bërë në Korçë, për shkak të ikonostasit të Kishës së Burimit Ujëdhënës, sepse për transferimin e tij në një vend tjetër, do duhej që ai të ndahej në disa pjesë.
Gjithsesi, pas mbylljes së kishave, ngritja e Muzut ishte diçka e mençur. Brenda tij do ishin Onufri, Shpataraku, Zografët dhe shumë piktorë të tjerë me emër dhe anonimë, që kishin pikturuar në mënyrë të shkëlqyer gjatë më shumë se 12 shekujsh. Për të mos e quajtur Muzeu i Ikonografisë, përfshinë brenda tij edhe eksponate (jo ikona) të tjera duke futur edhe pak vlera arti të marra tek xhamitë dhe e quajtën Muzeu i Artit Mesjetar.
Puna brenda muzeut ishte një punë pastërtisht artistike dhe jo me shumë ngarkesë, Thuajse të gjithë punonjësit ishin me orar të reduktuar se ishin anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk futeshin këtu historiani, fotografja dhe pastruesja. Muzeu kishte edhe luksin e të qënit një Institucion i varur nga Ministria e Arsim-Kulturës dhe kjo i jepte pavarësi nga pushtetarët vendorë.
A ishte ngritur në nivelin shkencor të një institucioni kombëtar?
Për këtë kam nuk jam i sigurt dhe kam disa dyshime sepse nuk jam i sigurte ç’farë artikujsh shkencorë kishin botuar Avniu dhe të gjithë vartësit e tij në periodikët shkencorë dhe jo shkencorë të kohës.
Ndoshta objektet e Mesjetës patën ndikuar psikologjikisht tek punonjësit e Muzeut në një lloj “zdërhalljeje”, por në atë kohë pak punohej kudo. Ekzistonte parimi “ne bëjmë sikur punojmë dhe ata bëjnë sikur na paguajnë.” Mendësia e tyre pak“mesjetare” manifestohej më tepër në një lloj servilizmi ndaj autriteteve vendore dhe atyre të Tiranës dhe një lloj mefshtësie intelektuale. Ishin të paktën 3 piktorë, që kishin mbaruar Institutin e Arteve, një skulptor i studiuar në Bullgari dhe një shkrimtar-inxhinier kimist. Megjithatë nuk mund të them se mbanin shumë peshë në kulturë e qytetit.
Pika kulmore e servilizmit të tyre Mesjetar, u manifestua hapur në shkurt të vitit 1991, kur nga dera e Muzeut, vullnetarët e Enverit me në krye vëllezërit Bilbili nxorrën bustin prej allçie të Enver Hoxhës dhe e vendosën atje ku qytetarët korçarë kishin rrëzuar shtatoren e Dullës. Nga një institucion shkencor dhe kulturor dilte fantazma e Diktatorit për tu rivendosur nën klithmat histerike të fshatareve të gënjyera: “Kush s’e do Enverë/ Sytë le të nxjerrë!” Në vend që punonjësit e Muzeut të dilnin me një ikonë të madhe të Krishtit e t’i bënin thirrje popullit për liri, ata nxorrën nga Muzeu bustin e Antikrishtit dhe e vendosën mbi piedestalin e mermertë. Nuk di se ç’bënë në orët e mëvonshme vartësit e Bilbilit, por edhe nëse nuk brohoritën bashkë me fshatarët dhe Ollgë Mitrushin, heshtën me një heshtje prej bizantinësh.
(Rastësisht, sot duhet të jetë përvjetori i 35-të i asaj ditë famëkeqe, që po dilte kundër rrjedhës së historisë dhe dëshirës të popullit shqiptar.)
(vijon)
No comments:
Post a Comment