Friday, 6 February 2026

Vitet ‘80 në arkitekturën e Korçës


Vitet ‘80 janë vitet e rrokullisjes ekonomike të socializmit në Shqipëri. Ndihmat e Kinës u prenë zyrtarisht në verën e vitit 1978 dhe prej asaj kohe, Kina “mike” u rrjeshtua në rradhët e armiqve kapitalisto-revizionistë të Shqipërisë. Tashmë kishte mbetur vetëm parrulla” të mendojmë, të punojmë e të luftojmë si në rrethim”. Idea e bllokadës së plotë (ajo ishte më shumë një autobllokadë) i shërbente Diktaturës për të hedhur fajin e dështimit ekonomik dhe të mungesës së ushqimeve tek të huajt.

Detyrimisht do kishte ulje të fondeve për ndërtim, madje një pjesë jo e vogël e tyre, po shkonte për ndërtimin e “qëndrave të zjarrit”, një projekt i konceptuar dhe drejtuar nga Mehmet Shehu dhe Alfred Moisiu, pas “puçit (imagjinar) të ushtarakëve” të vitit 1974.

Ndërkohë në vendet fqinje (Greqi, Itali, Jugosllavi) Arkitektura Moderne (sipas doktrinës) vazhdonte të mbizotëronte dhe edhe nëse ndjeheshin prirje për një arkitekturë post-moderniste, si në rastin e rrymës La Tendenza në Itali, këto mbeteshin në suazën e diskutimeve teorike në revistat e arkitekturës. Pra edhe nëse projektohej më me cilësi se në Shqipëri, kjo kishte të bënte më shumë me cilësinë e materialeve dhe me normat e projektimit më të lirshme. “Sahati” i projektimit në Mesdhe kishte ngelur tek parimet e Style International. Bënte disi përjashtim jugu i Francës, por jo në ndonjë mënyrë spektakolare.

Në Korçë, projektet individuale në ato vite ishin të pakta, sepse edhe investimet ishin të përqëndruara në banesat kolektive tip, nevoja për të cilat ishte në rritje për shkak të rritjes natyrale të popullsisë. Ishin vitet kur popullsia e Korçës i kaloi të 75 mijë banorët, që shënon edhe kulmin e popullsisë së saj.

Në qytet, në prag të viteve ‘80 punonin 5 arkitektë. Bellanit i ishin bashkuar Persi Asllani, Ylli Nashi, Aleko Papakozma dhe Kliti Kallamata. Por vetëm tre të parët punonin në Zyrën e urbanistikës si arkitektë dhe urbanistë të mirëfilltë.

Si e përmenda më lart investimet në ndërtim ishin në rënie ndaj dhe ndërhyrjet dhe gabimet më të mëdha u bënë në fushën e Urbanistikës.

Në Institutin e Projektimeve nr 1 në Tiranë, një grup punonte nën drejtimin e ing. Gjergji Kotmilos, për planin rregullues të Korçës. Ishte një ndërmarje e madhe dhe njëkohësisht e domosdoshme. Për fat jo të mirë, konceptimi i tij kishte që në themel bazuar në një ide të gabuar. Shtimin e lagjeve periferike për të përbaluar rritjen e popullsisë dhe të zonave industriale, duke mbajtur si strumbullar Qendrën ekzistuese të Korçës, qytet me një strukturë shumë të ngjeshur.

Duke jetuar gjithë jetën në qytetin tim, idea ime qysh në vitet studentore pat qënë që qyteti kishte nevojë për hapësira, por jo të natyrës periferike, Jeta shoqërore e tij ishte brenda një rrezeje jo më të madhe se 2 kilometra. Për këtë pata menduar që ai qytet duhej të shndrrohej në një qytet me Dy qendra, ku e reja (diku jashtë unazës ekzistuese) të kishte investime social kulturore dhe sportive, për të tërhequr banorët edhe të pjesëve të tjera dhe për të mos u ndjerë të ndjeheshe si në një “kotec”. I qëndroj edhe sot të njëjtës ide, edhe pse popullsia e sotme është çereku i asaj të viteve ‘80.

Plani rregullues kishte brenda ide interesante të hapjes së arterieve të reja, por përsëri nuk i jepte zgjidhje probemit kryesor të arkitekturës së Korçës- tejngjeshja e ndërtimeve në lagjet kryesore.

Por më i rëndë si gabim nga Plani i madh Rregullues ishte plani pjesor i zonës së kazermave, i cili nuk po përpilohej në kryeqytet, por i ishte lënë në dorë Zyrës së Urbanistikës.

Ka qëlluar që në kohën e projektimit të tij, kam qënë për një muaj të “punës prodhuese” në ZUP-in e Korçës dhe kam parë nga afër se si projektohej. Nuk kishte as detyrë projektimi dhe as një konceptim bazë. Edhe pse në vitin e fundit të studimeve dhe pa ndonjë përvojë projektuese u trondita nga fakti, që projektimi i një mikrorajoni të lihej në duart pa përvojën e duhur të një zyre në rreth e për më tepër të mbante për bashkëautor një inxhinier rrugësh, që atë kohë drejtonte ZUP-in, ing. Kostë Gusho. Zbatuesja e ideve (dhënë gojarisht) të Kostës ishte arkitektja Persi Asllani. Ai studim (që kërkohej me ngut nga Ndërmarja e Ndërtimit për nevoja urgjente për sheshe ndërtimi) ishte rezultat i nxitimit përzjerë me injorancën dhe mungesën e aftësive profesionale. Herë herë vinte dhe sugjeronte ndryshime edhe shefi i seksionit të ndërtimit ing.Nesti Stillo, i cili kishte hallin e shesheve për NN-në dhe realizimin e planit vjetor të ndërtimeve.

Nuk di a shkoi projekti për t’u miratuar në Tiranë, por besoj se miratimi duhet të ketë qënë kompetencë e Këshillit teknik të rrethi, asokohe i drejtuar nga zv.kryetari i komitetit Bajram Shtylla (mund të duket tragjikisht qesharake sot, por i njëjti njeri që drejtonte të ardhmen e ndërtimeve, drejtonte edhe Komisionin e Dëbim Internimeve). Një projekt i atij niveli nuk mund të kalonte dot në Këshillin Teknik të Institutit nr. 1. U realizua ashtu sikundër u projektua dhe krijoi atë mikrorajon, që edhe pse nuk mund ta quaj me plot gojë “geto”, duhet të them që nuk është aspak i denjë për Korçën dhe arkitekturën e saj. Dhe kjo në një sipërfaqe krejt të lirë dhe thuajse tërësisht horizontale.

(vijon)

Shenim: Turizmi ne vitet '80. ark. Koco Comi

No comments:

Post a Comment