Saturday, 14 February 2026

Serenatat tona nën sulmin e “dumbabistave”


Sot është festa e të dashuruarve me një DA të fortë para dhe unë nuk mund të rri pa kënduar këngët me të cilat jam rritur dhe që janë “serenatat korçare”. Tashmë e kanë pranuar të gjithë në Shqipëri, që serenatat janë vetëm korçare dhe askush tjetër nga Shkodra, Tirona apo Saranda nuk ka të drejtë të krijojë të tilla. Besoj se shumë shpejt ato do vihen edhe në mbrojtjen e UNESKO-s, sikundër janë vënë isoja labe, lahuta e veriut, gajdeja e jugut dhe curla e Taulant Ballës.

Serenatat tona janë pjesë e të gjitha festave familjare dhe jofamiljare shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Këndohen jo vetëm nga nipat e Tasi Fotografit, Eli Fara, Papa Spiroja apo Laxarela Deti, por thuajse nga të gjithë këngëtarët shqiptarë, profesionistë dhe amatorë. Për shembull në një dasëm në Toronto me DJ dhe këngëtar, krahas “klasikeve” si “Nuk ka si Tirona goce!” apo “Tuj shëtit n’ara t’gjata!” u kënduan edhe disa putpuri të serenatave tona. Mes tyre shkëlqenin këngët “Të lashë ty moj Tanë“, “ Kënga e harapkës”, “O kur dal i pirë moj nga Republika” dhe “Magdalena, Magdalena”. Sigurisht që edhe unë si çdo bashkëqytetar që jeton jashtë, jo vetëm u ngazëlleva dhe u përlota, por edhe këndova deri sa më lejonte gurmazi. Një çast, këngëtari amator me mikrofon, më pa shtrembër se duket pata fallcarur më shumë se sa lejohej.

Gjithsesi unë nuk e humba as toruan dhe as krenarinë, që të jep serenata e bukur korçare e kompozuar gjatë viteve në dhomat tona të ngrohta, kur kitaristi kantaautor e mban veshin në radioja dhe atë që dëgjon e hedh mbi tela.

Por vitet e fundit, kam dalluar se serenatat tona janë nën sulmin e këngëtarëve të trojeve të tjera shqiptare dhe veçanërisht të atyre nga Shqipëria e Mesme. Meloditë e tyre marrin jo rrallë disa ngjyrime që të kujtojnë Anadollin, ndoshta kjo edhe nga futja e ndonjë instrumenti, i cili nuk ka qënë në traditën tonë. Mbase edhe nga ndonjë orkestrim i ri. Mund të numuroj pa fund këngë që i dëgjoj të transformuara jo veteëm në “sebepe” Tiranse, por edhe në klubet e restorantet e Korçës. Rreziku është që ato në vite të humbasin origjinalitetin.

Por më i dukshëm është ndryshimi i teksteve. Për shembull një këngë që më pëlqen ta këndoj shpesh gjatë dimrit të gjatë kanadez (me gjasa e krijuar nga Gjergji Peleshi, njëri nga xhaxhallarët këngëtarë të Nikos) është kënga “Binte dëbora moj me ngadalë“. Disa ditë më parë e dëgjova të kënduar nga një “dumbabist”. Dhe ishin transformuar vargjet e refrenit, të cilat më pëlqejnë më shumë:

Me doçkat e njoma

Ti rrije pranë zjarrit

I bëje çorape ushtarit.

Të goditura, domethënëse, kuptimplota, romantike, thellësisht korçare. Kë të zesh e kë të lesh. “Doçkat”, “zjarri”, “rje çorapesh”. Të gjitha tipike korçare që përshkruajnë gjithë atmosferën e dimrit të Korçës në kohën e Diktaturës. Vajza adoleshente e dashuruar, që punon me 5 shtiza për t’i bërë çorape të dashurit të saj ushtar, i cili për tre vjet në kufi duhet të vigjëlojë, që armiqtë e jashtëm mos i cënonin. (Se po të ngriu këmba plehvitosesh!)

“Dumbabisti” nga Shijaku ose Ishmi, i këndonte të transformuara dhe pikërisht:

Me durt e tu t’vogla

Pran’ kondicionerit

I thurrje nji triko asqerit!

Më kapi të qarët dhe mendova t’i shkruaja menjëherë Nikos, por më pas u kujtova që për hir të marëdhënieve me Erdoganin edhe ai nuk mund të ndërhyjë.

Në xhenhem të vejë edhe Vallentinoja pas kësaj!

No comments:

Post a Comment