Sot Prokuroria e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë (e vendosur në Hagë) ka kërkuar që katër udhëheqësit e arrestuar të UCK të dënohen me nga 45 vjet sejcili. Emrat e tyre janë të njohura prej kohësh ndaj nuk po zgjatem t’i shkruaj.
Nuk kam lexuar për reagimin në Kosovë dhe në Shqipëri, por nuk kam ndërmend të shkruaj për të. Problemi nuk është as vetëm i Thaçit me shokë, as vetëm i Kosovës dhe Shqipërisë, por një problem që lidhet me të gjithë botën e sotme edhe pse krimet, për të cilat akuzohen, janë kryer gjatë shekullit që kaloi.
Problemi kryesor është e ardhmja e Gjykatave Speciale për krimet në luftrat rajonale, e ardhmja e Gjykatës së Hagës dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare, që lidhen kryesisht me dënimin dhe ndëshkimin e krimeve shtetërore.
Eshtë koha më e vështirë për zabatimin e ligjeve ndërkombëtare.
Trump ka nxjerrë nga “mylli shpatën” dhe po pret majtas dhe djathtas të gjitha institucionet, që mbanin pakëz në balancë, botën e dalë nga kasaphana e Luftës së Dytë Botërore. Jo se gjatë 80 viteve nuk pati më luftra dhe krime; jo se këto institucione kanë qënë të pakorruptuar; jo se kanë punuar me efikasitet dhe kanë qënë të pandikuar. Nuk dua të them këtë. Por dua të ritheksoj se kanë bërë shumë që të parandaloheshin disa konflikte apo të parandalonin fatkeqsi në përmasa të mëdha të shkaktuara nga njeriu apo natyra.
Amerika e Trump tani nuk çan më kokë për këtë, por shkel çdo rregull dhe detyrim, për të arritur tek reakizimi i parrullës idiote “Make America Great Again!” Pasojat kanë qënë të rënda për Njerëzimin, qysh në vitin e parë të tij.
Me të drejtë dikush mund të pyesë:
“Po a duhet të blatojmë ne “heronjtë” tanë si sakrificë për shpëtimin e tempullit të “Old Order” (sistemi i vjetër ndërkombëtar)?
Unë nuk kërkoj këtë. Gjithashtu nuk mendoj se “heronjtë“ tanë nuk kanë bërë krimet për të cilat akuzohen. Por si opinioni im ashtu edhe pretenca e prokurores ka pak rëndësi. I rëndësishëm është vendimi i Gjykatës, që mund t’i shpallë edhe të pafajshëm, “Gjarpërin” me shokë.
Por nëse duam të jemi mes kombeve të qytetëruar ne nuk duhet të skandalizohemi me kërkesën e prokurores. Nuk ka as përse të protestojmë në Tiranë apo në Prishtinë. As të tjerrim teoritë se këto i shkakton lobimi sërb, apo “bythëtundjet” e europianëve për të marrë me të mirë Vuçiçin.
Ne duhet të mbështetim Gjykatën dhe Prokurorinë speciale nëse duam të jetojmë në një botë pa krime lufte.
Nuk duhet të themi as :“Po pse nuk dënohen Putin, Netanjahu, Bushi apo plot presidentë amerikanë, që kanë urdhëruar krime lufte, por fajtorë bëhen vetëm tanët?” Eshtë një logjikë naive edhe pse mund të duket e drejtë.
Ka dhjetra arsye se pse udhëheqësit e vendeve të mëdha dhe të pasura nuk shkojnë ende në burgje. Nuk janë objekt i këtij shkrimi.
Objekt është nëse ne, populli i vogël i Ballkanit, duhet të luftojmë për aplikimin e ligjeve ndërkombëtare, apo duhet të brohorasim vetëm kur dënohen armiqtë tanë dhe të “hidhemi përpjetë“ kur dënohen tanët.
Dhe kjo gjë është e lidhur drejtpërdrejt me Mbijetesën e Kombit tonë të vogël.
No comments:
Post a Comment