Thursday, 5 February 2026

A ka pasur ndonjë sinagogë në Shqipëri?


Ka “ziliona” gjërash që nuk di për Mëmëdheun tim dhe këtu hyn edhe pyetja nëse ka pasur ose jo ndonjë sinagogë në Shqipëri. Përgjigja në këtë rast është e prerë - ose ka pasur ose nuk ka pasur. Nuk kam hasur në ndonjë shkrim, ku flitet për “heroizmin” tonë në shpëtimin e hebrenjve të përmendet ndonjë rabin shqiptaro-hebre apo ndonjë sinagogë. Madje nuk kam dëgjuar as për ndonjë hebre të rënë gjatë luftës së dytë në rradhët e antifashistëve, kur dihet që në çdo vend europian ata ishin ndër më aktivët në luftën kundër Boshtit.

Një miku im i mirëinformuar më tha se “flitet që ka pasur një në Vlorë, por është djegur në periudhën midis dy luftrave të mëdha”. Bëhej fjalë për dy botëroret e shekullit të kaluar. Një kohë jo fort e largët dhe fakti mund të dokumentohet në gazetat e kohës, se ato përmendnin gjithfarë ngjarjesh të vogla (fejesa, martesa, krime) dhe mundësia të mos përmendnin djegien e një tempulli është tejet e vogël.

Unë nuk jam njohës i sinagogave dhe as i ndërtimeve të tjera të karakterit fetar. Ndoshta diçka më shumë rreth sinagogave mund të dijë Leka Meksi, që është marrë për rreth 64 vjet (duhen përjashtuar vitet si kryeministër) me studimin e ndërtimeve të kultit në Shqipëri. Interesi im për to vjen vetëm për të pasur një ide të qartë se cili ishte raporti midis shqiptarëve dhe çifutëve në kohët para Luftës së Dytë Botërore. Ju riktheva kësaj teme i nisur nga fjala e Edi Ramës në Kneset, që është i pari i një kryeministri shqiptar.

Për qëndrimin e regjimit feudo-socialist të pasluftës, që mbeti i njëjtë deri në rrëzimin e Diktaturës, mund të them se ishte i dyfishtë. Simpati dhe mbështetje për popullin hebre, që kishte kaluar holokaustin dhe qëndrim armiqësor ndaj shtetit të Izraelit. Ishte i njëjtë me atë të Bashkimit Sovjetik që e kishte mbështetur krijimin e Izraelit në fillim, por për shkak të aleancës së fortë të shtetit të posaformuar me vendet perëndimore dhe veçanërisht me Amerikën e quante “armik”.

Jo vetëm “Ditari i Ana Frankut”, por edhe disa libra të tjera që përshkruanin tmerrin e kampeve të përqëndrimit gjerman ishin botuar në Shqipëri nëvitet ‘50-’60 në tirazhe të mëdha dhe ishin mjaft të njohur për ata që lexonin. Në të njëjtën kohë gazetat anatemonin Izraelin për të gjitha luftimet me arabët, duke krijuar idenë në popull se shteti i hebrejve ishte i ligjshëm, por agresor dhe tokërrëmbyes ndaj fqinjëve.

Kjo krijoi për dy tre breza, të cilët nuk kishin ndonjë paragjykim për hebrejtë (veç cilësimit të tyre si “kurrnacë“), të kishin një qëndrim ose të turbullt ose armiqësor ndaj tyre. Ndërkohë, qëndrimi i paraluftës që nuk ishte aspak antisemit rridhte nga politika e Perandorisë Otomane ndaj hebrejve, e cila ishte jo vetëm neutrale, por deri diku përkrahëse. Arsyeja e dytë ishte se numuri i familjeve çifute në Shqipëri ishte shumë i vogël dhe ata nuk kishin formuar ndonjë komunitet të fuqishëm, që mund të ngjallte zili dhe urrejtje tek vendasit, sikundër ndodhte tek vendet e tjera europiane.

Korça ishte qyteti më i madh shqiptar i gjysmës së parë të shekullit të XX-të dhe në të jetonin vetëm një ose dy familje të origjinës hebre edhe pse pak më tepër se 200 kilometra më tej, jetonte në Selanik një nga bashkësitë më të mëdha çifute në gjithë Europën. Unë mund të përmend vetëm familjen e doktor Kalmarit . Ndoshta kjo mund të shpjegohet me faktin se hebrejtë emigronin kryesisht në qytete-porte, ku mund të zhvillonin më me sukses talentin e tyre për tregëti, por edhe nç Durrës, Vlorë apo Sarandë, numuri i familjeve çifute nuk ishte shumë shumë i madh.

Mosprania e antisemitizmit mund të vijë edhe nga fakti që numuri i shqiptarëve të krishterë ishte i pakët dhe kishat katolike dhe ortodokse nuk ishin shumë të fuqishme. Në Rusi, Poloni, Gjermani, Francë dhe Britani, ku kishte edhe prani të madhe të hebrejve, persekutimi i këtyre të fundit ka qënë i pranishëm që në kohën e forcimit të Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse (paramesjetare).

Me një fjalë ne nuk kishim antisemitizëm se nuk kishim tradita shumë të forta fetare kristiane, se ndenjëm pesë shekuj nën otomanët dhe se ishim një vend i varfër që nuk i kishte tërhequr hebrejtë. Jo se jemi më të mirë , më të dashur dhe më të drejtë se popujt e tjerë europianë.

Eshtë e natyrshme që ndryshimi i sistemit dhe renditja jonë pa kushte në krah të amerikanëve do na “vëllazëronte” me shtetin e Izraelit edhe ëse në të njëjtën kohë ishim bërë anëtarë të Konferencës Islamike. (Duhet theksuar se edhe urrejtja mes arabëve dhe izrailitëve është dukuri vetëm e 90 viteve të fundit, rrjedhojë e krimeve mesa palëve, që paraprinë krijimin e shtetit çifut dhe më tepër akoma pas tij). Tek ky vëllazërim, pa ndonjë rrënjë të thellë, ndikonte edhe fakti, që shumë shqiptarë hynin në listën e të Drejtëëve mes Kombeve (Righteous among Nations) dhe nuk njiheshin raste që shqiptarët kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe nazistë për të kapur hebrejtë, që më pas dërgoheshin në kampet e shfarosjes.

(vijon)

Shenim: Ne foto Sinagoge ne Stamboll

No comments:

Post a Comment