Dyfjalëshi “sy magjik” të mrekullonte në fëmijëri. Sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për një fëmijë se Syri dhe mendo nëse është edhe magjik. Kur je fëmijë nuk e kupton rëndësinë e trurit, se aq tru ke. Po syri është gjithshka që të ve në prekje dhe kuptim të botës. Aq sa mund të shohësh dhe mund të kuptosh.
Por kupton ama se sa e mrekullueshme do jetë të kesh një “sy magjik”. Ndaj dhe unë ja ngulja vështrimin tim “syrit magjik” të radios së shtëpisë edhe pse kurrë nuk kuptova se ç’rol luante dhe nëse shihte gjë ç’ndodhte përreth.
Më vonë, kur isha adoleshent mësova se “syri magjik” i theshin edhe një si punë lenteje që vihej në dera e një apartamenti. Po të ngjiteshe mbi kurrizin e një shoku dhe të vije syrin nga jasht, nuk mund të shihje asgjë. Por po të ishe brenda shtëpisë shihje që ç’ke me të. (Unë i ngatërroj këto lentet konvekse me konkave dhe anasjelltas, se me kujtohet Arkimedi që përvëloi anijet në Sirakuzë dhe i trembem syvënies në një lente).
Zakonisht të tillë “sy magjikë“ vinin ata që kishin profesione, të cilat mund të shkaktonin një bezdisje nga “myshterinjtë“ e shumtë që mund të trokisnin në derën e tyre. Mjekët për shembull kishin të drejtë, se në ato kohë nuk kishin telefona të gjithë (e kam fjalën për fikset, se celularët nuk ishin shpikur) dhe pacientët ose familjarët e tyre mund të trokisnin në çdo orë të ditës a të natës. Nga syri magjik, mjekët vetë ose familjarët e tyre shihnin nëse kishin pas dere një të njohur apo ndonjë fshatar nga Belortaja që vinte të kërkonte recetë ose ndonjë këshillë mjekësore. (Kishte raste që fshatari nga Belortaja kishte një tufë të madhe me presh dhe qëndrimi ndaj tij rishikohej, por preshtë kishin një sezon të shkurtër që mblidheshin. Jo më shumë se dy javë).
Të tjerë mund të ishin funksionarë të lartë të Partisë, teknikë që riparonin televizorë, shitëse bulmeti, shoferë autobuzash dhe të gjithë profesionet më të rëndësishme të asaj periudhe, për shërbimet e të cilëve duhej shumë mik.
Nuk kujtoj të kem trokitur në ndonjë derë me “sy magjik”, por unë kam qënë fëmijë ose i ri dhe nuk më duheshin as mjekët, as teknikët e televizorëve dhe as shoferët e autobuzave. (Më vjen ndërmend i ndjeri Berti Shamia, që kishte një reagim shumë spektakolar kur i kërkoje ndonjë vend të lirë kur nuk kishe biletë, që na bënte të gajaseshim kur shkonim në Tiranë bashkë me shokët).
Po le të kthehem në fakti i sotëm, që më solli në mendje këtë punën e syve magjikë.
Në rrjetet sociale (edhe pse unë nuk jam në shumë të tilla) ka një pjesë nga këta njerëzit e rëndësishëm, që e dinë veten “më të qut” se të tjerët. Rrinë gjithë kohën pas derës së tyre dhe nga “syri magjik” shohin se ç’shkruajnë dhe postojnë të tjerët. Bëjnë ndonjëherë ndonjë “like” apo “respekte”, por përgjithësi mundohen të jenë sa më të “mçeftë“. Nuk mund t’i quaj “tip skuthash” sepse jo domosdoshmërisht në jetë janë të tillë. Por ju pëlqen të “përgjojnë“ jetën sociale të të tjerëve, pa qënë të ekspozuar ndaj “përgjimit” nga të tjerët. Ndjehen edhe superiorë se kanë shumë pak “lajthitje soçiale”.
Në “WhatsApp” operojnë zakonisht duke mësuar “hiletë e settings”, ku fshehin kohën kur kanë qënë në aplikim si dhe nëse e kanë lexuar apo jo mesazhin. Kjo ju jep lirinë të pëgjigjen kur të duan, të mos përgjigjen fare, ose të shtiren se “ua kur më ke marrë në telefon?!”
Përdoruesve të zakonshëm, “nuk ju pëlcet shumë b...” për këtë gjë, por në sy ju bie.
Dhe e kanë në majë të gjuhës, një shprehje që një i njohuri jonë që quhej Tom i drejtoi dikur një shokut tonë:
“T’i kam kuptuar të tëra!”
No comments:
Post a Comment