Saturday, 14 February 2026

Cila ishte Qiqica Mosko?


Një portret i vajzës së Ilo Moskos është vështirë të ndërtohet pas shumë e shumë vitesh. Tani do ishte më shumë se 100 vjeçare. Emrin në regjistra e kishte Angjeliqica, një emër përkëdhelës grek, i variantit të tij bazë -Angjeliqi. Por në shtëpi e jëma e thërriste Qiqica dhe po ashtu të gjithë të tjerët. Ata që e njihnin në qytet.

Kishte lindur larg, shumë larg Korçës, në një ishull të përtejmë, ku duhej të shkoje më parë me karrocë deri në Selanik dhe më pas të bëje dy ditëmë ndonjë anije të vogël, që shkonte për në Kios. Ishte më pranë Izmirit se Selanikut dhe Athinës. Me bregdetin turk i ndante ngushtica me emrin e ishullit.

Në këtë ishull të largët ishte “degdisur” një ditë, tregëtari i ri Ilo Mosko, ndoshta për të blerë mastikë. Ishulli njihej si Ishulli i Mastikës. Dhe nëse doje të blije më lirë, do të duhej të merrje rrugën e gjatë me karrocë (vite më pas me automobil) dhe nga porti me ndonjë gjemi të rastit.

Dhe si ndodh jo vetëm në romane apo filma romantikë, Iloja i Moskove, të cilin më vonë e thërrisnin xha Ilo, u dashurua me një greke të bukur dhe nuk bëri këmbë nga ishulli për shumë vjet. Hora, qyteti më i madh i ishullit ishte më i bukur se Korça, se “hidhte trupit” edhe erën e detit dhe të mastikave. Korça kishte ajrin e pastër dhe erën e luleve në pranverë, por nuk e kishte bërë dot djalin e Moskollarëve të binte keq në dashuri. Ashtu si pat rënë me greken e bukur Hareti në ishullin e mastikës.

Angjeliqica lindi më 1926, si bijë e familjes së re të korçarit me origjinë nga Voskopoja të lidhur para syve të Perëndisë në një kishë të Kiosit, me Haretinë nga lagja e Nea Horas. Me siguri janë kënduar shumë këngë në greqisht atë ditë, dhe ndoshta edhe disa shqipe, se Ilo Moskoja këndonte shumë bukur me zërin e tij të plotë prej basi. Në shtëpinë e re, veç flautit që e kishte sjë me vete, kishte shtuar edhe një piano. Më pas, kur u kthye në Korçë ishte mes themeluesve të Korit të mirënjohur“Lyra”.

Qicica nuk dinte shqip. Erdhi në qytetin e panjohur, që nuk kishte erën e detit, sepse e sollën prindërit. Ishte shumë e vogël që ta pyesnin nëse donte të ikte larg detit, palmave dhe nxehtësisë të Kiosit. Ata kishin ardhur të jetonin për gjithë jetën në Shqipëri dhe i kishin marrë të gjitha, edhe pianon. Po e vogla do e mësonte shpejt shqipen duke luajtur me fëmijët e fqinjëve në katundin e Drenovës. Iloja kishte vendosur të jetonte disa vjet në shtëpinë tjetër të Moskove, se mendonte që gjithshka ishte më e pastër mes bimëve dhe manave të Drenovës.

Më pas nisi shkollën fillore dhe duke qënë se mësonte shpejt e mirë, i jati e futi në Liceun Francez. Nuk ishin të shumta vajzat që studionin në Lice. Cdo klasë me 30-40 nxënës nuk kishte më shumë se 3-4 vajza. Ato më të mirat në mësime dhe gjithashtu prej familjeve të kamura. Edhe arsimdashëse.

Nuk ka shumë dëshmi rreth mbarëvajtjes në shkollë të vajzës me origjinë në ishullin e largët, të panjohur për korçarët. Nuk besoj të ketë ende gjallë ndonjë nga bashkënxënësit e saj. Veç dihet që Qiqica e përfundoi të mesmen pas mbarimit të luftës dhe filloi menjëherë punë si llogaritare. Dikush që mbaronte gjimnazin dhe për më tepër me mësime të bëra në Liceun Francez dhe më vonë në atë Kombëtar e kishte të lehtë të bëhej nëpunëse në administratën e re shqiptare. Dhe Qiqica Mosko vazhdoi për gati 20 vjet të ishte shefe llogarie deri sa një ditë, duar të errëta, të cilat “groposën “ edhe shumë shefa të tjerë llogarie, gatoi një intrigë që e nxirrte shefen korrekte, dëmtuese të pasurisë socialiste. Ishte më pak se një vit pas ndryshimit të lekut me një dhjetfishim të vlerës.

Prokurorët e zellshëm u kujdesën që raporti i revizorit famëkeq të kthehej në një akuzë me shumë vite dënimi. E dërguan të vuante në burgun e grave në Qytetin Stalin. Larg tre miturakëve të saj. Nuk u mjaftuan me atë dënim , por e dënuan për propagandë sërish në burg dhe e degdisën në Kosovë të Lushnjës. Të gjorën Angjeliqica , që ishte lindur në ishullin e largët të mastikave dhe palmave. Pamjet e tij ndoshta i ishin fshirë nga kujtesa se në mendje i rrinin vetëm fytyrat e tre gërdhucëve të saj. Vetëm të madhin e kishte parë disa herë, kur i jati e merrte me vete në vizitat që i lejoheshin nga autoritetet.

U kthye në shtëpi pas 14 vitesh burgu, e sëmurë rëndë dhe nuk mund t’ju gëzohej fëmijëve se nuk ngrihej dot nga shtrati. Mbylli sytë pas 14 ditësh duke gëzuar vetëm një ditë në liri për çdo vit burgu që kishte bërë. Ndoshta në rrugën për në botën e përtejme fluturoi edhe mbi ishullin e bukur prej nga pat ardhur.

Unë nuk e njoha dhe ndoshta si unë, nuk e njohën edhe shumë të tjerë në qytet.

Cila ishte vallë Qiqica Mosko?

No comments:

Post a Comment