Duke shkruar librin rreth “shkëlqimit dhe rënies” së Korçës (a Balzak i shkretë sa ta kanë kopiuar këtë titull) bëhem gjithnjë edhe më fanatik në idenë, se Kulmi i viteve ‘30, nuk ka për tu arritur kurrë edhe pse teknologjia dhe shkenca mund të zhvillohen, ose edhe nëse në sajë të Zamirit të Bitijes dhe ndonjë korçari tjetër mund të financohet ndërtimi i një qendre të Inteligjencës Artificiale.
(Ndoshta Grigor Jotit mund t’i ketë lindur kjo ide dhe unë si gjithnjë jam i vonuar, por më mirë i vonuar se dështak.)
Por mbi gjithshka qëndron shprehja “kurrë mos thuaj kurrë“ dhe disa shkëndijime shprese më kanë lindur këto ditë.
Sikundër në vitet ‘30, për të shkuar sa më parë në Korçë duhet përdorur “fusha e aropllanëve”.
Për të mos e idealizuar as periudhën e Zogut, por edhe “kulmin e Korçës” duhet thënë se në ato vite, të shkoje me “automobill” në tiranë merrte mbi 6-7 orë. Rruga e Tiranës nuk ishte e mir[ dhe në pjesë pranë Shkumbinit, kishte edhe vende shumë të vështira për shoferët e asaj kohe. Rrugët i përmirësoi shumë Italia fashiste, por dhe ajo “kodoshkë“ jo se i digjej barku për lidhjen e korçarëve me kryeqytetin e “dumbabistave”, por se i duhej të lëviznin mirë dhe shpejt mjetet e motorizuara ushtarake për ekspansionin në Ballkan.
Duke ju kthyer kohës së Naltmadhnisë, kur u vendos linja me avion Tiranë- Korçë dhe kthim (Ahmeti kishte patur idenë që avionit t’i vinte emrin “Fan Noli”, por dënimi me vdekje i Hirësisë ishte ende në fuqi dhe nuk mund të bëhej), zengjinët korçarë që nuk ishin t[ pak[t në oborrin e Mbretit, donin të bënin ecejake të shpejta dhe ja dolën. Ishte linja e parë n[ Shqip[ri. Nuk di cilët kanë qënë pilotët e parë dhe nga ç’krahinë e Shqipërisë vinin. Ndoshta ishin të huaj.
Për shkaqe të motit të jashtëzakonshëm, të cilësisë jo të mirë të dherave, të ecjes së makinave mbi shpejtësinë e lejuar, rrugët e ndërtuara sipas standarteve më të përparuara europiane, kanë “pjerdhur” përkohësisht.
Rama, ashtu si Naltmadhnia ka për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe efikase. Me njohuritë e mija prej injoranti në fushën e transportit, them se më e mira është rivendosja e linjës ajrore, Tiranë-Korçë dhe kthim. Mund të bëhet me avionë më të mëdhenj, se edhe populli lëvizës është shtuar. Ose të vendosen shumë helikopterë në Filologjiku dhe të nisen çdo gjysëm ore, si puna e furgonëve. “Hajde kush është për në Korçë“. Nuk di se a është e logjikshme përdorimi i satelitëve që lëshuam në orbitë para dy vitesh. Ndoshta zbritja me parashutë e pasagjerëve prej tyre mund të jetë e vështirë.
Gjithsesi unë besoj verbërisht në kjo Qeveri , e cila i pëlqen sfidat dhe mbi të gjitha mendon për popullin pa dallim feje, krahine dhe ideje.
(Helikopterëve mund t’ju venë emra poetësh të larguar të trevave të Korçës duke filluar me Dritëronë, Skënder Rusin e të tjerë dhe duke e mbyllur me Sulejman Cardhakun.)
Nuk po pres sa të më dalë një rrugë për në Tiranë, që të shijoj udhëtimin ajror të ëndërruar, Tiranë - Korçë dhe kthim. Se historia duam nuk duam ka karakter ciklik.
PS. Rolin e Nikos në këtë rikthim të Kulmit nuk po e prek, se dje i kam kërkuar Ndjesë publikisht.
No comments:
Post a Comment