Monday, 16 February 2026

Pse Obama ka përgjegjësi për ardhjen e Trump


Kam qënë një nga simpatizuesit e shumtë të Barakut (jo Ehud bastardit) qysh kur kam dëgjuar fjalën e tij në një “Kongres”(Convention) të Partisë Demokratike Amerikane. I studiuar mirë, shumë elokuent dhe i ri në moshë, të tërhiqte veçanërisht pasi Bushi i Ri nisi luftrat absurde në Lindjen e Mesme. E gjithë bota e mençur dhe humane e pa me simpati dhe shpresë këtë yll në ngjitje në politikën amerikane. Ndoshta një pjesë më e errët e Globit (ku hynte edhe Berluskoni që e quajti me një nga ato shakatë e tij bajate,“bronzato”) e pa si të rrezikshëm, madje edhe si një “Antikrisht”.

Gjithsesi në një mënyrë rrufe ai u zgjodh senator, dhe më vonë President. Kudo në botë ku shkoi para zgjedhjes dhe pas , sheshet u mbushën nga mijëra dhe mijëra njerëz që shpresonin në një botë më të lirë dhe në paqe.

Unë nuk kam as aftësitë dhe as njohjen e duhur të rendit meritat dhe të metat e Obamës gjatë presidencës së tij prej 8 vitesh. Disa gjëra nuk më kanë pëlqyer qysh në fillim dhe i kam përmendur edhe në blog.

Një nga gabimet e para, që do kishte pasoja më vonë, ishte një marëveshje me Klintonët, për të marrë Gjumashin Xho si kandidat për zv.President. Biden ishte pjesë e marëveshjes se pranoi të mos kishte ambicie për të konkuruar për President pas viteve të Obamës. Kjo ja bënte të lehtë Hillarit një fitore pas 4 ose 8 vitesh.

Tjetër gabim i rëndë ishte marrja në administratë e ekipit të ekonomisë së Klintonit (Timothi Geitner dhe Larry Summers), ekip që ishte jo pak përgjegjës për krizën e madhe 2007-08. Megjithatë kam menduar se një president i një partie duhet të bëjë disa kompromise me grupet brenda saj për të qeverisur më mirë. Obama dhe ekipi i tij u quajtën fajtorë që edhe pse kriza u zgjidh, askush nga bankierët përgjegjës nuk pësoi as edhe një gjë, ndërsa mijëra njerëz humbën shtëpitë dhe paratë.

Obama është një nga përgjegjësit, që në fushatën e vitit 2016, Partia Demokratike përdori gjithë llojet e manipulimeve për të penguar nominimin e Berni Sanders si kandidat për President i PD. Marëveshjes me Klintonët i qëndroi besnik dhe aktiv deri në fund. Kjo solli edhe ardhjen e “the Donald” në Shtëpinë e Bardhë. Të gjithë analistët politikë seriozë bashkohen në mendimin se Trump do humbiste thellë po të kishte Bernin përballë.

Por gabimet e tij, ose varësia nga grupet që përfaqëson, vazhdoi edhe në fushatën e 2020. Ai mbështeti në hije dhe më pas hapur Biden kundër kandidaturës së Sanders. Pika kthesë gjatë fushatës, ndërsa Bernie udhëhiqte garën dhe gjumashi Xho ishte i katërti, ishte konkurimi në Karolinën e Jugut ku Xhejms Kolbërn hapur mbështeti Xhonë. Biden fitoi me 28% diferencë ndaj të dytit dhe nisi ngjitjen. Obama kishte gisht në të. Demokratët e establishmentit u munduan ta shisnin kandidaturën e Xhosë, si më e mira për të mundur Trump. E vërteta është se cilido të ishte do fitonte, Trump mundi veten me qëndrimin dhe politikat ndaj pandemisë.

Barak Obama nuk përdpri ndikimin e tij për të detyruar Xhonë mos hynte në garën e 2024 sikundër kishte deklaruar. Më pas ndodhën ato që njohen nga të gjithë dhe që sollën monstrën Trump 2 në pushtet.

Në ndërgjrgjen e presidentit më të mençur të pasluftës së Dytë Botërore, rëndojnë këto gabime të rënda me pasoja për gjithë Njerëzimin. Sigurisht që ai mund të bëjë një mea culpa kur të arrijë në të 80tat, në ndonjë libër të shkruar bukur, por nuk do ketë asnjë vlerë.

Bota po vuan edhe për faj të tij!

No comments:

Post a Comment