(vijim)
Me këtë përgatitje hymë në vitin e fundit të Universitetit. Përvoja e atyre viteve kishte qënë shumë e “bukur dhe relaksuese”. Kishim liri të plotë (sa mund të quhesh i lirë nën Diktaturë), ngarkesë jo të madhe mësimore dhe mund të bridhnim e të dëfrenim në Tiranën e gjysmës së parë të viteve ‘80. Racionimi i ushqimeve nuk ishte në masë të madhe, edhe pse ndonjëherë merrja ndonjë qese me miell për ta shpënë në Korçë, nga shoqja e klasës Fatlinda Murthi, që duket se kishte ndonjë të njohur në një dyqan ushqimesh. Tirana ende mbahej më mirë se “rrethet”.
Diçka e mirë kishte ndodhur për Shqipërinë në fund të vitit 1981 me vetvrasjen e Mehmet Shehut. Me dinakërinë e tij të njohur, Diktatori e pat kthyer edhe atë situatë në dobi të tij. Filloi një fushatë spastrimesh në organet e Sigurimit dhe të Dhunës, për të hedhur fajin e terrorit të vazhdueshëm tek ta. E kujtoj mirë atë natë të 18 dhjetorit, se të nesërmen duhet të dorëzonim projektin e banesës kolektive dhe ishim shumë prapa me fletët e vizatimit. Kishim nisur të punonim që në drekë në dhomë, bashkë me shokun tim Piro Stefa. Mendonim ta gdhinim për të arritur maksimumin e mundshëm. Nuk kishim dalë fare nga dhoma dhe nuk dinim se ç’ndodhte në Tiranë, Më 7.30 ose 8.00 të darkës, nga altoparlanti i dhomës, të cilin e mbanim gjithë kohën hapur u dha lajmi “në një moment krize nervore shoku Mehmet...”, më pas ndoshta edhe një biografi e shkurtër e tij dhe ne ishim totalisht të shtangur. Nuk ishte diçka e zakonshme apo e pritshme. Më pas filloi një këngë popullore dhe Piro Stefa tha: “Nuk e prisja o Mehmet Shehu të të përcillnin me saze!” Vetëm kaq dhe pas 10 minutash rramë të flinim se nuk dinim ç’të bënim. S’mund të them se ndjeva gjë, se për Shehun nuk kisha pikën e simpatisë, por edhe gëzim nuk ndjeva. Mendjen e kisha më shumë tek projekti që do e dorëzonim të papërfunduar. Ndoshta të nesërmen na dhanë edhe 48 orë shtesë për shkak të situatës së jashtëzakonshme, që sipas Partisë “përballohej me mobilizim të jashtëzakonshëm”. Por i gjithë viti 1982 ishte vit kur mund të flisje më lirshëm dhe kishe më pak frikë nga përgjuesat dhe spiunët.
Po atë vit diskutohej që vitet shkollore të shtoheshin dhe me mendje thosha “le të bëhen edhe 7” sepse e dija që ishte më mirë se të hyja në punë. Të mijtë më dërgonin rregullisht një shumë jo të vogël lekësh dhe restorantet e Tiranës kishin larmi gjellësh dhe mezesh. Nuk kishte klube nate, apo diskoteka ku mund të vallzoje, por kënaqeshim edhe pa to, veçanërisht ne studentët konviktorë, që mund të bridhnim cep më cep të Tiranës dhe në çdo orë. Ndonjëherë shkonim edhe në Durrës për plazh, apo në qytetet afër për të ndjekur ekipin e futbollit të “Skënderbeut” kur luante në Kavajë, Durrës, Elbasan apo Shkodër. Merrnim nga jeta më të shumtën që ofronte ajo nën Diktaturë. Ndoshta kënaqeshim me pak, se e dinim edhe vetë që rronim si “miza në by... të kalit”, por nuk mund të ndërmerrnim avntura me zarar. Natyrisht që sytë e veshët i kishim nga Perëndimi, por jo duke menduar për një përmbysje të shpejtë të pushtetit, por duke shpresuar se Diktatura do zbutej dhe do i afrohej asaj të Jugosllavisë ose vendeve të tjera “revizioniste” dhe do kishim mundësi edhe të shkonim jashtë shtetit. Ishim studentë të Arkitekturës dhe Piramidat, tempujt grekë, ndërtimet e Bahaus-it dhe qendrën “Zhorzh Pompidu” i kishim parë vetëm në revistat e huaja. Si degë gjysëm art e gjysëm inxhinieri, Arkitektura nuk kishte as mundësinë e studimeve jashtë shtetit për studentët “ekselentë“, si i kishin degët e tjera të Inxhinierisë. Ishim të “dënuar” me studim të përjetshëm “pa prekje” të kryeveprave të arkitekturës botërore. Një kufizim jo i vogël.
Megjithatë, të armatosur me ato që kishim (një arkitekt i njohur, Ben Arapi, që më kishte parë atë vit me një tufë hudhrash të njoma dhe një çadër në dorë, theshte duke qeshur nuk kam parë ndonjëherë arkitekt me çadër dhe hudhra) i hymë “finales” që do na çonte në “kurorëzimin” me titullin e lakmuar. Lënda kryesore ishte Kompozimi Arkitekturor. Për fatin tonë, atë lëndë do na e bënte arkitektja e mirënjohur Valentina Pistoli. (Sërish një korçare në plejadën e arkitektëve më të mirë të asaj kohe,) Me Valin mësuam si të projektojmë një hotel dhe realizuam vërtet projekte të mira. Në semestrin e dytë unë zgjodha të projektoja një shkollë të mesme muzikore në vend të interiereve të hotelit, që zgjodhën shumë të tjerë. Sërish nën drejtimin e Valit, ai ishte projekti më i mirë i imi i viteve të Universitetit. Njëkohësisht vazhduam lëndën e Urbanistikës me Fajën dhe Faik Alimehmetin, por pa ndonjë interesim dhe impenjim të madh. Me sa kujtoj kisha për projekt një plan rregullues të fshatit Kllojkë të Tiranës, projekt që e bëra pa shkelur në Kllojkë dhe pa e vrarë mendjen se si do dilte dhe a mund të ishte i vlefshëm për banorët e kooperativës së Kllojkës. Nuk kisha asnjë dëshirë të bëhesha urbanist dhe më pëlqente të projektoja ndërtime, kryesisht banesa dhe objekte social-kulturore, që ishin dëshira e thuajse të gjithë studentëve të arkitekturës. Edhe interieret nuk më kishin ngjallur shumë interes dhe kjo mbeti një nga “cenet” e ardhme në punën time si arkitekt. Mund të konceptoja hapësira të brendëshme interesante, por pa i shoqëruar me mobilim dhe elemente të tjera që ju shtonin vlerat. Po dilja një “kitekt” i betonarmesë dhe i konstruksioneve metalike, por jo i interiereve.
Marëdhëniet tona me pedagogët gjatë vitit të katërt ishin gati si marëdhënie mes kolegësh. Me më të rinjtë kishim një lloj afërie, thuajse të natyrës kamarateske. Na toleronin edhe ndonjë çapkënllëk të moshës, sepse me siguri kishin ende të freskëta ato të kohës së tyre studentore. Më kujtohet që ngacmonim Engjëll Dhramin dhe pasi e kishim kaluar masën dhe e shihnim që pedagogu ishte vërtet i mërzitur, Genc Barbullushi ndërhynte me humor për t’i kërkuar falje dhe i përgjërohej të lejonte t’i puthte gishtin e vogël së këmbës së majtë! Enxin nuk e bënte as kjo kërkesë të buzëqeshte, por ne sehirxhinjtë tjerë gajaseshim me situatën dhe batutën. Studenti Genc gati në gjunjë, që këmbëngulte, që pedagogu të hiqte këpucën dhe çorapen nga këmba e majtë që ky t’i puthte gishtin e vogël! Dhe e gjithë ngjarja pa përdorim të ndonjë sasie alkoli.
(vijon)
Shenim: Ne foto ark. Valentina Pistoli
No comments:
Post a Comment