(vijim)
Një ndërhyrje në qendër të qytetit me disa prishje dhe krijimin e një lulishteje qëndrore ishte i quajturi Parku “Vangjush Mio”. E projektuar keq dhe e zbatuar jo mirë, (sërish me urgjencë) ajo çuditërisht nuk i shtoi ndonjë vlerë qendrës, sikundër ndodh kudo në botë me shtimin e sipërfaqeve të blerta brenda qyteteve. Mbetet ende në të njëjtat kushte edhe sot dhe është shumë e lehtë të ndërhyet e të riorganizohet për të përmirësuar atë pjese të qytetit, ose t’ju rikthehet pronarëve e të ndërtohet diçka më e mirë.
Në fushën e mbrojtjes së arkitekturës dhe restaurimeve, ark.Kliti Kallamata ndoqi traditën e krijuar nga ing. Thomo dhe pati një sërë rifreskimesh të ndërtimeve tradicionale në Pazar dhe në lagjet muze të qytetit. Mes tyre spikasnin shkolla “Mësonjtore e Parë Shqipe“, “Hani i Manastirit”, kompleksi i Piastos (Muzeu Arkeologjik) dhe shumë banesa vetiake më të vogla. Ai u përpoq të kthente Pazarin në një qendrër artistiko-turistike dhe deri diku ja arriti, me gjithë vështirësitë shumë të mëdha për të hequr familjet që banonin në dyqanet e Pazarit. Kliti pati mjaft peshë në vendimet për ruajtjen e Korës, por edhe në ato që lidheshin me ndërtimet e reja gjatë viteve ‘80, veçanërisht në periudhën kur ZUP-i drejtohej nga ing. Ilia Lubonja.
Nëse veprat arkitekturore, kushtëzoheshin shumë nga materialet e ndërtimit, të cilat ishin të kufizuara dhe kryesisht prodhoheshin në vend, gabimet në urbanistikë ishin nga mungesa e njohurive dhe nga politikat e strehimit urgjent.
Arkitektura e viteve ‘80 mund të cilësohet si arkitektura e një vendi të varfër fhe të izoluar. Nuk kishte të bënte aspak me parimet arkitekturore. Disa e quajnë me mendjelehtësi arkitektura e realizmit socialist, një term krejt i sajuar. Në zgjidhjet planimetrike ajo vuante nga kufizimet për shkak të varfërisë dhe në trajtimet vëllimore, kufizimet gjithashtu vinin përsëri nga varfëria. Në disa raste, kur objektet ishin të rëndësisë së veçantë dhe ju ngarkoheshin ark. Klement Kolanecit apo gruas së tij, trajtimi hapësinor dhe i detajeve ishte bashkëkohor. Po kështu një pjesë e mirë e materialeve të ndërtimit për ato objekt importoheshin nga jashtë. Mund të përmenden Pallati i Kongreseve, Muzeu i Krujës, RTV Shkodër e deri tek Piramida. Për fatin e keq të Korçës, për të nuk ishte akorduar asnjë investim me rëndësi, që mund të projektohej nga arkitektët më të mirë të Shqipërisë, të drejtuar nga të afërmit e Diktatorit. Arkitekti korçar Vladimir Bregu, një prej më të mirëve në atë kohë nuk projektoi asgjë për qytetin e lindjes. Për sa i përket materialeve të ndërtimit mund të përmend vetëm një shembull - profilet e duraluminit janë përdorur për herë të parë në Korçë vetëm pas vitit ‘90. Për materiale të tjera cilësore as mund të bëhej fjalë.
Si përfundim duhet të them që kriza ekonomike e Shqipërisë e atyre viteve nuk linte hapësira për objekte cilësore si ato të realizuara në vitet ‘60-’70, por gjithsesi pati shembuj të një arkitekture të mirë, të projektuar me nerv arkitekturor. Gjithsesi, literatura e huaj profesionale ishte e redukutar në maksimum. Në Bibliotekën e Korçës kishte vite që nuk hynin më libra dhe revista të arkitekturës. Të fundit kishin hyrë në fillimin e viteve ‘70. Madje as ato nuk i gjeje dot në fondin rezervat të Bibliotekës së qytetit, sepse kishin përfunduar kushedi se në ç’bibliotekë personale. Ndaj arkitektët korçarë ishin të shkëputur nga ç’farë ndodhte në Botë, veç sa mund të shihnin për disa çaste në televizionin jugosllav. Ndaj edhe ndonjë kufizim konceptual i veprave të asaj kohe, për mendim tim, është i justifikuar. Të gjithë arkitektët e sipërpërmendur, që punonin në Korçë, nuk kishin pasur asnjëherë mundësinë të vizitonin ndonjë vend të huaj.
Urbanistika ishte pika më e dobët e viteve ‘80, ndërsa restaurimi pati dhjetvjeçarin më të mirë.
Kjo ishte trashëgimia urbano-arkitekturore në prag të rënies së Diktaturës. Në vitet e fundit të saj, një lloj liberalizmi dhe përpjekjesh për profesionalizëm dhe emërimesh sipas meritave, solli krijimin e një Byroje Projektimi të madhe, por përsëri, në mënyrë absurde, në krye të Byrosë dhe të departamenteve të saj u vendosën sërish konstruktorë dhe pikërisht ing. Josif Shore, ing. Gjergji Skënderi si drejtues i Arkitekturës dhe ing. Ilia Lubonja si drejtues i Urbanistikës?!
Arkitektët në rrethet e pushtetarëve ende quheshin “bojaxhinj”, një nofkë e tyre e viteve studentore, që pushtetarët injorantë nuk kishin si ta dinin, por që e zbatonin në mënyrë të pavetdijshme. Ishte edhe kjo një nga arsyet e mosshmangies së gabimeve të rënda që u bënë në urbanistikën dhe arkitekturën e qytetit, të filluara më 1945 dhe deri më 1990.
Me rënien e perdes për Diktaturën nisi Liria dhe Kaosi në arkitekturën dhe Urbanistikën e qytetit të Korçës.
No comments:
Post a Comment